Marrëveshje me biznesin për heqjen e taksës së tavolinës.

Pas përfundimit të negociatave me përfaqësuesit e bizneseve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur se është arritur një marrëveshje jo me dhunë, por me diskutime. Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku tha se dhuna dhe vandalizimi nuk është gjuhë. “Shtrënguam duart në fund, dua t’i falenderoj edhe unë publikisht, ishte kjo mënyra korrekte për të bërë një negociatë, jo me dhunë, jo duke ndotur Bashkinë. Gjuhë është kjo që kemi përdorur për këto tre negociata dhe siç e patë edhe vetë në fund grupi, në raundin e tretë, përfundoi me ata njerëz, që realisht u dhimbte kjo çështje dhe jo çdo lloj njeriu që mundohet të kapë një kauz për interesin e vet personal”, u shpreh Veliaj.

Në këtë negociatë të arritur midis palëve është rënë dakord për tre pika. Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se do të hiqet taksa prej 25 mijë lekësh për tavolinën dhe do të bëhet zero. “Ambicia jonë është për një qytet, i cili ka liri të lëvizjes dhe një qytet ku respektohet hapësira publike nuk është qëllim në vetvete numërimi i tavolinave, por fakti se sa hapësirë është zënë. Ndaj ramë dakord që, mënyra e matjes të jetë për metër katrorë dhe jo për tavolinë, që besoj se është një lehtësi, për të gjithë ata që bëjnë llogari”, tha Veliaj.

Të gjithë bizneset që u kamë ardhur faturat me tarifat të cilat hynë në fuqi në muajin janar, do t’u llogariten me tarifat e vjetra. Kryebashkiaku tha se për këto fatura që kanë shkuar te qytetaret do të ndiqet e njëjta rrugë siç është vendosur për Ujësjellës Kanalizimet. “Të njëjtin mirëkuptim, siç kemi treguar edhe me atë që ndodhi në Ujësjellës, që për një faturim që nuk është faji i qytetarëve, por i një problemi që ka administrata, qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë lekë shtesë. Meqë kjo logjikë funksionoi për Ujësjellësin, kjo logjikë funksionon edhe në këtë rast”, tha Veliaj.

Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është rizonimi i hartës së Bashkisë së Tiranës sipas të cilës do të përllogaritet tarifa për hapësirat publike të zëna nga bizneset. “Duke qenë se jo e gjithë zona e qendrës është ekskluzivisht komerciale, (siç është blloku, zona mbas stadiumit Qemal Stafa, zona mbas Kryeministrisë), sigurisht që bën sens që zona A përfshin eksluzivisht këto që janë zonat më të shtrenjta të qytetit. Aty ku për çdo tavolinë e për çdo mall që shërbehet kostoja është më e lartë”, sqaroi Veliaj.