Nisin konsultimet publike për Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës

Bashkia e Tiranës nisi sot nga Kombinati dëgjesat publike për Planin e Përgjithshëm Vendor, “Tirana030”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe hartuesit e draftit të parë të planit diskutuan mundësitë e zhvillimit të kryeqytetit, ku prioritet nuk do jenë ndërtimet, por zhvillimi ekonomik, turistik, mjedisor dhe lëvizshmëria në qytet. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se ky tur dëgjesash nisi nga Kombinati për faktin se kjo zonë, duke përfshirë edhe Misto Mamen dhe Yzberishtin, do të jetë zona e cila në vizionin e Planit të Përgjithshëm Vendor do të pësojë transformimin më të madh, për t’u kthyer në një nga polet më interesante të zhvillimit të Tiranës policentrike.

“Propozimi ynë është që të ecim në mënyrë sistematike me Planin e Përgjithshëm Vendor, për të transformuar jo vetëm zonën  e Kombinatit, por edhe pjesët e tjera të Tiranës”, tha Veliaj. Ai theksoi se Kombinati parashikohet të jetë njëri nga 7 polet që do të ketë Tirana e vitit 2030. “Kemi vizionin që këto pole t’i zhvillojmë sikur të ishin qytete më vete. Që ato të ekzistojnë si qytete më vete duhet që të kenë infrastrukturën e nevojshme, po ashtu edhe infrastrukturë shëndetësore e arsimore, apo sistemin bankar dhe industritë e shërbimeve. Më vjen mirë që e fillojmë nga Kombinati sepse i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë një punë të shkëlqyer brenda këtij mandati dhe mandatit tjetër, për t’i dhënë Kombinatit formën e një qyteti brenda qytetit”, theksoi Veliaj.

Lidhur me ndërhyrjet konkrete të draft-planit për Kombinatin, kryebashkiaku i Tiranës tha se parashikon që zona periferike të shndërrohet në polin e dytë industrial të qytetit, pas zonës së autostradës. “Propozimi i parë është që t’i japim zonës së Kombinatit trajtën e një qyteti brenda qytetit, çka do të thotë se do të investojmë më shumë në infrastrukturë, që punëson njerëz. Kjo është arsyeja pse duam që segmenti Kombinat-Vaqarr të shpallet zonë e re industriale. Kemi filluar të inkurajojmë disa kompani, 2-3 kompani gjermane tashmë janë transferuar në këtë segment, që të vendosen në këtë zonë të Tiranës”, tha Veliaj. Për këtë, ai shtoi se është menduar që kompani të ndryshme të nxiten me mënyra të ndryshme që zgjedhin këtë zonë për të transferuar biznesin e tyre.

“Jemi shumë të gatshëm të negociojmë një sistem taksash më favorizues, nëse bizneset do të pranojnë të dalin nga qendra e Tiranës dhe të vijnë këtu, ku taksat janë më të ulëta; pra, të inkurajohen financiarisht. Na ndihmon edhe ne për të rritur punësimin e zonës dhe për t’u siguruar që, në shkëmbim të një politike favorizuese në sistemin e taksave, kompanitë të pranojnë të zhvendosen nga Tirana e tejngarkuar, në një zonë më të lirë si kjo e Kombinatit”, deklaroi ai. Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se një risi tjetër e këtij plani, e cila që prek në mënyrë direkte zonën e Kombinatit, është edhe zhvillimit të parkut të Liqenit të Vaqarrit.

“Kemi nisur projektin fantastik të këndeve të lojërave për fëmijë nëpër lagje, por kjo nuk mjafton. Një ndër arsyet pse Tirana ndihet qytet është se përveç pjesës ku punohet ka edhe një pjesë ku mund të argëtohesh, siç është Parku i Liqenit. Kjo është arsyeja pse kemi nisur projektin e parkut të Vaqarrit. Shumë shpejt do të bëjmë prezantimin e projektit për këtë park”, tha Veliaj. Ai vlerësoi se së bashku me hartuesit e vizionit për Tiranën, përfshirë arkitektin e njohur italian, Stefano Boeri, për të ndryshuar situatën e pastërtisë së ajrit dhe mjedisit, është menduar “rrethimi” i Tiranës me një pyll prej 2 milionë pemësh, të cilin kryebashkiaku e cilësoi si Pylli Orbital.

“Kemi marrë vendimin e guximshëm për ta rrethuar qytetin e Tiranës me një pyll me pemë. Një pjesë e madhe e pyllit orbital do të rrethojë plotësisht zonën e Kombinatit dhe do të ndahet në disa breza. Kombinati, si zonë periferike, është përfituesja kryesore e gjithë segmentit të pyllit orbital që do të rrethoje Tiranën”, tha Veliaj. Kryebashkiaku bëri të ditur se për të stimuluar lëvizjen ekologjike të qytetarëve janë menduar të krijohen segmente rrugore, por edhe hapësira në zona të ndryshme të kryeqytetit, që do t’i kushtohen tërësisht biçikletave apo këmbësorëve.

Ai u ndal edhe në punën e zhvilluar në këto 11 muaj nga Bashkia e Tiranës, ku theksoi se Kombinati ka qenë një nga përfituesit kryesor të saj. Gjithsesi, Veliaj theksoi se në muajt në vazhdim në këtë zonë, në përputhje edhe me idetë që sjellë ky plan, do të bëhen disa ndërhyrje që pritet të rrisin vlerën e pronës. “Kemi disa investime që do t’i fillojmë këtë vit. Investimi i parë ka të bëjë me rrugën në Kombinat. Një rrugë e urbanizuar dhe e pastër i rrit vlerën gjithë pronës në atë zonë. Investimi do të prekë jo vetëm të gjithë rrugën, por do të vazhdojmë nga Kombinati në Sharrë, mandej do të bëjmë edhe një rehabilitim të gjithë varrezave të Sharrës, ashtu siç kemi bërë në Tufinë”, tha Veliaj. Ai u shpreh se pas punës me çerdhet dhe kopshtet do të fillojë puna me shkollat, jo vetëm sa i përket rikonstruksionit, por edhe ndërtimit të tyre.

Veliaj informoi banorët e Kombinatit për vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak, i cili i hapi rrugën procesit të ngritjes së Asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të pallateve. “Asambleja e banorëve do të zgjedhë kryesinë e pallatit, kryesia zgjedh një administrator dhe administratori i pallatit do të ketë një komunikim direkt me administratorin e njësisë, i cili lidhet me bashkinë qendrore për të zgjidhur problematikat e një niveli ku duhet ndërhyrja e bashkisë”, përfundoi Veliaj.