Nis ndërtimi i urës së Mënikut në Njësinë Administrative të Ndroqit

Një tjetër premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale nga Bashkia e Tiranës, po bëhet realitet. Shqetësimi disa vjeçar i banorëve të Mënikut në Njësinë Administrative të Ndroqit për urën që lidh dy anët e këtij fshati, po merr zgjidhje përfundimtare. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e urës së re, e cila do jetë në shërbim jo vetëm të kalimtarëve, por edhe të automjeteve, dhe do të shërbejë për të afruar më shumë banorët dhe produktet bujqësore të zonës me tregjet në Tiranë. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

 “Jam këtu që të mbaj fjalën! Para një viti e gjysmë dhamë fjalën në këtë komunitet, që një nga investimet do të ishte në urën e Mënikut, një urë e cila lidh 1200 banorë, njerëz punëtorë, të ndershëm, që merren me bujqësi, por që ishin totalisht të ndërprerë nga pjesa tjetër e civilizimit që përfaqëson Bashkia e Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se ajo do t’i shërbejë banorëve për të qenë më afër shërbimeve, por më së shumti do t’i shërbejë transportit të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt Tiranës.

 “Kjo është një ndër luginat më pjellore, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri; është lugina e Erzenit, ku rriten shumica e produkteve bujqësore që furnizon territorin e Tiranës. Është mëkat, fatkeqësi që jemi vonuar kaq shumë, por siç thotë shprehja: “Më mirë vonë se kurrë”! Ndaj, sot fillojmë një projekt i cili do të mbarojë për dy-tre muaj, që është vendosja e gjithë infrastrukturës së këmbëve të urës dhe bazamentit në 60 metra në lumin Erzen. Shpresoj shumë që pranvera të na gjejë me urën e mbaruar, që produktet bujqësore të mos vijnë me kaq sakrificë për të kapur tregun në Tiranë, por të jenë të aksesueshme përmes kësaj ure”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku bëri të ditur se ura do të ndihmojë banorët e Mënikut që të mos preken dhe të mos vuajnë pasojat e emergjencave apo kapriçot e motit.

 “Këto kanë qenë disa ditë të vështira dhe besoj se të gjithë kemi kuptuar, që pavarësisht gatishmërisë, kemi nevojë për një infrastrukturë që ndihmon në aksesin në spitale, në shkollë, ndërhyrjet e shpejta që shpëton jetët e njerëzve, sidomos në ditë të ftohta si këto të dimrit. Më vjen mirë që kur të vijnë problemet e radhës, Mëniku nuk do të jetë më një lagje e ndarë nga pjesa tjetër e Ndroqit dhe Tiranës, por do të jetë një lagje që është vetëm 60 metra larg pjesës tjetër që do ta mundësojë zhvillimi e ndërtimi i kësaj ure”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Ai përsëriti edhe një herë thirrjen se nisur nga situata e të ftohtit që ka përfshirë vendin, qytetarët të bëjnë kujdes deri në kalimin përfundimtar të kësaj emergjence.

 “Më e keqja ka kaluar, por kemi edhe dy ditë të vështira, ndaj do ju kërkoj qytetarëve mobilizim për këto dy ditë të fundit të këtij moti të acartë. Është shumë e rëndësishme që mbrëmë kemi strehuar 193 banorë, kryesisht nga rrethe të tjera në situatë rruge, të pastrehë ose për një arsye apo një tjetër nuk kanë qenë pranë banesës së tyre. Do vazhdojmë ta bëjmë edhe në ditët në vijim, megjithatë na duhet që dhe këto dy ditë, me solidaritet, dashuri, përkushtim, për të mbyllur me sukses menaxhimin e një krize ndoshta nga më të rrallat e qytetit të Tiranës, për shkak të motit dhe gjithë kushteve atmosferike!”, tha Veliaj.

 Deputetja e PS, Arjeta Alhysa u shpreh se ndërtimi i urës ishte një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të Mënikut, të cilët prej vitesh detyroheshin të rrezikonin edhe jetën për të kaluar lumin Erzen. “Sot, për banorët e fshatit Mënik është një ditë e shënuar, për vetë faktin se është një problem me vite që ka ky fshat, ku banorët kanë vuajtur për një pjesë të urës, ku nuk mund të plotësonin as gjërat e tyre më të domosdoshme jetike. Me këtë fillim të mbarë, tregojmë se jo vetëm reforma territoriale ishte mjaft e domosdoshme, për ne si njësi administrative. Kemi 25 vjet që kjo njësi administrative, nuk ka njohur asnjë lloj investimi”, tha Alhysa.

 Ura e re pritet përfundojë brenda dy muajve dhe punimet do të kryhen në dy faza: gërmimi i dheut, vendosja e dhjetë pilotave, jastëkëve, blloqeve të betonit dhe barrierat përkatëse dhe më pas në fazën e dytë do të realizohet mbistruktura apo pjesa kaluese. Ura do të ketë një gjatësi 60 metra dhe një gjerësi 6 metra, ndërkohë që do të ketë një lartësi nga niveli i ujit prej 4 metrash. Ura ekzistuese ishte një urë e varur dhe shërbente vetëm për këmbësorët. Prej disa vitesh ajo për shkak të dëmtimeve ishte bërë një rrezik dhe thuajse kishte dalë jashtë përdorimit. Shpesh herë ajo ishte bërë shkak edhe për protesta të banorëve.