Kryebashkiaku e nis ditën me një kafe me banorët e “Astirit”

Dita e punës sot nisi ndryshe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me banorë të zonës së Astirit, e më pas inspektoi punimet që po kryhen në zonën e Unazës së Madhe, pranë rrethrrotullimit “Shqiponja”. Pas konsensusit të arritur pak ditë më parë me komunitetin e banorëve të ardhur nga Tropoja, Kukësi e Dibra në atë zonë, kryebashkiaku mori sot dakordësinë e komunitetit nga Tepelena, Skrapari dhe Korça, të cilët u shprehën pro vijimit të punës për projektin e Unazës së Madhe.

 Gjatë takimit informal me ta, Veliaj gjeti mirëkuptimin e banorëve për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Unazës së Madhe. “Ishte një kënaqësi e veçantë të takoja të gjithë miqtë këtu në “Astir”, e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë “Skrapari”. Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, ndërsa sot me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Siç patëm me miqtë nga Tropoja, Kukësi e Dibra, ashtu edhe sot me tepelenasit, skraparllinjtë  e korçarët, kemi konsensusin se ky projekt duhet të vijojë dhe duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës”, tha Veliaj.

 Ashtu si edhe Ukë Çelkolaj nga Tropoja edhe Servet Merko nga Tepelena i ka dhënë fjalën e bashkëpunimit kryebashkiakut Veliaj. Ai u shpreh i gatshëm që ta lirojë objektin e vet pa leje, për t’i krijuar mundësi mjeteve të IMT-së që të vijojnë me prishjet. “Pothuajse kemi një muaj që e kemi boshatisur, e kam hequr qiraxhiun. Jemi për zhvillimin, është diçka që i shërben gjithë qytetit”, tha Merko.

 Veliaj falenderoi banorët që janë distancuar nga aktet e bllokimit të rrugës dhe që kanë pranuar t’i hapin rrugë projektit për transformimin e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana, në një rrugë që jo vetëm sjell zhvillimin e zonës, por edhe çliron trafikun e makinave, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. “Dua t’i falenderoj për bashkëpunimin. Shumica prej tyre kanë zbrazur vetë vullnetarisht të gjitha asetet që kanë, dyqanet apo shtëpitë që do preken nga projekti. Dua t’i falenderoj publikisht të gjithë miqtë që, si ata nga Tropoja, Kukësi dhe Dibra gjetën gjuhën me bashkinë për të bërë zhvillimet e tyre në anën tjetër, ashtu edhe miqtë tanë nga Tepelena, Skrapari dhe Korça të interesohen për familjen dhe zhvillimin e tyre”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje edhe banorëve të tjerë të Astirit që të mos përdoren politikisht, por të distancohen nga politika dhe theksoi se kjo çështje do të marrë zgjidhje brenda Vitit të Ri. “Unë besoj se para Vitit të Ri kjo punë do të ketë marrë fund. Për të gjithë ata që besojnë se mund ta pengojnë qytetin ose mund t’i përdorin protestat si “mish për top“ për interesat e tyre politike e kanë davanë e humbur. Dua të falenderoj masivisht banorët e “Astirit” që janë distancuar nga politika. Secili po shikon hallin e vet, të familjes së vet, që të zgjidhë punët e veta. Politika i ka zgjidhur punët e saj, ndaj jam shumë i kënaqur sot për këtë bashkëpunim. Deri tani kemi pasur 20 prishje vullnetare, do të kemi mbi 10 sot. Ndërkohë që politika bën punën e vet çdo ditë në orën 17.00, me autobusë nga Paskuqani e Kamza, jeta në Tiranë do të duhet të vazhdojë”, nënvizoi kreu i Bashkisë, teksa bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ofron banesa sociale ose pagesën e qirasë së banesës për të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje dhe që preken nga gjurma e Unazës së Madhe.

 “Për të gjithë ata që e kuptojnë vlerën e shtetit, vlerën e qytetit, të familjes, vlerën e pronës dhe mund të gjejmë një të mesme të përbashkët, por edhe projekti të bëhet, por edhe prona të zhvillohet, qoftë në pjesën mbrapa ku nuk i prek autostrada, ose për ata që s’kanë asnjë letër në banesa sociale, si shumë familje që kanë pranuar. Për këtë jam sot pafundësisht mirënjohës”, u shpreh Veliaj.

 Mëngjesin e sotëm, kryebashkiaku i Tiranës inspektoi edhe punimet që po kryhen në zonën e Unazës së Madhe, pranë rrethrrotullimit “Shqiponja”, lot i cili është besuar një prej kompanive kryesore përfituese të shumë prej projekteve të Bashkisë së Tiranës, kur kjo e fundit drejtohej nga administrata e mëparshme.

 “Erdha sot që të inspektoj pak punimet e kompanisë së Lulit. Ky është loti që preket nga kompania e Lulit dhe dua ta falenderoj edhe Lulin që ka qenë bashkëpunues, ka vendosur kantierin e vet, ka vendosur ndarjet në rrugë. Uroj që Luli të dalë me shumë fitim nga kjo punë dhe për të gjithë ata që vijnë me autobusë nga Paskuqani dhe Kamza, dua t’u them që t’ia marrin lekët Lulit, të marrin dietat e tyre për ardhjen si protestues shëtitës në Tiranë. Në fund të fundit, janë lekët e popullit, kështu që plus që do u duhen edhe për fushatën në Kamzë e Paskuqan, se nuk duket që gjërat janë mirë. Them që meqë Luli i ka rregulluar punët e veta, duhet që të gjithë qytetarët të rregullojnë punët e tyre”, deklaroi Veliaj.