Kemi trajtuar 1500 qenë endacakë

Nisi sot në Tiranë Konferenca rajonale e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE), e cila do t’i mbajë punimet në datat 14-16 Qershor. OIE zgjodhi për herë të parë Shqipërinë, e konkretisht Tiranën, për të mbajtur këtë konferencë rajonale për temën e kafshëve endacake, si një vlerësim, por edhe për të parë nga afër zgjidhjen që Bashkia e Tiranës i ka dhënë në pak muaj trajtimit të tyre. Punimet e konferencës u çelën nga kryetari i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi falenderoi Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve që zgjodhi Tiranën për të mbajtur këtë takim, prezantoi punën e bashkisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në lidhje me kafshët e rrugës.

“Për ne është kompliment që Organizata Botërore që merret me çështjet e kafshëve të rrugës zgjodhi Tiranën si një histori suksesi për të zhvilluar këtë seminar rajonal, ku edhe vende të tjera mund të mësojnë nga eksperienca jonë modeste. Sigurisht, kemi vetëm 10 muaj në krye të Bashkisë së Tiranës, por nuk kemi neglizhuar asnjë nga çështjet shqetësuese për qytetin. Pra, siç janë të rëndësishme çështjet e infrastrukturës, rrugëve, trotuareve, shesheve, çerdheve e kopshteve, apo këndeve të lojërave, për një pjesë të qytetarëve është po aq e rëndësishme edhe çështja e qenve të rrugës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se falë këtij projekti, për herë të parë në rrugët e Tiranës nuk ka më shtim të popullsisë së qenve endacakë.

“Për herë të parë pas 5 vitesh na rezulton se nuk ka rritje të popullsisë së qenve të rrugës. Kjo do të thotë që puna e shkëlqyer që po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit me 55 poste në ditë që kanë për kafshët e rrugës të cilat vaksinohen dhe pastaj sterilizohen, pra që të mos shumohen dhe të jenë nën kontroll në mënyrë humane kjo lloj popullsie, ka reduktuar me 1500 numrin e qenve në Tiranë”, tha kryebashkiaku Veliaj. Por, ai theksoi se ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës, përveç emergjencës me të cilën ndërhyri për shkak të situatës së rënduar që e gjeti qytetin, ka vlerësuar që këtë projekt ta zgjasë për disa vite, deri sa të jetë zgjidhur e gjithë problematika.

“Ky është një projekt afatgjatë. Ne kemi një target 5-vjeçar për të reduktuar maksimalisht këtë situatë, por besoj se kemi mirëkuptimin e qytetarëve dhe pas qendrës veterinare në Kombinat do të shikojmë mundësinë se si në partneritet me klinika të tjera veterinare të mund të delegojmë edhe një pjesë të kësaj pune për të qenë akoma më efektiv”, theksoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë evidentoi nevojën edhe për rishikimin e kompetencave të pushtetit vendor në drejtim të menaxhimit të situatës me qentë e rrugës, si dhe të një bashkëpunimi më të madh me pushtetin qendror. Ai u shpreh se mbivendosja e kompetencave ligjore bën që shpesh herë të kenë vonesa në reagimin dhe zgjidhjen e problematikave të caktuara.

“Kafshët me pronarë janë kompetencë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Shërbimit Veterinar. Ndërkohë, ligji thotë që kompetencë e Bashkisë Tiranës është vetëm çështja e kafshëve të rrugës. Kjo është arsyeja pse do të kërkojmë që, në bashkëpunim me ministrinë që e ka këtë kompetencë, të aplikojmë disa rregulla shumë më të forta, sidomos për ata që kafshët i blejnë për t’i abuzuar, për t’i çuar në ndeshje me kafshë ose në sjellje të dhunshme si ato që kemi parë. Besoj se qeveria qendrore duhet të jetë pak më e vëmendshme, teksa i kërkon bashkisë që të zgjidhë disa nga këto probleme, duhet edhe të transferojë kompetencat e plota, qofshin këto për ndotjen akustike, qofshin këto për ndotjen mjedisore”, tha kryebashkiaku. Veliaj gjeti rastin që t’u bëjë një apel qytetarëve, që të evitojnë praktikat vrasjes dhe helmimit të qenve të rrugës, pasi një gjë e tillë është jo humane dhe mbi të gjitha përbën rrezik për t’u kthyer në vatra infeksioni dhe sëmundjesh.

“Duke vrarë kafshët e rrugës nuk ndihmon, përkundrazi e bën më keq situatën. Një kafshë e infektuar, nëse vritet dhe nëse lihet në rrugë, infekton dhjetëra herë më shumë se po e njëjta kafshë që është e gjallë dhe në pak ditë kapet nga shërbimet tona për t’u vaksinuar e sterilizuar”, përfundoi ai.