Në rrrugë të mbarë Xhamia e Namazgjasë

Me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë, Tirana do të përfitojë edhe një parkim nëntokësor me 200 vende, disa parqe, qendra kulturore dhe një hapësirë të re për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetari i Komitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, inspektuan sot punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, ku edhe u shprehën të kënaqur me ritmin e punës, në një kohë kur objekti parashikohet të përfundojë në vitin 2018.

“Xhamia e Namazgjasë është një stoli për qytetin e Tiranës dhe jo thjesht një objekt për besimtarët myslimanë. Lajme akoma më të mira vijnë për faktin se kjo xhami, nuk do t’u shërbejë vetëm besimtarëve, por edhe qytetarëve të Tiranës. Këtu do të kemi një parkim nëntokësor me 200 vende parkimi, i cili do të jetë i hapur për publikun. Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, por edhe qytetarët që punojnë në rrugën e Elbasanit, nuk kanë pse parkojnë nëpër trotuare, pasi do të kenë këtë parking publik”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai tha se është lajm i mirë për qytetarët e Tiranës që projekti i xhamisë ka përfshirë edhe ndërtimin e disa parqeve të hapura për publikun, një qendër kulturore dhe hapësira ku qytetarët mblidhen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. “Po ashtu, më vjen mirë që edhe ritmi i punimeve përkon me ambicjen që ka Bashkia e Tiranës për t’i bërë punët shpejt e për të mos u marrë me fjalë, por për të prodhuar vepra konkrete. Shpresoj që në vitin 2018, të kemi një objekt që vërtet i shton vlerë Tiranës”, tha Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur edhe nga bashkëpunimi i mëparshëm me KMSH-në për zhbllokimin e punimeve në këtë pronë.

Nga ana tjetër, ai përmendi edhe sulmin e djeshëm terrorist në Stamboll, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të jashtëzakonshme. “Ajo që ndodhi dje në Stamboll ishte një tragjedi e jashtëzakonshme dhe veprime të tilla nuk kanë lidhje me besimin apo me ato që feja dhe besimi predikon dhe mëson në xhamitë tona. Çdo devijim prej besimit është një akt terrorist që dënohet dhe çdo devijim prej kulturës së bashkëjetesës është diçka që nuk kontribuon në qytetet tona. Ajo që ndodhi dje në Stamboll dëshmon se qytetet janë shumë vulnerabël ndaj akteve terroriste, ndaj edhe në qytetin e Tiranës bashkëjetesën e marrim shumë seriozisht”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë të Tiranës sepse po shohim se ëndrrat dhe lutjet e tyre po bëhen realitet. “Komuniteti Mysliman ka vite që e ka merituar një objekt kulti të tillë, që do të rrezatojë vlera shpirtërore jo vetëm për besimtarët myslimanë, por për të gjithë qytetarët e Tiranës, me mundësitë që do të ofrojë. Shpresoj se për pak vite do e kemi të përfunduar këtë objekt dhe jam i bindur se do të jetë një symbol, jo vetëm për myslimanët shqiptarë, por për të gjithë besimtarët myslimanë në Ballkan e më gjerë, sepse është diçka që e kanë pritur, kanë kontribuar dhe po kontribuojnë, që ky objekt kulti të përfundojë sa më shpejt”, tha ai.

Ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë pritet të përfundojë në mars të vitit 2018. Xhamia ka një sipërfaqe të mbyllur prej 1200 metra katrorë dhe një sipërfaqe të hapur po aq, me dy kate parking nëntokësor, të cilat do të shërbejnë jo vetëm për xhaminë, por edhe për publikun, pasi daljet do të jenë direkt në rrugët kryesore. Gjithashtu, do të ketë edhe një qendër kulturore, një qendër mediatike, librari, etj.