Nis ndërtimi i parkimit nëntokësor

Shumë shpejt qytetit të Tiranës do t’i shtohet një parkim i ri nëntokësor, i cili bashkë me atë që po ndërtohet në fillim të Bulevardit të Ri, do të rrisë ndjeshëm kapacitetet e parkimit në qendër të kryeqytetit. Gjatë inspektimit të punimeve për zbatimin e projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej”, të cilat prej dy muajsh po ecin me ritme të shpejta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ky projekt është tregues i mënyrës se si projektohet Tirana moderne, ku hapësirat publike u kushtohen njerëzve.

“Sapo kemi nisur parkingun e dytë publik nëntokësor të Bashkisë së Tiranës. Parkingu i parë po ndërtohet në fillim të Bulevardit të Ri, i cili do të mbarojë në fillim të Vitit të Ri, kurse ky në Sheshin Skënderbej do të përfundojë në muajin Mars. Do të ketë 300 vende parkimi, një mënyrë ideale për ta lënë makinën për ata që i lidh puna me institucionet kryesore rreth sheshit. Kjo është mënyra se si projektojmë Tiranën moderne, ku hapësirat publike u kushtohen njerëzve, jo makinave”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai u shpreh se vetëm në qendrën e Tiranës, me dy parkingjet publike nëntokësore të bashkisë dhe 4-5 të hoteleve të reja, qendrave tregtare dhe xhamisë së re, kjo zonë do të ketë 2000-2500 vende parkimi. “Pra, nuk ka më asnjë alibi pse dikush duhet të vijë me makinë vërdallë për të bërë 100 ose 200 metra rrugë nga kafja në kafe, ose nga institucioni në institucion”. Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh entuziast për ecurinë e punimeve në Sheshin “Skënderbej”, i cili parashikohet të përfundojë në verën e 2017.

“Jam shumë entuziast me mënyrën se si kanë shkuar punimet, me një ritëm fantastik. Kemi vetëm dy muaj që kemi filluar dhe një pjesë e madhe e sheshit po konturohet. Kemi filluar me porositjen e pllakave, të cilat do të vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Mezi pres që me të mbaruar parkimin të fillojmë edhe me shtrimin e sheshit, dhe pranvera tjetër të na gjejë të përfunduar me projektin më të madh infrastrukturor, atë të Tiranës moderne”, tha ai. Veliaj falenderoi qytetarët për mirëkuptimin në lidhje me trafikun, duke theksuar se kur bashkëpunojnë të gjithë, mund të arrihet një koordinim i mirë i lëvizjes në qytet, pa cenuar ritmin e ditës.

Duke u ndalur te reshjet e dendura, të cilat priten të përfshijnë kryeqytetin këtë javë, kryetari Veliaj garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe prej ditës së sotme, 1800 punonjës të bashkisë janë në gatishmëri të plotë. “E gjithë Bashkia e Tiranës është në gatishmëri. Kemi 1800 veta staf në terren, që po merren kryesisht me pastrimin e kanalizimeve. Duhet të kuptojmë që në ditë shirash kërkohet ndihmë nga të gjithë. Ky nuk është momenti për të vënë gishtin se kush e shkaktoi shiun, por për të bashkëpunuar dhe bashkëpunimi që pritet nga qytetarët është që në qoftë se kanë emergjenca dhe kjo është më e rëndësishmja, numri 112 është në dispozicion të Policisë, të Zjarrfikëses dhe të ambulancave. Në qoftë se kanë lëvizje të shkurtra, i ftojmë t’i reduktojnë këto lëvizje ose t’i bëjnë në këmbë sepse shtimi i trafikut na bllokon. E mbi të gjitha dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të mos ndotin”, tha ai.

Veliaj kërkoi nga qytetarët që të mbajnë pastër qytetin, ndërsa i ftoi ata që në 13 Nëntor të bëhen pjesë e aksionit për pastrimin e përgjithshëm vullnetar të Tiranës. “Qeset, ambalazhet që përfundojnë në zgarat  dhe pusetat e qytetit, nuk vijnë nga një fuqi e mbinatyrshme, as nga armiqtë imagjinarë; janë mbeturina që i prodhojmë vetë. Ndaj u kërkoj qytetarëve, që ndërsa bashkia bën maksimumin për pastrimin e kanalizimeve të qytetit, të jenë bashkëpunues dhe mbeturinat t’i hedhin në koshat e përcaktuar dhe jo në kanalizime apo në rrugët e qytetit, të cilat na shkaktojnë bllokime. Falenderoj qytetarët për bashkëpunimin që kanë treguar edhe në emergjencat e tjera, si dhe t’i ftoj për datën 13 nëntor, që përpara se të festojmë festën e Pavarësisë dhe Çlirimit, të arrijmë pavarësinë dhe çlirimin nga plehrat, e në datën 13 nëntor, të kemi një pastrim të përgjithshëm dhe vullnetar për pastrimin e Tiranës”, tha Veliaj.