Në parkun e lojërave nuk do të ketë asnjë kafene apo restorant

Bashkia e Tiranës hedh poshtë deklaratat e Partisë Demokratike dhe lajmet e publikuara ditët e fundit në disa portale të lidhura me të, mbi pretendimet për projektin e parkut të lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit Artificial. Qytetarët e Tiranës e dinë se Partia Demokratike është kundër çdo pune dhe të mire publike, dhe fakti që prej disa ditësh flasin kundër parqeve të lojërave për fëmijë s’na habit aspak.

Bashkia e Tiranës deklaron se në projektin e parkut të lojërave për fëmijë nuk parashikohet asnjë ndërtim kafeneje apo restoranti, siç pretendojnë ata që e shkatërruan Tiranën në 4 vitet e fundit. Ky projekt fantastik përfshin vetëm një park lojërash për fëmijët e të gjitha moshave dhe nuk cenon absolutisht asnjë pemë të Parkut të Liqenit.

Me këtë rast, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen e thellë për mashtrimet e radhës të zyrtarëve të PD-së dhe keqinformimin e paskrupullt që po i bëhet këto ditë publikut, për një nga projektet më fantastike për 200 mijë fëmijët e Tiranës. Sot Tirana është një kantier i hapur punësh publike dhe ashtu siç ka bërë që në ditën e parë të punës së saj, Bashkia e Tiranës do të vijojë të punojë për qytetarët e Tiranës, për më shumë kënde lojërash për fëmijë dhe hapësira të gjelbëruara.

Ata që e shkatërruan Tiranën për 4 vjet, duke dhënë leje ndërtimi për pallate 17 katëshe m’u te diga e Parkut të Liqenit, e kanë të lehtë të baltosin sot ata që punojnë, duke u përpjekur të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës. Qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë se kush e ka shkatërruar Parkun e Liqenit, duke lejuar ndërtimin e dhjetëra kafeneve dhe restoranteve rreth e rrotull parkut.

Bashkia e Tiranës ka vetëm një kërkesë për të gjithë përtacët që e drejtuan qytetin e Tiranës nga viti 2011 në 2015: Na lini të punojmë! Qytetarët e Tiranës duan punë dhe jo llafe kafenesh. Qyteti i Tiranës ka nevojë të zhvillohet e të shndërrohet në një metropol evropian.