Nis aksioni për pastrimin e Tiranës

Bashkia e Tiranës, e mbështetur nga vullnetarë e qytetarë të Tiranës, ndërmori sot një aksion pastrimi në të 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit. Aksioni nisi në orën 8.00 të mëngjesit, nga Kombinati, me pastrimin e varrezave të Sharrës, e më pas vijoi në të gjitha njësitë administrative, të cilat janë organizuar në zona të përcaktuara më parë nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, fillimisht iu bashkua aksionit të pastrimit në Kombinat, e më pas kaloi në Njësinë Administrative 8, në zonën e njohur si “Serat”, ku edhe falenderoi të gjithë qytetarët që vendosën t’i bashkohen aksionit të pastrimit.

“Siç kemi një qytet të të gjallëve, kemi edhe një qytet të atyre që s’janë më, kjo është simbolika pse aksionin e pastrimit e filluam nga varrezat e Tiranës, që sot janë shumë herë më të pastra. Në varrezat e Sharrës do të vazhdojmë me një investim, si në Tufinë, për të pasur një hapësirë të këndshme, ku qytetarët të kenë kohë për të kujtuar të afërmit e tyre, në një ambient higjenik dhe shumë herë më estetik se sa ai që kemi sot. Nga Kombinati vijuam në disa lagje të tjera të Tiranës. Ajo që kuptojmë nga çfarë gjejmë poshtë pallateve është se tiranas apo kryeqytetas nuk të bën adresa, as makina e as celulari i shtrenjtë, as pallati luksoz, por sjellja qytetare”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se Tirana aktuale është shumë herë më e pastër nga ajo e një viti më parë. “Sot Tirana është shumë më e pastër dhe besoj të gjithë e pranojnë këtë, por kemi mundësi për më mirë. Më jep shumë shpresë fakti se ka një brez të rinj qytetarësh, të cilët çështjen e pastrimit e kanë shumë për zemër edhe me shpresë do të sjellin një transformim të një gjenerate, e cila mendon më me kujdes për natyrën”, tha ai. Nisur edhe nga reshjet e fundit ku mbeturinat shkaktuan mjaft probleme në bllokimin e kanalizimeve, Veliaj u kërkoi qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e plastikës.

“Mund të na ndihmojnë edhe ata që nuk kanë dale për pastrim, mjafton të mos bëjnë pis. Të reduktojmë përdorimin e plastikës, e ambalazheve të tepërta”, tha ai. Veliaj deklaroi se në dhjetor do të nisë punën edhe kompania publike, një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës, për pastrimin e kryeqytetit, ndërkohë që janë porositur edhe mjete të tjera me qëllim përmirësimin e kushteve.

“Në muajin dhjetor kompania publike, bashkë me Bashkinë e Veronës, do të fillojë operimin në Tiranë. Kemi porositur edhe disa mijëra kosha dhe disa dhjetëra mjete të tjera. Nuk po kursejmë asgjë, që të administrojmë me sukses ato që ka në dorë bashkia. Ashtu si në një familje nuk është detyra vetëm e nënës nikoqire që të pastrojë, por secili duhet të kontribuojë”, tha Veliaj.

Edhe Drejtoresha e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në Bashkinë e Tiranës, Diana Mile, ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme që Tirana të jetë gjithmonë e pastër, jo vetëm për festat. Ndërkaq, aksioni i pastrimit nga ndërmarrjet e bashkisë dhe qytetarët për heqjen e mbetjeve do të vijojë gjatë gjithë ditës.