Ta kthejmë Tiranën kuqezi!

kuuuq“Edhe sot, ashtu si 71 vjet më parë, Tirana është në anën e duhur të historisë, njësoj si dje kur ishte në krah të një civilizimi që nuk e duronte shtypjen dhe barbarinë”. Ky është mesazhi i dhënë sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në homazhet për 71-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deputetë, shoqata dhe familjarë të dëshmorëve.

Kryebashkiaku Veliaj dhe nënkryetarja, Brunilda Paskali, nderuan dëshmorët që dhanë jetën 71 vite më parë për çlirimin e kryeqytetit. “Mesazhi vjen nga 71 vjet më parë, por është po aq i duhur edhe sot, kur sërish duhet të zgjedhim se me cilin qytetërim do të përballemi. Ashtu si 71 vjet më parë, ajo gjeneratë zgjodhi të ishte me forcat më përparimtare të kohës, ngjarjet e Parisit na kujtojnë se duhet të bëjmë të njëjtën zgjedhje”, deklaroi Veliaj. Ai tha se sot është edhe më e qartë se kemi bërë zgjedhjen e duhur, kemi qenë me civilizimin që respekton lirinë, vëllazërinë dhe është tolerant.

“Më vjen mirë që zgjohemi në një qytet të lirë, që kujtojmë nga kemi ardhur, për t’u siguruar se nuk i përsërisim gabimet në të ardhmen, dhe për t’u siguruar se një brez i ri informohet se kombi ynë ka një qëllim dhe se ky qëllim është perëndimi dhe bota e civilizuar, së cilës i përkasim”, tha Veliaj.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, theksoi se mesazhi aktual i çlirimit të kryeqytetit dhe çlirimit të Shqipërisë ndaj nazifashistëve përkon me një mesazh mjaft të rëndësishëm me kontributin që Forcat tona të Armatosura japin në luftën kundër terrorizmit. “Dëshiroj të shpreh edhe një herë sot nderimin më të madh dhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë për partizanët dhe për partizanet që çliruan Tiranën më 17 nëntor të vitit 1944, pas disa javë betejash të jashtëzakonshme dhe plot sakrifica, pas gjakut të derdhur nga mjaft dëshmore dhe dëshmorë për çlirimin e kryeqytetit. Njëkohësisht, për të shprehur mirënjohjen për të gjithë popullin e Tiranës për barrikadat që ngriti për pushtuesit dhe në mbështetje të luftës së partizanëve dhe partizaneve të cilët çliruan kryeqytetin”, tha Meta.

Më pas, kryebashkiaku Veliaj iu bashkua Konferencës Shkencore për 71-vjetorin e Çlirimin të Tiranës, në krye të së cilës u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit në Paris. Gjatë fjalës së tij, Veliaj theksoi se Çlirimi i Tiranës ishte momenti kulmor i luftës së asaj gjenerate, por lufta e tyre kurrsesi nuk mund të lexohet e kuptohet vetëm brenda kufijve të Shqipërisë sonë të vogël sepse ata ishin pjesë e aleancës së kombeve të qytetëruara, kundër një kërcënimi barbar dhe mizor.

“Tre ditë më parë barbaria goditi në Paris, në zemër të Evropës. Jo rastësisht zgjodhi të godasë jo ushtarë e policë, jo njerëz të armatosur, por goditi një stil jetese që as nuk e kupton e as nuk e pranon dot dhe se bie ndesh me vizionin obskurantist e barbar të botës që kanë këta njerëz, një stil jetese që sheh si kërcënimin e saj më të madh. Miqtë e mi, kjo është sfida jonë sot, kjo është lufta jonë sot! Ashtu si 71 vite më parë, ne jemi pjesë e së njëjtës aleancë vlerash e parimesh, ne besojmë në të njëjtat modele bashkëjetese, ne besojmë tek paqja, toleranca, zhvillimi i përbashkët për gjithë njerëzimin”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, zhvilluan vizita në familjet e dëshmorëve Huta dhe të heroit të popullit, Estref Caka. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës organizoi sot një sërë aktivitetesh për Ditën e Çlirimit, përfshirë këtu një koncert festiv në sheshin “Skënderbe” nga ansambli i qytetit dhe shfaqje filmi me tematika luftës.