Rrjet i ri i kanalizimeve të ujërave të zeza ne Shkozë

Rreth 400 familje që jetojnë në zonën e ish Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë nuk do t’i derdhin më ujërat e zeza në gropa apo në rrugë, siç kanë qenë të detyruar të veprojnë deri më sot. Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime kanë nisur zbatimin e projektit për shtrimin për herë të parë në këtë zonë të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza. Punimet u ndoqën nga afër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se puna e bashkisë nuk është përqendruar vetëm në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe në kanalizimin e ujërave të zeza.

“Në këtë zonë të Uzinës së vjetër, vetëm në adresë ishte Tiranë, sepse jetesa nuk ishte si në Tiranë. Duke ardhur në këtë rrugicë, ujërat e zeza që dilnin nga banesat shkonin në gropa septike të tejmbushura, çka nuk ishte aspak një gjendje dinjitoze për qytetarët. Ndaj më vjen mirë që, përveçse kemi rritur furnizimin me ujë të pijshëm, sigurohemi që edhe ujërat e zeza të kenë kanalizimet e nevojshme. Më vjen mirë që në fund të këtij muaji, për 400 familje do të kemi realisht një cilësi më të mirë të jetesës”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai konfirmoi se falë investimeve, por edhe një menaxhimi shumë herë më të mirë të UKT-së, sot kjo ndërmarrje ka një bilanc shumë më pozitiv, çka sipas tij ka sjellë edhe interesimin e kompanive të ndryshme për ta privatizuar.

“Kemi marrë disa oferta dhe shprehje interesi. Jemi ende në një proces negociatash dhe dua t’i garantoj qytetarët që do të bëjmë më të mirën, derisa të bindemi që kemi marrë ofertën më të mirë për UKT-në. Së pari, ky është një kompliment për punën e UKT-së, është e para kompani nga 61 ujësjellësit e bashkive e reja që merr një vlerësim të tillë dhe po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët, që janë shumë më të përgjegjshëm me përdorimin e ujit të pijshëm, dhe faktit që është dyfishuar nga 6-7 orë në 13-14 orë furnizimi me ujë në Tiranë”, u shpreh Veliaj. Por, ai ka garantuar qytetarët e Tiranës se nëse ky privatizim do të kryhet me sukses, ai do të ketë vetëm efekte më të mira në furnizimin me ujë të të gjitha familjeve dhe bizneseve, dhe nga ana tjetër nuk do të ketë asnjë ndikim në çmimin e ujit.

“Së pari, kjo nuk e impakton çmimin e shitjes së ujit të pijshëm. Ky është një çmim i cili caktohet nga enti rregullator, ashtu si çmimi i energjisë; pra, nuk ka të bëjë fare kush e ka paketën e aksionarëve në kompani sepse çmimi caktohet nga Enti Shtetëror i Ujit. Së dyti, i garantoj qytetarët që çdo qindarkë që vjen nga një negociatë e suksesshme do të përkthehet automatikisht në investime për qytetin e Tiranës dhe besoj se shumë shpejt do të kemi mundësi t’i shikojmë dukun gjithë kësaj pune që është bërë”, theksoi kryetari i bashkisë.

Duke iu referuar problemit të djeshëm në Rrugën e Elbasanit me çarjen e një tubi të ujit, Veliaj shtoi se problemi teknik i një dite më parë u shkaktua pikërisht prej rrjetit të amortizuar në Tiranë, çka sipas tij tregon se sa të rëndësishme janë për kryeqytetin të gjitha investimet që po bën Bashkia e Tiranës dhe UKT në këtë drejtim, në të paktën 40 zona të ndryshme.

“Ajo që pamë dje ishte një rast konkret ku shtimi i ujit prej depove të reja që janë bërë, prej rritjes së presionit, kanalizimeve dhe akseve kryesore dhe tubacioneve kryesore që kalojnë në lumin Tiranë bënë që në disa pjesë të amortizuara të kemi defekte të kësaj natyre. Më vjen mirë që u mbyll brenda një ore, por besoj që me rritjen e furnizimit të ujit po zbulojmë se sa e amortizuar është Tirana dhe se sa më shumë duhet të vazhdojmë të investojmë. Sigurisht, kur punohet zbulohet edhe se çfarë anomalish kemi trashëguar”, tha Veliaj. Në kuadër të investimeve kyçe që po kryen në gjithë Tiranën, Bashkia dhe UKT janë fokusuar jo vetëm në përmirësimin e vazhdueshëm dhe investimet në rrjetin e ujësjellësit, por edhe në atë të kanalizimeve.

Në këtë kuadër ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në zonën e ish Uzinës së Autotraktorëve, e cila kufizohet nga rruga “Ali Shefqeti” dhe lumi i Lanës. Në përgjithësi kjo është një zonë me objekte të ish-uzinës autotraktori, të cilat janë përshtatur nga banorët si objekte banimi 1 deri në 2 kate dhe ku shkarkimi i ujërave të zeza i objekteve është bërë në mënyrë individuale nga banorët në tubacionet ekzistuese të ish uzinës, çka ka bërë që herë pas here në këtë zonë të ketë probleme me daljen e ujërave të zeza në sipërfaqe. Tashmë, është parashikuar të shtrohen një deri në dy tubacione sipas projektit të paraqitur, të cilat do mbledhin të gjitha shkarkimet e banesave të kësaj zone, që më pas do të shkarkojnë në kolektorin kryesor.