Nis fushata e ndërgjegjësimit për diferencimin e mbetjeve me nxënësit e shkollës “Emin Duraku”

Bashkia e Tiranës ka nisur me nxënësit e shkollave fushatën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për procesin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në nisjen e fushatës me nxënësit e shkollës “Emin Duraku”, e cila është shkolla e parë që i bashkohet nismës për zhvillimin e orëve të mësimit mbi mënyrën e ndarjes në burim të mbetjeve, mbajtjen pastër të qytetit dhe respektimit të mjedisit. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se shumë shpejt qytetarët e kryeqytetit do të kenë mundësi që të ndajnë që në shtëpi mbetjet e riciklueshme dhe ato të pariciklueshme, duke kontribuar për një mjedis më të pastër.

 “Tirana është sot qyteti më i pastër në Shqipëri. Por, mendoj se mund të bëjmë më mirë, e me këtë fazë të re do ta çojmë Tiranën nga qyteti më i pastër në Shqipëri, në qytetin më të pastër në të gjithë rajonin. Siç fillojmë sot në këtë shkollë, do të nisim të njëjtën fushatë në të gjitha shkollat e Tiranës, kryesisht më fëmijët, pasi ata janë të parët që përqafojnë idetë e reja, ata që përfaqësojnë modernizimin, që i marrin vendimet pa hile. Ndaj, shpresojmë që fëmijët do të jenë të parët që do të çojnë në çdo familje mesazhin e ndarjes së mbetjeve në burim. Siç e shikoni, kemi një konteiner të gjelbër, i cili do të jetë për të gjitha mbetjet e riciklueshme, dhe një konteiner blu për mbetjet e pariciklushme. Në të gjitha lagjet e Tiranës qytetarët do të ketë mundësi t’i shohin të dyja opsionet, ndërsa në shtëpitë e tyre do të duhet t’i ndajnë mbetjet që mund të riciklohen (letër, karton, metal, plastikë) dhe ato që nuk riciklohen (mbetjet organike)”, tha Veliaj.

 Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se pas fushatës së ndërgjegjësimit nëpër shkolla dhe kopshte, do të nisë dhe shpërndarja e konteinerëve në të gjithë Tiranën, duke e transformuar plotësisht kryeqytetin. “Pasi të kemi mbaruar fushatën e informimit në gjithë shkollat dhe kopshtet e Tiranës, do të vazhdojmë me shpërndarjen e konteinerëve në të gjithë Tiranën. Viti i Ri do të na gjejë me një Tiranë të transformuar. Për herë të parë, pas 25 vitesh, po fusim konceptin e ndarjes së mbeturinave në burim”, tha ai. Veliaj kërkoi ndihmën e komunitetit për t’u bërë pjesë e këtij aksioni, në mënyrë që çështja e mbetjeve në Tiranë të marrë zgjidhje përfundimtare.

 “Kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve. Megjithatë, shpresoj që edhe të rriturit, prindërit e këtyre fëmijëve, do të bashkëpunojnë për një Tiranë që është moderne dhe për një Tiranë që sillet si qytet europian, ashtu siç i ka hije. Ambicja jonë është që fillimisht të fillojmë me zonat e qendrës së Tiranës, pra brenda unazës dhe gradualisht, gjatë gjithë vitit të ri 2017, të kemi në kontroll në gjithë territorin e Tiranës për t’u siguruar që pas kaq viteve, të paktën një çështje siç është ajo e pastrimit, ta kemi vënë në binarë në Tiranë”, u shpreh ai.

 Administratori i “Eco Tirana”, Diego Testi, vlerësoi këtë projekt të nisur nga Bashkia e Tiranës, ndërsa sqaroi se fushata e ndërgjegjësimit me nxënësit do të vijojë edhe muajin e ardhshëm, si përçuesit më të mirë të mesazhit. “Sot fillojmë punën për nismën e kërkuar nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, për diferencimin e mbetjeve në Tiranë. E nisim me fëmijët sepse ata janë e ardhmja. U kërkojmë atyre që të këshillojnë familjet, se si të diferencojnë mbetjet në burim dhe si të fillojmë këtë operacion në rrugë të ndryshme, për një të ardhme më të mirë. Do të vijojmë me dëgjesa të ndryshme edhe në muajin e ardhshëm. 144 mijë fëmijë do të marrin informacion në të gjitha shkollat publike dhe private në qendër të qytetit, kjo falë bashkëpunimit me mësuesit e institucioneve arsimore”, tha Testi.