Nisën hipotekimet e pallateve të Tiranës pas 5 vitesh

Bashkia e Tiranës ka nisur të bëj realitet një tjetër premtim, zgjidhjen e problemit të hipotekimit të pallateve që për arsye të ndryshme nuk kishin mundur të regjistroheshin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë e mundur zgjidhja e problematikës për pallatet e para dhe regjistrimi i tyre. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe kreu i ZRPP-së, Ilirian Muho, kanë shpërndarë sot certifikatat e para të pronësisë për 1352 familje që kanë apartamentet e tyre në 14 pallate. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranë e ka cilësuar këtë një moment rëndësishëm për qytetin e Tiranës pasi nis t’i jepet një zgjidhje një problemi të mbartur prej vitesh dhe që administrata e mëparshme pavarësisht premtimeve nuk kishte arritur të bënte asgjë.

“Sot mbajmë një premtim që e kishim dhënë që gjatë fushatës, që do të gjenim të gjithë mekanizmat ligjorë për të zhbllokuar 300 pallate që janë të pa hipotekuara në Tiranë. Lajmi i mirë nuk është udhëzimi, lajmi i mirë është rezultati që sot ne fillojmë me 20 pallatet e para për 1352 familje në Tiranë. 14 pallate të cilat janë sot me një vlerë rreth 140 milionë euro, siç i kemi llogaritur, të cilat sot marrin vlerë në treg”, tha Veliaj. Më tej, ai shtoi se me marrjen e certifikatës së pasurisë, tashmë banorët e këtyre apartamenteve i japin realisht vlerë pronës së tyre, pasi do mund ta përdorin atë për çdo marrëdhënie ligjore, si shitje, dhënie me qira, vënien si kolateral për marrje kredie etj,.

“Pas shpërndarjes së certifikatave, të këtyre hipotekave sot, secili mund të shkojë në një bankë dhe të marrë një kredi në të njëjtën vlerë siç është pallati. Secili mund ta trajtojë këtë për një investim tjetër, mund ta japë me qira, mund ta vendosë si kolateral në një marrëveshje dhe besoj që sot duke çliruar këtë lloj energjie, kemi dhënë një fuqizim shumë të nevojshëm për ekonominë e Tiranës sot. Të mbash peng pallatet në Tiranë do të thotë që të mbash peng ekonominë dhe mos zhvillosh pronën”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi gjithashtu se pavarësisht vështirësive që hasen si pasojë e abuzimeve të shumta që kanë bërë ndërtuesit, Bashkia e Tiranës është e vendosur që të përballet me këtë problem dhe t’i japë qytetarëve mundësinë që t’i japin vlerë pronës së tyre.

Në total janë afro 300 pallate me mbi 20 mijë familje të cilat për vite të tëra nuk kanë mundur të regjistrohen, të cilat sipas kryebashkiakut, janë një pasuri kolosale e bllokuar dhe e pamundur të futet në tregun imobilar. “T’ju bëj një llogari të thjeshtë për ata që janë ndërtues, vlera në treg e një pallati është rreth 10 milionë dollarë. 300 pallate të pa hipotekuara, do të thotë të pavlerësuara dhe të paregjistruara pra jo ekzistente në treg, do të thotë 3 miliardë dollarë në qytetin e Tiranës që nuk figurojnë askund. Ekzistojnë si vlerë fizike, por nuk kanë asnjë vlerë formale. Nuk shkon dot në bankë të marrësh një kredi, nuk i shet dot, nuk i jep dot me qira të rregullta. Kjo do të thotë që në qytetin e Tiranës sot ka 3 miliardë dollarë të ngrira vetëm prej këtij ngërçi”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku ka bërë të ditur gjithashtu se tashmë asnjë ndërtues nuk do marr më leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës pa hipotekuar pallatet që ka ndërtuar më parë. “Në të ardhmen për ata ndërtues që me politikën e ditës kishin gjetur një marrëveshje ku pavarësisht nga fajet që kishin bërë, vazhdonin dhe merrnin leje nga politikanët e bashkive, vazhdonin dhe merrnin tendera publik, sot kemi vendosur në Bashkinë e Tiranës që asnjë ndërtues që nuk përfundon hipotekën e pallatit të vet dhe që nuk respekton ligjet e lejeve që ka marrë më parë, pa pyetur fare kush ka qenë kryetar bashkie, nuk do të marrë më leje. Është shumë e thjeshtë, është e vetmja mënyrë si t’u themi këtyre njerëzve që, nëse doni marrëdhënie korrekte me shtetin, jini korrektë me qytetarët, që ne të jemi korrektë me ju”, deklaroi Veliaj.

Gjatë këtij takimi u prezantua edhe udhëzimi nr. 1, datë 13.4.2016 “Për caktimin e kritereve e të procedurave për regjistrimin e lejes së ndërtimit a dhe akteve noteriale të lidhura për zhvillim, në cilësinë e investitorit e të pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, të objektit në fazën e karabinasë dhe të objektit të përfunduar”. Referuar pikërisht këtij udhëzimi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se ai shmang mundësinë që një pronë të shitet më shumë se 1 personi dhe gjithashtu i kalon barrën e përgatitjes së dokumentacionit institucioneve shtetërore.

“Ftesa ime për të gjithë ju është, mos pranoni të bëni asnjë kontratë askund përveç se te zyra e noterit, askund tjetër. Ky është momenti që fillon dhe marrim ne përgjegjësi për pronën tuaj. Kushdo që të bëjë një transaksion, do vendosi shenjën e gishtit në pajisjen e posaçme, që provon që personi ka qenë prezent dhe në jetë të jetëve që nga ky moment që paraqitet personi tek zyra e noterit, nuk ka më burrë nënë ta verë në diskutim legjitimitetin e atij dokumenti. Nuk është puna e qytetarit që të plotësojë dokumente nuk e ka më barrën ai njeriu që ka shkuar tek noteri për të nënshkruar kontratën, është barrë e Z.R.P.P është barrë e bashkisë që të provojë me dokumentacion që ky dokument është i rregullt”, u shpreh Manjani.