Nis ndërtimi i urës së re të Selitës

Merr zgjidhje trafiku i mjeteve në një nyje tjetër problematike, siç është ajo në urën e Selitës, e cila lidh Bulevardin “Bajram Curri” me Bulevardin “Gjergj Fishta”. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e një ure të re me përmasa gati tre herë më të mëdha se ekzistuesja, e cila synon të lehtësojë dhe rregullojë trafikun e mjeteve dhe këmbësorëve në të dyja anët e Lanës. Nisjen e punimeve e inspektoi sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, si dhe drejtues të tjerë të njësive Administrative Nr. 5 dhe Nr. 7, që janë përfituese direkte nga ky investim.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi këtë investim të një rëndësie të madhe, pasi prej tij do të përfitojnë jo vetëm dy lagjet më të populluara të Tiranës, por edhe qytetarët të cilët që zgjedhin këtë segment për të dalë nga Tirana në drejtim të Durrësit. “Në 30 korrik mbushet një vit nga marrja e detyrës, e më vjen mirë që po fillojmë një projekt tjetër të rëndësishëm për qytetin, i cili lidh dy lagjet më të populluara të Tiranës, pra zonën e Selitës dhe 21 Dhjetorit. Është një hapësirë e cila ka pasur prej kohësh nevojë për ndërhyrje, sidomos në kohën e shirave kur kalimi në këtë urë bëhet jashtëzakonisht problematik kalimi”, tha Veliaj. Ai shtoi se bashkia synon t’i mbyllë punimet deri në vjeshtë.

“Kompania ka marrë përsipër që ta përgjysmojë kohën që i duhet për ta mbaruar projektin. Besoj se punimet do të përfundojnë brenda 3 muajve, në mënyrë që shirat e parë të vjeshtës ta gjejnë urën e përfunduar dhe ngërçi më i madh i trafikut në këtë zonë të marrë zgjidhje përfundimtare”, u shpreh kryetari i bashkisë. Ai tha se ky është vetëm një nga investimet e parashikuara mbi lumin e Lanës që i vijnë në ndihmë trafikut, duke shtuar se janë parashikuar edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera. “Kjo është vetëm ura e parë ku ne po ndërhyjmë, ura e dytë do të jetë ajo tek ekspozita “Shqipëria Sot”; një urë këmbësorësh, e cila siç keni vënë re ka luhatje, ndaj do të jetë ura e dytë ku do të ndërhyjmë. Do të vazhdojmë me rehabilitimin e Lanës edhe përtej Maternitetit të Ri, por edhe përtej Pallatit me shigjeta”, tha Veliaj.

Sipas tij, ndërhyrjet e tjera në zonën e Lanës lidhen me disiplinimin e ujërave të zeza, të cilat derdhen në lumë. “Aktualisht jemi i vetmi kryeqytet në Evropë i cili kanalet e zeza i derdh në lumë. Kjo është një problematikë e trashëguar ndër vite, që nuk zgjidhet brenda vitit të parë, por në vjeshtë do të fillojmë investimin për të pasur kanalizimet poshtë Unazës, për të mos i derdhur më ujërat e zeza në Lanë. Mandej, do të përfundojnë në impiantin e ujërave të zeza në Kashar, ku pasi filtrohen, pjesa e ujit që filtrohet përdoret në bujqësi, kurse pjesa e pastër derdhët në lumë. Kështu i japim zgjidhje njëherë e mirë përgjigje problemit që kemi me ndotjen dhe ujërat e zeza në qytetin e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Nga ana e tij, deputeti i PS, Pandeli Majko, theksoi se edhe ky investim është një tregues tjetër i faktit se Njësia Administrative nr. 5 është kthyer në një kantier të vërtetë investimesh publike. “Mendoj se kjo është pjesë e projektit të madh të investimeve që po bëhen në këtë zonë, e bashkëlidhur me Unazën. Punët janë duke ecur përtej parashikimeve normale. Kjo pa diskutim do i shërbejë komunitetit qoftë të Njësisë 5, qoftë të njësive të tjera, pasi kjo urë ka qenë gangrenë historike e lëvizjes së makinave në këtë zonë. Jam shumë entuziast, sidomos për faktin që do të ndërtohet përtej afatit që është vendosur. Sa më shpejt t’i vihet në dispozicion komunitetit, aq më mirë është!”, tha Majko.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i kësaj ure lehtëson disiplinimin e trafikut, si dhe lëvizjen e mjeteve dhe këmbësoreve. Ura ekzistuese është një urë me gjatësi 20 metra, dhe me gjerësi të mbistrukturës prej 7 metra pjesë kaluese dhe dy trotuare nga 1.5m. Ndërkohë, ura e re do të ketë një gjerësi totale prej 20 metra, me pjesë kaluese 2×7 metra dhe 1 metër trafikndarëse. Gjithashtu ura do të ketë dhe dy trotuare me 2.5 metra gjerësi.