Monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt

U përurua sot në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, Fayez Al-Jassim, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, Abdulëahab Al-Bader. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky monument është dëshmi, së pari e miqësisë së ngushtë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona dhe, së dyti, shenjë mirënjohje ndaj ndihmës dhe kontributit që ka dhënë Kuvajti në ndërtimin e një sërë veprash publike në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë në Tiranë.

“Marrëdhëniet mes shteteve tona janë të shkëlqyera, por ajo që e bën këtë marrëdhënie kaq të fortë është baza e miqësisë që ekziston mes dy vendeve dhe pikërisht në këtë fushë, duke promovuar kontaktet njerëzore, mes njerëzve tanë, ku duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë. Nuk është aspak koincidencë që ky monument është konceptuar në formën e një vend takimi, ku njerëz të zakonshëm mund të ulen, të pushojnë, bisedojnë nën hijen që ofron kjo shenjë miqësie”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të jenë më të ngushta në bashkëpunimin për projekte konkrete. “Bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve, projektet e binjakëzimit apo investimet e rritura në turizëm dhe në investimet private, janë të gjitha këto fusha ku duhet të investojmë kohën dhe energjitë tona. E pikërisht, përmes këtyre veprimeve, forcohen marrëdhëniet mes njerëzve, popujve”, tha Veliaj. Nga ana tjetër, ai u ndal edhe te ndihma që Kuvajti i ka dhënë vendit tonë në zhvillimin e një sërë projektesh, kryesisht infrastrukturore dhe sociale.

“Ne jemi falenderues për bujarinë e popullit kuvajtian, që na kanë mbështetur në kohëra të vështira përmes projekteve të panumërta, që kanë patur një qëllim të vetëm: përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët. Projekti shkollor që ne do të jetësojmë në Tiranë me mbështetjen bujare e Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, është njëri prej këtyre rasteve. Mijëra nxënës në Tiranë do të marrin një edukim më të mirë falë kësaj mbështetje”, deklaroi Veliaj.

Për këtë qëllim ai shprehu një falënderim të veçantë për Emirin e Kuvajtit, Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah për përpjekjet e tij për të promovuar dhe forcuar në vijimësi miqësinë që ekziston mes dy vendeve. “Ne në Tiranë kemi arsye për t’i qenë mirënjohës për bujarinë e Shkëlqesisë së tij. Vetëm 200 metra larg prej këtej, ne do të nisim shumë shpejt punimet për ndërtimin e sheshit kryesor të Tiranës, sheshit “Skënderbej”, që u iniciua fillimisht falë mbështetjes së shkëlqesisë së tij, gjatë mandatit të ish-kryebashkiakut Rama. Sheshi i ri “Skënderbej” do të jetë një tjetër monument dhe një dëshmi që tregon për këtë lidhje të veçantë si dhe një arsye për t’i përcjellë Shkëlqesisë së Tij, përmes jush, falënderimet tona të përzemërta. Ne kemi një traditë që i nderojmë miqtë tanë dhe Shkëlqesia e Tij, Emiri, sigurisht që ka tashmë statusin e një miku të madh të qytetit të Tiranës”, përfundoi kryetari i bashkisë fjalën e tij.

Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit, Fayez Al-Jassim vlerësoi miqësinë dhe marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke konfirmuar se bashkëpunimi tashmë i konsoliduar do të vazhdojë edhe më tej. “Fondi i Shtetit të Kuvajtit, që ka funksionuar që prej vitit 1993, ka ndihmuar në zhvillimin e projekteve të ndryshme. Ne kemi filluar prej disa vitesh bashkëpunimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Kuvajtit me bashkëpunime të mëtejshme dhe gjej rastin për të falenderuar Shqipërinë dhe qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe për efortin që na japin në këtë bashkëpunim ekonomik”, u shpreh ambasadori, Fayez Al-Jassim.