Nis rikonstruktimi i liceut “Jordan Misja” dhe rindërtimi i shkolles “Kosova”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e plotë të liceut “Jordan Misja”. Gjatë inspektimit, kryebashkiaku tha se kjo është një nga shkollat më të rëndësishme të Tiranës, e megjithatë aty nuk është investuar prej vitesh.

“Megjithatë, kjo shkollë, e cila ka mbetur në këtë situatë, na bën të gjithëve me turp. Madje, ajo jo vetëm që nuk i ka kapacitetet e nevojshme, por i duhet të mbajë edhe kapacitetin e shkollës ‘Kosova’, e cila u dogj me synimin për t’u bërë pallat”, tha Veliaj. Ai falenderoi të gjithë mësuesit e liceut dhe ekipin drejtues, të cilët edhe pse në kushte të vështira punojnë pa u lodhur, për t’u siguruar që më të mirët e vendit tonë të kenë një shans për të provuar se kanë talent.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se për shkollat “Jordan Misja” dhe “Kosova” janë marrë dy vendime të rëndësishme. “Ne do ta rikonstruktojmë plotësisht liceun, i cili do të jetë një ndër shkollat më të bukura në Shqipëri. Nga 9 muaj që janë parashikuar punimet, do e çojmë kalendarin në 6 muaj, që shtatori të na gjejë me ambiente të reja dhe nxënësit të kenë mundësi që vitin tjetër të shijojnë ambientet e reja të shkollës”, tha Veliaj. Ai sqaroi se në këtë shkollë do të ketë edhe një hapësirë për shfaqje koncertale, si dhe infrastrukturën e nevojshme sportive e mësimore, për më shumë cilësi.

Kryebashkiaku tha se vendimi i dytë që sapo është marrë ka të bëjë me shpronësimin e terrenit përballë shkollës “Kosova”. “Së pari, kemi nevojë për shkollën “Kosova”, që liceu të lirohet nga mbingarkesa; së dyti, për të dhënë një leksion shumë të rëndësishëm, që askush në qytetin tonë nuk duhet të guxojë të djegë një shkollë, për të bërë pallat. Kjo do të thotë se nga sot, me kompensimin që u bëjmë pronarëve, japim edhe një leksion të rëndësishëm që në qytet vlerësojmë më shumë shkollat se sa pallatet”, deklaroi Veliaj.

Më tej, ai tha se në këtë klimë të mbingarkuar, ku të gjithë kërkojnë të hapin debat politik për gjithçka, Bashkia e Tiranës është shumë e qartë: “Ne do të ndërtojmë çerdhet, kopshtet, shkollat dhe këndet e lojërave për fëmijë. Është e vetmja mënyrë se si ndërrojmë fokusin nga zgjedhjet e ardhshme te fokusi për gjeneratën e ardhshme. Unë nuk jam këtu që të zgjidhem herën tjetër, unë jam këtu që gjenerata e ardhshme të thotë që gjatë kësaj administrate morëm vendime të rëndësishme për fëmijët dhe jo për partitë”, përfundoi Veliaj.

Liceu artistik “Jordan Misja” është krijuar në janar të vitit 1947. Aktualisht janë mbi 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore. Objekti kërkon një vëmendje të veçantë në restaurim, pasi është mjaft i amortizuar dhe me lagështi. Vlera e objektit është   83.069.501,82 lekë.