Masa për 11 familjet e shpërngulura nga përmbytjet.

Në kushtet e temperaturave të ulëta, Bashkia e Tiranës ka marrë masa mbi krijimin e kushteve normale për familjet e shpërngulura në Tufinë për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Besjona Deda, tha se po krijohen kushtet për përballimin e motit të ftohtë për disa familje të shpërngulura nga Bregu i Lumit, të cilët iu rrezikua banesa nga reshjet e ditëve të fundit dhe u vendosën në repartin ushtarak të Tufinës, si një mundësi e vetme që u pa për t’i sistemuar.

“Duke qenë se kushtet e repartit nuk ishin të përshtatshme për përballimin e motit të ftohtë, me ndihmën e organizatave partnere dhe donatorëve mundësuam krijimin e kushteve të përshtatshme, izolimin e repartit, sjelljen e një bolieri depozite për të furnizuar me ujë të pijshëm dhe tualete lëvizëse”, u shpreh Dede. Krahas këtyre ndërhyrjeve në godinat ekzistuese, Bashkia e Tiranës ka marrë masa edhe për të ofruar ngrohje në kushtet kur temperaturat e ulëta të ditëve të fundit.

“Ne ndihmën e Bashkisë së Tiranës u mundësua sjellja e sobave të drurit të cilat do të krijojnë një mjedis të ngrohtë për të përballuar motin e ftohtë që pritet në ditët në vijim dhe situatat nën zero”, tha Dede. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës falenderoi të gjithë organizatorët, partnerët dhe bashkëpunëtorët që kanë asistuar në këto ditë. Ajo garantoi se Bashkia e Tiranës do të jetë pranë kategorive në nevojë, për të përballuar këtë situatë të ftohti dhe shmangien e tragjedive njerëzore.

Rreth 45 anëtarë të komunitetit rom janë vendosur në repartin ushtarak në Tufinë pasi mbeten të pastrehë nga marrja e barakave prej Lumit të Tiranës gjatë shirave të rrëmbyer të javës së shkuar. Për të siguruar kushtet mbi përballimin e ditëve të ftohta, u mundësua izolimi termik i repartit, vendosja e depozitës së ujit për furnizimin të vazhdueshëm, tualete dhe dushe të lëvizshme, soba dhe dru për ngrohje. Gjithashtu është garantuar furnizimi me ushqim, batanije, dyshekë e veshmbathje. Mbështetja nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës dhe asistenca mjekësore do të jetë e vazhdueshme.