Këndi Lojrave Për Fëmijë

 

Fëmijët dhe dëshirat e tyre janë më të rëndësishme se çdo interes. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës ka nisur të punojë për të ngritur një infrastrukturë, që u shërben atyre të luajnë dhe argëtohen. Një prej tyre është edhe këndi i lojërave në Kodrat e Liqenit Artificial, i cili do të jetë gati më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Projekti është hartuar nga arkitektët Bolles & Wilson dhe zhvillohet mbi bazën e gjendjes ekzistuese, pikërisht me qëllim që asnjë nga pemët që ekzistojnë në park të mos pritet. Projekti është i ndarë në 8 elementë të ndryshëm, duke ofruar hapësira dhe mjete argëtimi për fëmijë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 1-3 vjeç, 3-6 vjeç; 6-9 vjeç dhe për moshën 12 vjeçare. Në përgjithësi parashikohen punime me element druri, rëre dhe zhavorr, çka shmang elementët ndotës.

Projekti parashikon vetëm krijimin e një sipërfaqe të ngurtë që do të shërbejë si pistë për skateboard, ku fëmijët mund të luajnë me patina. Të gjithë elementët e tjerë kanë sipërfaqe me ashkla druri, rërë të imët dhe bari. Gjithashtu, projekti nuk parashikon as edhe një element tjetër të huaj apo privat, përveçse një këndi lojërash për fëmijë me elementë të ndryshëm argëtues e dëfryes. Këndi i fëmijëve do të jetë publik dhe do zhvillohet me financimin nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

Ai do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Tiranës pa asnjë pagesë, dhe do të shndërrohet në një oaz të vërtetë argëtimi për rreth 200 mijë vogëlushët e këtij qyteti. Ky është vetëm njëri nga projektet që Bashkia e Tiranës ka programuar për fëmijët, pasi paralelisht ajo ka nisur punën edhe për një sërë projektesh të tjera në zona të ndryshme të kryeqytetit, si në Bregun e Lumit, Kinostudio apo Kombinat.