Në Tiranë kemi hapur 105 kantiere pune, 10 mijë vetë të punësuar

Veliaj ne firmosjen e Paktit Kombetar te Mireqenies Sociale (5)

U nënshkrua sot Pakti Kombëtar i Mirëqenies Sociale, i cili bën bashkë për herë të parë të gjithë partnerët që veprojnë në fushën sociale, me synimin për të ngritur një sistem të integruar përkujdesi shoqëror të qëndrueshëm. I pranishëm në Konferencën Kombëtare “Impakti i Mirëqenies Sociale – Për një shoqëri që siguron shërbime sociale për çdo qytetar”, ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, drejtues vendorë dhe ambasadorët e vendeve mbështetëse të reformës së shërbimeve.

Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Rama tha se sot është trefishuar ndihma ekonomike, pasi janë hequr nga skema e saj abuzuesit. “Për vite me radhë, paratë e ndihmës ekonomike u janë hequr të varfërve dhe u janë dhënë atyre që nuk ishin në nevojë, por për të cilët kishin nevojë partitë. I gjithë fondi u shpërndahej kryetarëve të komunave për qëllime elektorale dhe mbanin lidhur një zinxhir skllevërish të varfërisë, të cilët kushtëzoheshin për marrjen e ndihmës me fotografimin e votës. Ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme, por është 3 herë më e lartë se ajo që ishte”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi transformimin e madh që ka pësuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në shërbim të njerëzve në nevojë. “Mbaj mend se ministria trajtohej gjithmonë si “kusur”, që i jepej një aleati të vogël, thjesht për t’u marrë me varfanjakët, njerëzit me ngjyrë, duke u trajtuar në mënyrën më diskriminuese. Më kujtohet emergjenca e parë që patëm: Bashkia e asaj kohe kishte nxjerrë disa familje të komunitetit rom në rrugë te Pallati me Shigjeta dhe ministria e asaj kohe, gjatë verës, nuk lëvizi as gishtin”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se qeveria aktuale harxhon rreth 30% të buxhetit të saj për fatura sociale, si asnjë qeveri tjetër më parë. “Ne jemi socialistë dhe besojmë te solidariteti. Kjo është qeveria që harxhon më shumë, rreth 30% të buxhetit të vet në fatura sociale, si asnjë qeveri tjetër më parë. Kjo është qeveria që ka ndarë më shumë për t’i dhënë dorën një shqiptari, që përkohësisht mund të ketë nevojë për ndihmë ekonomike, që mund të ketë nevojë për terapi, për një pension social apo për ndihmën e papunësisë”, tha ai.

Duke u ndalur te ndihma ekonomike, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se e gjithë skema ka  pësuar një ndërhyrje, ku tashmë përfitues janë ata që realisht kanë nevojë për ndihmën e shtetit. “Ndihma ekonomike nuk është diçka që të siguron jetën, por jemi të qartë për një gjë: sot është tre herë më e madhe. Pse? Mjaftoi të largohen të gjithë militantët e partive që e merrnin ndihmën ekonomike se kishin ngritur o gishtat, o grushtin, o një flamur. Sot, falë kontributit që kemi me Bankën Botërore, çdo gjë është automatike”, tha ai.

Duke u ndalur  te punësimi, Veliaj shtoi se ndryshe nga qeverisja e shkuar, ku zyrat e punës ishin selitë e partive politike, tashmë ato janë  funksionale dhe në shërbim të atyre që vërtet kanë nevojë. “Zyra e punës në Shqipëri, ishte selia e partisë në koalicion, e partisë me seli të madhe në qendër të Tiranës, që të shpërblente në varësi të mënyrës se si ishe sjellë në fushatë. Zyrat e punës që unë gjeta në atë kohë ishin në fakt apartamente të marra me qira për shokët e ministrit, në katin e 2-të a të 3-të të një pallati. Ja ku jemi sot: Në Tiranë kemi hapur 105 kantiere pune, ku janë punësuar rreth 10 mijë vetë, shumica e tyre prej zyrëve të punës”, nënvizoi Veliaj, duke e cilësuar hapjen e zyrave të punës një histori suksesi.

Ai u bëri thirrje kolegëve të tij që drejtojnë njësitë vendore për të marrë një rol më të madh për administrimin e zyrave të punës. Veliaj theksoi se është e nevojshme të bashkëpunohet me biznesin për të punësuar njerëz. “Ne si kryetarë bashkish, duhet të marrim  një rol më të madh. Së pari, me kantieret e punës që hapim vetë, ku zyrat e punës duhet të jenë stacioni i parë i punësimit. Së dyti, duke i ftuar bizneset e zonës, që të frekuentojnë zyrat e punës për të punësuar njerëz”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj preku edhe shpërndarjen e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë, duke thënë se ndryshe nga qeverisja e djathtë që i harroi, sot ata kanë marrë shtatë këste. Mandej, ai tha se edhe shkollat profesionale kanë marrë një tjetër për orientimin e të rinjve në tregun e punës. Po ashtu, kryebashkiaku i cilësoi si histori suksesi mensat sociale të hapura nga Bashkia e Tiranës në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi vuri në dukje arritjet e institucionit që drejtoi, duke deklaruar se do të duhet të bëhet edhe më shumë në fushën e mirëqenies. “Për 1 vit e gjysmë kemi hartuar 13 ligje. Kemi mbi 30 akte dhe vendime qeverie. Ka ardhur koha të ngremë së bashku paktin e mirëqenies sociale. Mjafton që në këtë moment të kuptojmë qartë rolet dhe detyrat e institucioneve qendrore dhe atyre vendore. Detyra jonë është t’u shërbejmë qytetarëve në mënyrë të barabartë”, tha Klosi.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ministrja e dekretuar nga Presidenti, Olta Xhaçka, e cila vlerësoi reformat e ndërmarra gjatë këtyre 3 viteve duke përmirësuar situatën e degraduar gjatë 25 viteve. “Falë punës së shkëlqyer të Veliajt dhe Blendi Klosit sot kemi një skemë të reformuar dhe pensione më të larta. Nuk kemi më shkolla të rrënuara, por arsim profesional të lidhur me tregun e punës”, tha Xhaçka.