Njësia 2, prioritet rrugët e ndriçimi

ndriciiimNë Njësinë Administrative nr. 2, për vitin 2016 Bashkia e Tiranës ka planifikuar të investojë në ndërtimin e rrugëve dhe të një tregu të ri, si edhe për rikonstruktimin e godinave arsimore dhe rehabilitimin e sigurimin e ngrohjes në 9 shkolla. Gjatë takimit me banorët e njësisë nr. 2, për të diskutuar mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se për këtë zonë administrative janë parashikuar 182 milionë lekë.

“Në Sauk, fokusin më të madh e kemi në rehabilitimin e ujit të pijshëm. Po planifikojmë ndërtimin e një tregu të ri, si dhe kemi piketuar tashmë një vend për zhvendosjen e tregut, në mënyrë që ata që shesin të kenë mundësi t’i shërbejnë komunitetit me produktet e tyre”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës tha se së shpejti aksioni për lirimin e hapësirave publike do të pasojë edhe në njësinë 2, ku çdo pjesë e liruar do t’i kthehet qytetarit.

“Arkitektët tanë janë duke punuar në të gjithë zonat ku ne do të bëjmë lirimin e territorit. Kemi punuar shumë në njësinë 5 dhe 11, shumë shpejt do të jemi edhe në njësinë 2. Në këto zonat nuk do të lëmë pas rrënoja, por do të pastrojmë, gjelbërojmë dhe do të urbanizojmë të gjitha zonat që lirohen”, tha Veliaj. Ai sqaroi se në buxhetin e bashkisë është parashikuar rikualifikimi i hapësirave publike të liruara nga abuzimet dhe kthimi në kënde lojërash e hapësira të tjera rekreative.

“Kemi konceptuar një ndriçim në masën 85% të zonës. Që në vitin tonë të parë kjo është katër herë më mirë se gjendja aktuale, ku vetëm 20% e zonës ndriçohet”, tha Veliaj. Një tjetër investim i Bashkisë së Tiranës për njësinë 2 do të jetë mirëmbajtja e rrugëve dhe plotësimi i zgarave e pusetave në masën 75%, projekte për shtimin e gjelbërimit, planifikimin e rindërtimit të dy shkollave 9-vjeçare dhe ndërhyrja, rehabilitimi dhe sigurimi i ngrohjes për 5 kopshte dhe 4 çerdhe.

“Këtë vit janë planifikuar rindërtimi i shkollës 9 vjeçare “Hasan Tahsin”, faza e parë. Në një periudhë 1-vjeçare do të mbarojmë totalisht investimin për rehabilitimin e shkollës “Fan Noli”. Do të bëjmë rehabilitime të pjesshme sidomos në çështje të ngrohjes apo pajisjeve hidrosanitare, në 9 shkolla”, tha Veliaj.

Krahas planifikimit në buxhet, Bashkia e Tiranës do të aplikojë fondin e komunitetit për projekte të tjera në shërbim të qytetarëve. “Ashtu si Bashkia konkurron me 60 bashki të tjera për të marrë fonde nga qeveria qendrore, ne po ashtu duam që të 24 njësitë të konkurrojnë se kush merr fonde nga Bashkia e Tiranës”, theksoi Veliaj. Sipas tij, kjo do të thotë se nëse njerëzit duan të lyejnë fasadën e tyre dhe janë gati edhe vetë të bëjnë një investim, për rregullimin e sheshit para pallatit, një lulishte etj, parimi që Bashkia do të ndjekë është që për çdo lek që do të vënë qytetarët, bashkia do ta dyfishojë. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe për fondin e terreneve sportive, për të cilat Bashkia e Tiranës do të presë që 24 njësitë të aplikojnë dhe të thonë se kanë gjetur hapësirën dhe në bazë të aplikimeve, do të financohet.

Duke folur për situatën e rënduar financiare në të cilën është gjendur Bashkia e Tiranës, Veliaj tha se institucioni që ai drejton i është lënë një borxh i madh financiar. Sipas tij, në vitin 2015, ishin planifikuar dhe ishin buxhetuar teorikisht 7-fishi i asaj që realisht kishte bashkia.

Për të rritur buxhetin e Bashkisë së Tiranës që do të përkthehen në më shumë investime, Veliaj tha se është synuar forcimi i Administratës Tatimore dhe krijimi i Tirana Parking. Ai solli në vëmendje kthimin e hapësirave të zaptuara në parkingje publike me pagesë që do të sjellin më shumë të ardhura për investime infrastrukturore. “Sa t’i jepni paratë e parkimit një privati, më mirë bashkisë, dhe ato para i investon në korsi biçikletash, siç po bëjmë me rrugën ‘Dritan Hoxha’, apo i investon në mbjellje pemësh, në stola dhe në parqe për të moshuarit”, tha Veliaj.