Kryetari Bashkisë

10659130_10152722678681926_6874299407831652545_oErion Veliaj është Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai lindi në Tiranë, më 17 dhjetor 1979. Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ndoqi studimet e larta në SHBA, ku është diplomuar për “Shkenca Politike” në Grand Valley State University, Michigan. Më pas, ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian. Përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 2003, Erion Veliaj ka punuar në Amerikën e Veriut e të Jugut, Afrikën Lindore dhe në Kosovë.

Në vitin 2003, Veliaj themeloi lëvizjen MJAFT, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare, e që në vitin 2004 mori edhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Lëvizja MJAFT, përveç kreativitetit dhe energjisë, u bë e njohur edhe për mënyrën inovative të drejtimit, ku mbizotëronte puna e grupit. Në vend të qendërzimit të aktiviteteve nën drejtimin e liderit, Lëvizja karakterizohej nga delegimi i punës tek të gjithë anëtarët e skuadrës – një element që vazhdon të mbetet thelbësor në mënyrën e drejtimit të Veliajt.

Erion Veliaj drejtoi lëvizjen MJAFT deri në Nëntor të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99.

Në periudhën 2007–2009, Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Europian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin, ku u dallua për organizimin për herë të parë të stukturave të Partisë Socialiste në vendet ku punojnë e jetojnë shqiptarë,  sidomos në Greqi dhe Itali.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj ishte kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, nga ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2013, Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në krye të kësaj ministrie, ai u dallua për menaxhimin mjaft të suksesshëm të një institucioni, buxheti i të cilit përbën rreth 30% të buxhetit të shtetit. Në vetëm 1 vit e gjysmë, nën drejtimin e Veliajt, MMSR spikati në kabinetin qeveritar dhe në sferën e opinionit publik me hartimin dhe zbatimin me sukses të pesë reformave kryesore, të cilat kishin një rëndësi shumë të madhe për vendin, qoftë edhe për faktin se nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë në 24 vite demokraci:

1) Reforma në pensione – Një ndër reformat më të guximshme, por edhe më të domosdoshme për qytetarët ishte reforma e pensioneve, e cila duke rritur përfitimet për të gjitha pagat, riktheu besimin e qytetarëve në skemë,, duke e rritur numrin e kontribuesve me 93,392 persona në vetëm 1 vit.

2) Tregu i punës – Me hapjen e zyrave të reja e moderne të punës dhe ndryshimin e imazhit të shërbimeve të punësimit, reforma e tregut të punës dha rezultatet e para, duke rritur numrin e të punësuarve.

3) Pagesat sociale – Një sfidë me rëndësi ishte edhe situata me pagesat sociale për shtresat në nevojë, të cilat nuk i merrnin pagesat e muajve të fundit të vitit. Pastrimi i skemave nga abuziviteti, dixhitalizimi dhe mirë-administrimi i financave bënë të mundur që ata t’i merrnin të gjitha pagesat në kohë në vitin 2014.

4) Arsimi profesional – Një reformim të thellë pa edhe sistemi i arsimit profesional që u orientua drejt sistemit dual gjerman, duke i dhënë më shumë rëndësi praktikimit të aftësive teorike e duke i afruar aftësitë e nxënësve me kërkesat e tregut të punës.

5) Të përndjekurit politikë – Performanca e Veliaj në krye të MMSR do të mbahet mend edhe për guximin e treguar në nisjen e procesit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit si dhe, në reformimin e sistemit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, duke dhënë 4 këste në vetëm 1 vit, ndërkohë që në 8 vjet ata ishin dëmshpërblyer me vetëm me 1 këst.

Kontakto në erion.veliaj@tirana.al