Model i ri edukimi në të gjithë kopshtet e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një orë mësimi me fëmijët e Kopshtit 20 në Njësinë 3, të cilëve u shpjegoi rëndësinë e ndarjes së mbetjeve në të riciklueshme dhe të pariciklueshme, nismë e cila do nisë të zbatohet shumë shpejt në kryeqytet. Në bisedën me fëmijët, ai theksoi rëndësinë që kanë ata për të ndihmuar në ndërgjegjësimin qytetar, që ky proces të zbatohet me sukses nga familjet kryeqytetase.

Teksa përuroi ambientet e reja tërësisht të rikonstruktuara të këtij kopshti, i shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Veliaj u ndal te rëndësia që ka edukimi i fëmijëve me nevojën për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët, si një mundësi për të ndërgjegjësuar prindërit e tyre që të respektojnë procesin e ndarjes së mbetjeve nëpër kazanët e rinj që do vendosen së shpejti në qytet.

“Duke filluar nga muaji nëntor, ne do të vendosim dy kazanë mbeturinash në lagjen tuaj: një jeshil, ku do të hedhim mbetjet plastike, letrën, qelqin dhe metalin, si dhe një kosh tjetër ku do të hedhim mbeturinat e tjera. Ajo që dua është të na ndihmoni, t’u thoni prindërve që gjërat që mund t’i riciklojmë t’i hedhim te koshi i gjelbër, ndërsa gjërat që nuk mund t’i riciklojmë, t’i hedhim te koshi blu”, u tha Veliaj fëmijëve. Ai theksoi se në të gjithë kopshtet e Tiranës do të nisë një orë mësimi me fëmijët për mënyrën se si ata duhet të bëjnë ndarjen e mbetjeve urbane në burim, si një nga mënyrat më efikase për të mbajtur qytetin pastër dhe për të shmangur çdo mundësi për të ndërhyrë në kazanët e vendosur nëpër qytet.

Ai shprehu kënaqësinë që qytetit të Tiranës i shtohet edhe një kopësht i rikonstruktuar falë kontributit të bashkisë dhe Albtelecom, duke bërë të mundur ofrimin e ambienteve dhe kushteve më të mira për fëmijët. “Jam shumë i lumtur që në Njësinë 3 hapëm sot një kopsht të ri. Më vjen mirë që ky kopësht ka edhe dhoma gjumi, të cilat nuk i kishte më parë, por ka edhe ambient shtesë për psikologun, si dhe për disa fëmijë me aftësi ndryshe”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se ky është kopshti i 25 në total që tashmë është rikonstruktuar totalisht, ku 23 prej tyre u rikonstruktuan falë kontributit të donatorëve, që iu bashkuan nismës “Adopto një Kopësht”.

“Deri në fund të këtij viti, të gjitha kopshtet e Tiranës do të jenë në të njëjtin nivel me kopështin që përurojmë sot në Njësinë 3. Dua të falenderoj prindërit e fëmijëve, duke qenë se falë taksave dhe kontributit të tyre, apo të kompanive që operojnë në këtë zonë, na kanë dhuruar sot një kopësht model për Tiranën”, u shpreh Veliaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, falenderoi Bashkinë e Tiranës për gjithë punën që po bën për fëmijët e qytetit, ndërsa garantoi se edhe edukatorët që shërbejnë në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës do t’i përgjigjen me mësimdhënien e tyre standardit të lartë që ofrojnë tashmë këto institucione.

“Kopshti ‘Çufo’ është shembulli si mund të bëhen gjërat realitet, kur bëhen me pasion. Të falenderoj Erion për atë që bën, për fëmijët e qytetit, për qytetin, por mbi të gjitha, për atë që bën për të gjithë ne, duke na dhënë një shembull të shkëlqyer të modelit të punës, të mbajtjes së premtimit. Përfitoj nga rasti për t’u zotuar të gjithë prindërve të këtyre vogëlushëve sot këtu, por në të gjithë Shqipërinë, që padyshim i gjithë stafi tjetër i edukatoreve do të jetë në lartësinë e kësaj përgjegjësie, për të mundësuar që këta vogëlushë të hedhin hapat e duhur të edukimit dhe arsimit të tyre”, tha ministrja Nikolla.