Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep ekipit kombëtar të futbollit “Çelësin e Qytetit”

Bashkia e Tiranës nderoi sot me “Çelësin e Qytetit” ekipin kombëtar të futbollit për performancën e tyre në “Euro 2016”. Pas mbëritjes në aeroport, skuadra kombëtare iu drejtua Bashkisë së Tiranës, ku u prit në një ceremoni të posaçme zyrtare nga banda e qytetit dhe qytetarë të shumtë që kishin dalë për të përshëndetur lojtarët. Pasi autobusi u ndal në hyrje të bashkisë, futbollistët dhe ekipi drejtues i saj u pritën nga kryebashkiaku, Erion Veliaj dhe drejtuesit e Bashkisë së Tiranës. Në mënyrë simbolike, kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi kapitenit, Lorik Cana, “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për kontributin e skuadrës tonë kombëtare në përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian të futbollit.

Në fjalën e tij, Veliaj falenderoi skuadrën për emocionet që i dhanë të gjithë shqiptarëve dhe theksoi se kombëtarja jonë e futbollit është jo vetëm frymëzim, por edhe shembulli më i mirë i faktit se kur të gjithë bëhen bashkë mund të arrihen gjëra të paimagjinueshme. “Besoj se qyteti i Tiranës duhet t’i japë një duartrokitje Kombëtares që na bëri krenarë dhe për ne ata janë fitues. Një kryetari bashkie i jepet rrallë mundësia të rrethohet nga Kombëtarja më e mirë që ka pasur Shqipëria në të gjitha kohërat. Fitorja më e madhe që kemi ne si shqiptarë kudo ku jemi, në Shqipëri, Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Çamëri, është mundja e mentalitetit, i cili thotë që ne nuk ia dalim, që dështojmë, që nuk dimë të organizohemi. Arritët fitoren kryesore për të na provuar të gjithëve se kur jemi bashkë, jemi të pamposhtur, mund t’ia dalim dhe mund të fitojmë çdo betejë”, tha Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi mundin dhe sakrificën e secilit prej lojtarëve të kombëtares, të cilët falë punës së tyre kanë arritur t’i japin Shqipërisë një emër të mirë në gjithë Evropën. “Secili prej jush është dëshmi e faktit se nuk vjen nga familje e njohur, se nuk vjen nga njerëz me lidhje, se nuk ka mbiemrat që i kanë çarë dyert e jetës. Secili ia ka dalë me punë dhe në fakt, gjatë kohës që ju na keni nderuar në Francë, mijëra djem e vajza janë regjistruar për futboll, mijëra djem dhe vajza janë regjistruar që të marrin pjesë në kurse, ju kanë parë ju si idhuj dhe shpresojnë që Shqipëria të bëhet më e mirë falë shembullit që ndjekin prej jush”, shtoi Veliaj.

Kapiteni i skuadrës kombëtare, Lorik Cana, pasi mori “Çelësin e Qytetit”, falenderoi të gjithë shqiptarët për mbështetjen e madhe që i dhanë skuadrës, jo vetëm në shkallët e stadiumeve, por edhe kudo ku ata jetojnë. “Ju falenderoj në emër të ekipit për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithashtu për pritjen. Sigurisht, ne kemi një atdhe dhe patjetër që Tirana është kryeqendra e saj dhe çdo herë kur jemi këtu e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë. Edhe njëherë shumë faleminderit dhe shpresojmë të vazhdojmë edhe më tej, sikurse ekipi kombëtar, sikurse vendi dhe kryeqyteti ynë!”, u shpreh i emocionuar Cana.

Ndërkohë, trajneri Gianni de Biasi vlerësoi lojën e futbollistëve të kombëtares dhe theksoi se ata janë shembull për çdo të ri shqiptar. “Besoj se shembulli i këtyre djemve është një shembull i rëndësishëm për shumë të rinj që duan të besojnë në një të ardhme ndryshe, dhe se me vendosmëri mund të gjejmë hapësira te reja në jetët tona. Një urim për të gjithë shqiptarët, të gjithë djemtë, për një të ardhme më të mirë!”, u shpreh ai.