Klinika veterinare, zgjidhja për kafshët e rrugës

Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot zgjidhjen e problemit për qentë e rrugës, të cilët ishin kthyer në një shqetësim për banorët e kryeqytetit. Tashmë, këto kafshë do të trajtohen në një klinikë veterinare, me të gjitha standardet, në zonën e Kombinatit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishën në ambientet e Klinikës Veterinare të ngritur me kujdesin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku një grup vullnetarësh të përbërë nga veterinerë kirurgë profesionistë, prej pak ditësh kanë nisur nga puna për sterilizimin e qenve të rrugës.

“Shumë qytetarë, të cilët nuk i njohin kafshët, mund të kenë pasur incidente me kafshët e rrugës dhe duan zgjidhje të shpejta. Por, vrasja apo helmimi i kafshëve të rrugës nuk është zgjidhje për situatën. Sterilizimi sistematik i tyre është një histori suksesi, që ka funksionuar në të gjitha vendet e zhvilluara. Ndaj, më vjen mirë që me vullnetarët tanë, apo donatorë si TELECOM dhe fondacioni ABC, si dashamirës të kafshëve, dhe qytetarë që i sjellin vetë kafshët e rrugës për t’i sterilizuar, besoj se brenda këtij mandati do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të problemit”, u shpreh Veliaj. Ai kërkoi nga kirurgët që kjo gjë të mos bëhet me ngut, por me profesionalizëm.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës ftoi të gjithë qytetarët që të adoptojnë kafshët të cilët janë të shëndetshëm dhe të certifikuar nga Klinika Veterinare. “Dikush që kërkon të adoptojë një qen, s’ka nevojë të harxhojë para për ta blerë, por mund të vijë në klinikën veterinare dhe të adoptojë një qen i cili do të ketë një librezë shëndetësore, matrikulim, një histori të shëndetit dhe të gjitha vaksinat e nevojshme nga mjekët tanë”,  deklaroi Veliaj.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit është institucioni përgjegjës për klinikën veterinare dhe ata parashikojnë që në këtë qendër të trajtohen rreth 15 qen në ditë. “Tirana ka të paktën 15 mijë qen dhe duhen të paktën 1000 ditë nëse do të punojmë me këtë ritëm. Por, unë besoj se jemi në rrugë të mbarë, kemi marrë një vendim të vështirë dhe të drejtë. Falenderoj qytetarët për durimin. Gjashtë muaj donin zgjidhje të shpejta, por derisa nuk patëm zgjidhje të shpejtë 25 vjet, atëherë kjo zgjidhje që ne ofrojmë është zgjidhje e qëndrueshme”, tha Veliaj.