Mbështetje për të rinjtë sipërmarrës në fshat

Bujqësia, blegtoria dhe natyra përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të zonave rurale të Tiranës nëpërmjet zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht përmes produkteve bio aq shumë të kërkuara në treg. Bashkia e Tiranës është e vendosur të rikthejë vëmendjen e të rinjve, për ta parë këtë potencial si një mundësi edhe për biznese të mirëfillta. Këtij qëllimi i shërbeu takimi i sotëm i zhvilluar në Shëngjergj, një nga zonat më tipike rurale të Tiranës, ku të rinj të zonës dhe të ardhur nga Tirana diskutuan mbi mundësitë e promovimit të zonave rurale dhe zhvillimin e bizneseve me bazë agroturizmin.

Në hapjen e aktivitetit dy ditor morën pjesë nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali dhe Andi Seferi, si dhe qindra të rinj të cilët kërkojnë të ngrejnë një biznes. Nënkryetarja Paskali vlerësoi natyrën dhe produktet bio të zonës, si dhe theksoi se zona rurale e Tiranës ka mundësitë e duhura për të zhvilluar biznese duke shfrytëzuar pikërisht këto potenciale. “Shija e produkteve tona bujqësore është origjinale, bio. Kjo na ka mbledhur sot këtu, pra krijimi i një ferme për prodhimin dhe përgatitjen e produkteve bio të vendit tonë dhe kjo jo thjesht për konsumin tonë, por edhe për t’i eksportuar. Duhet të konsumojmë produktet tona sepse natyrisht janë më të mira, kanë një kosto më të lirë dhe nga ana tjetër, ndihmojnë ekonominë tonë, e cila ka nevojë që këto para të qëndrojnë këtu. Të rinjtë tanë duhet të shohin mundësitë e krijimit të fermave të tilla në vendin tonë”, tha nënkryetarja Paskali.

Ajo ftoi të rinjtë që ta konsiderojnë edhe këtë fushë si mundësi për zhvillimin e sipërmarrjeve private. “Në 25 vitet e fundit, fatkeqësisht fshati është lënë jashtë vëmendjes, njerëzit i janë drejtuar qytetit, por shikoj se sot ka një rikthim sepse shikohen të mirat që puna që mund të bëhet në fshat mund t’i japë të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve”, tha Paskali. Ajo shtoi se Bashkia e Tiranës, duke e parë bujqësinë dhe blegtorinë si një aset që ofron zona periferike e Tiranës, ka vendosur që të mbështesë nismat që krijojnë kushte për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të zonës, si dhe të të gjithë sipërmarrësve të rinj që e shohin fshatin si një mundësi për zhvillimin e biznesit të tyre.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës vuri në dukje se është e rëndësishme që sipërmarrësit shqiptarë, sidomos të rinjtë që duan të investohen në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, të mund të trajnohen për të aplikuar dhe përfituar nga fondet e BE-së. “Më shumë se gjysma, gati 60% e fondeve të BE-së, shkojnë në favor të bujqësisë dhe për këtë të rinjtë tanë, përveç mbështetjes që mund të gjejnë brenda vendit nga fonde të ndryshme që ofron pushteti qendror apo ai lokal, mund edhe të kenë akses në fondet që BE ofron për ta. Kjo është ajo që ne duhet të përgatisim dhe në shkollat e universitetet që të rinjtë të kenë mundësi të dinë se si të aksesojnë fondet e BE për të ndërtuar një fermë apo një sipërmarrje agroturizmi”, shtoi Paskali.

Nga ana e tij, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, theksoi se Bashkia e Tiranës e ka prioritet të veprimtarisë së saj promovimin e produkteve dhe zonave rurale, pasi ka vlerësuar se bujqësia, blegtoria, apo edhe agroturizmi janë elementë tepër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonës. “Çdo nismë që mund të marrë bashkia apo organizatat e ndryshme, nuk mund të funksionojë nëse në thelbin e tyre nuk do të jetë rinia, pra pjesëmarrja e rinisë është vendimtare. Është rinia ajo që do të bëjë promovimin e këtyre zonave përmes mbështetjes si të organizatave të ndryshme, donatorëve, por mbi të gjitha duke krijuar edhe lehtësirat nga pikëpamja administrative që Bashkia është gjithmonë prezente”, tha Seferi. Ai ka theksuar se Bashkia nuk është mjaftuar vetëm me promovimin e këtyre vlerave dhe aseteve, por edhe në një punë konkrete për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve bujqësore, si dhe në nismat për krijimin e pikave të grumbullimit dhe përmirësimin e kushteve në tregje.

“Që në ditët e para, Bashkia e Tiranës ka filluar promovimin e produkteve të zonave, pasi kjo është një ndër detyrat kryesore që gjithsecili prej nesh duhet të bëjë”, theksoi Seferi. Aktiviteti “EUTRANSIT” mbahet edhe në kuadër të Ditës së Europës dhe është organizuar në formën e një forumi dy ditor, i ndarë në gjashtë tryeza të ndryshme debati mes të rinjve sipërmarrës. Në këtë forum, një rëndësi shumë të madhe do t’i jepet zhvillimit të zonave rurale nëpërmjet agro-turizimit dhe sipërmarrjeve kreative. Më shumë se 30 të rinj sipërmarrës do të paraqesin modelet dhe përvojat e tyre, duke synuar nxitjen e dëshirës për t’u marrë me këtë lloj biznesi edhe tek rreth 1500 të rinjtë e tjerë që do të marrin pjesë në dy ditët e zhvillimit të këtij forumi.

Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i zonave rurale dhe ngritja e debateve tek të rinjtë si një mënyrë e re e të bërit biznes në këto zona, ngritja dhe promovimi i një inkubatori i cili do të prodhojë dhe promovojë sipërmarrje me bazë agron dhe artikulimi te të rinjtë se fermat janë një mënyrë shumë e mirë angazhimi në biznes. Gjatë këtyre dy ditëve të pranishmit do të shfrytëzojnë edhe kohën për të parë nga afër potencialet e zhvillimit të agro-turizmit në këtë zonë, duke prekur nga afër mikpritjen në familjet e zonës, produktet bujqësore dhe blegtorale, si dhe për t’u bërë pjesë e aktiviteteve që kanë si bazë shfrytëzimin e potencialit natyror të zonës.