Nis ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit

Me investimin e fundit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në rrugën “Besim Imami”, 700 banorë të kësaj zone nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të kryerjes së punimeve nga UKT në zonën pranë Myslym Shyrit, tha se është mëkat që vitet e fundit, kjo zonë kaq afër qendrës së Tiranës, është lënë në mëshirë të fatit. “Mbaj mend kur erdha këtu në fushatë dhe gjendja ishte një baltovinë, furnizimi me ujë një mizerie, ndërkohë që të gjitha cepat e pallateve ishin zënë me gjirize, lloj-lloj ndërtimesh pa leje dhe me një infrastrukturë që linte për të dëshiruar”, kujtoi Veliaj.

Por, kryebashkiaku i Tiranes tha se bashkia ka nisur transformimin e zonës. “Iu përgjigjëm thirrjes së disa banorëve të cilët, kanë vërejtur se bashkia po bën investime si në infrastrukturën sipërfaqësore, ashtu edhe në atë nëntokësore. Aktualisht, po bëjmë rrjetin e ri të ujësjellësit, mandej do të vijojmë me urbanizimin, asfaltin, trotuaret, dhe hapësirat e sheshet mes pallateve”, sqaroi Veliaj.

Ai theksoi se mentaliteti i ri i bashkisë është t’u shërbejë më shumë banoreve që janë më korrektë me pagesën e taksave, energjisë elektrike dhe ujit. “Bashkia, qeveria, qyteti, duhet të investojë aty ku edhe qytetarët janë më korrektë. Ndaj edhe më vjen mirë që u jemi përgjigjur qytetarëve korrektë të kësaj lagje, që kanë kryer të gjitha pagesat ndaj Bashkisë, me investimin përkatës, në mënyrë qe çdo qytetar të shohë se si ato taksa modeste përkthehen menjëherë në investime tek lagjja e territori i vet”, vijoi ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë korrekte me pagesat e ujit pasi ato përkthehen në investime. “Është hera e parë që kemi një ndërmarrje e cila del nga humbjet. UKT nuk ka më humbje, të paktën financiare, edhe pse ka ende shumë humbje në sasi uji. Do të thotë që në çdo investim të ri shmangim çarjet, shpimet që janë bërë në rrjetin ekzistues, për t’u siguruar që uji shkon së pari me presion dhe me orar më të zgjatur aty ku paguhet plotësisht dhe pastaj sigurisht do ndihmojmë edhe gjithë të tjerët”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se qyteti po i largohet kohës së furnizimit me bote, pasi po vjen koha e njerëzve që e paguajnë ujin dhe marrin shërbimin që duhet. “Vetëm vitin e fundit ne kemi shkuar në një mesatare të furnizimit të qytetit nga 7-8 orë në ditë, në 12-13 dhe disa raste 14 orë. Dy-tre projekte pilot po funksionojnë me 24 orë, por që të shkojmë tek e gjithë Tirana me ujë 24 orë, duhet që qytetarët të bëjnë pagesat në kohë të ujit”, theksoi Veliaj. Ai sqaroi se për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë njëherësh detyrimet e pashlyera, ofrohet mundësia e lidhjes së një marrëveshje midis UKT dhe çdo konsumatori që kërkon ta paguajë me këste debinë e mbledhur. “Ata që janë më të vonuar dhe janë debitorë në kohë të gjatë, duhet të përfitojnë nga oferta e UKT, për të paguar vetëm 2000 lekë në muaj, si një mënyrë për të filluar gradualisht të ulin debinë, për të shmangur kamatë-vonesat dhe për t’u siguruar që janë në rregull me Bashkinë, që pastaj të kenë mundësi dhe të kërkojnë investime edhe në lagjen e tyre”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa theksoi se në disa zona si Yzberishti, Ali Demi apo Kodra e Priftit, situata me furnizimin me ujë është normalizuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kërkoi nga qytetarët që banojnë në zonat e fshatit që të kursejnë dhe mos e keqpërdorin atë për vaditje. Ai sqaroi se Bashkia e Tiranës punon intensivisht për të hapur të gjitha kanalet vaditëse e kulluese dhe është mëkat që të ujitet me ujë të pijshëm, ndërkohë që njerëzit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në zonat urbane dhe në qytet. “Për sa kohë që Bashkia po hap kanalet vaditëse e kulluese në të gjitha zonat rurale, që parcelat të furnizohen me ujë rezervuari e ujë shiu dhe jo me ujë të pijshëm, besoj që kemi të gjitha arsyet për të kërkuar që të ndalohet kjo praktikë. Do të vazhdojmë me gjobat ndaj personave që e përdorin për lavazh ose për të ujitur parcelën, kur Bashkia sapo ua ka hapur kanalin vaditës e kullues në fshat”, përfundoi Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i UKT, Redi Molla, tha se ky është një investim që bëhet nga Bashkia e Tiranës për rikualifikimin e këtij blloku dhe është një nga shembujt e mirë të bashkëpunimit mes dy institucioneve. “Pas një sinjalizimi të banorëve të zonës që rrjeti i ujësjellësit ishte amortizuar, po bëjmë një ndërhyrje për ndërrimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit me një rrjet të ri”, u shpreh Molla.

Përfundimi i projektit të rikonstruksionit të linjës së ujësjellësit në rrugën “Besim Imami”, eliminon humbjet e mëdha që shkaktoheshin nga amortizimi i këtij rrjeti, i cili është i ndërtuar para viteve 1980. Nga investimi që po kryhet, rreth 700 banorë të këtij blloku banimi, tashmë përfitojnë një shërbim më cilësor të furnizimit me ujë. Nga ky investim, përfitojnë edhe nxënësit e shkollës “Faik Konica”, e cila ndodhet në këtë lagje. Punimet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit, do të pasohen nga investimi i Bashkisë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore.