Nisin ndërtimin e 20 shkollave të reja

Bashkia e Tiranës ka vijuar dëgjesat publike me qytetarët për Planin e Përgjithshëm Vendor, me banorët e Njësive Administrative Nr. 5 dhe Nr. 7. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi vizionin dhe strategjinë për kryeqytetin, si dhe idetë zhvillimore që prekin në mënyrë specifike këto dy njësi. Ai theksoi se draft-Plani i Përgjithshëm Vendor është hartuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj dhe parashikon Tiranën e vitit 2030. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky dokument hedh piketat për disa ndërhyrje që do jenë trashëgimi për brezat e ardhshëm, siç është zhvillimi i një Tirane me shumë pole zhvillimi, ndërtimi i infrastrukturës që nxit lëvizjen e shëndetshme të njerëzve, etj.

Në mënyrë më konkrete, Veliaj theksoi se Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parashikon ngritjen e një pylli orbital, i cili do të jetë një mushkëri e gjallë dhe e gjelbër për qytetarët. “Mund të fillojmë që tani të investojmë për një mur të gjelbër të qytetit, i cili do mund ta kufizonte Tiranën urbane. Propozimi ynë është për të mbjellë 2 milionë pemë”, tha ai. Veliaj u shpreh se drafti i Planit të Përgjithshëm Vendor që po diskutohet me banorët, kërkon të orientojë qytetarët e Tiranës drejt një kulture të përdorimit më shumë të mjeteve ekologjike dhe të shëndetshme të lëvizjes se sa makinat.

“Propozimi ynë është që unaza e dytë dhe e katërt të jenë të fokusuara kryesisht te transporti publik, korsitë e biçikletave, korsitë e pedonaleve dhe pistat e vrapimit”, tha ai. Në funksion të mobilitetit, kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se nga diskutimet e deritanishme, jo vetëm me ekspertët, por edhe me përfaqësues të bizneseve të fushës së transportit, është duke u vlerësuar edhe mundësia për të përfshirë në transportin publik edhe autobusët elektrikë, të cilët ndotin më pak ambientin, krahasuar me gazrat e dëmshëm që çliron djegia e karburantit. “Do të fillojmë të fusim konceptin e një transporti të ri me autobusë elektrikë, të cilët nuk ndosin. Kur bashkia futet në garë me kompanitë e transportit, siç po bëjmë me pastrimin e qytetit, rritet dhe cilësia e privatit”, tha Veliaj.

Ai foli edhe për një projekt tjetër madhor për Tiranës, siç është ndërtimi i 20 shkollave të reja. “Është ndoshta ndërtimi më masiv i shkollave në Tiranë, që pas Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk vazhdohet më me shkolla me dy turne. Arsyeja pse të gjithë po paguajmë një kontribut modest, është pikërisht se duam që këto 20 shkolla t’i bëjmë të gjitha njëherësh. Ne kemi bërë një studim, e dimë ekzaktësisht ku janë klasat me dy turne, e dimë ku është dendësia dhe sa distancë duhet të bëjë çdo fëmijë për të shkuar në shkollën më të afërt”, tha Veliaj. Duke u ndalur te ndryshimet që parashikon ky draft-plan për njësitë 5 dhe 7, kryetari i Bashkisë informoi banorët për ngritjen e një pallati të ri sporti në Njësinë Administrative Nr.7.

“Për njësinë 7 plani është që të bëjmë nga e para një arenë të mirëfilltë sportive të lojërave me dorë, që të ketë funksione të ndryshme. Mund të jetë për koncert, për takime, për ndeshje, për salla të stërvitjes. Kështu, e kthejmë zonën e Fushës së Aviacionit në një zonë e cila do të ketë edhe karakter sportiv falë këtij investimi”, shtoi Veliaj. Një investim sportiv me të njëjtat qëllime po bëhet edhe në zonën e Njësisë 5, që është Parku Olimpik. “Në fund të gushtit përfundojnë fushat e lojërave me dorë. Kemi vendosur që edhe federata e futbollit të transferohet aty. Në fund të këtij viti, do të fillojmë me sallën e notit dhe pishinat e mbyllura, që do të kenë përmasa olimpike”, deklaroi Veliaj. Pjesë e diskutimit të planit urbanistik është edhe çështja e administrimit urban të qytetit. Veliaj theksoi se një rëndësi të madhe do t’i kushtohet zgjidhjes së problemit të administratorëve të pallateve, të cilët do ndërmjetësojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes qytetarëve, por edhe do të sinjalizojnë për çdo ndërhyrje në strukturën e pallatit, lulishteve, rrugë etj.

“Ideja është që brenda një viti kalendarik çdo pallat në Tiranë të ketë administratorin e vet. Do të fillojmë me një projekt pilot në njësinë 5, pastaj do ta hapim në të gjithë Tiranën”,  u shprej Veliaj. Ai informoi qytetarët se shumë shpejt do të nisin edhe disa investime që i vijnë në ndihmë si administrimit të qytetit dhe trafikut, ashtu edhe vetë banorëve të këtyre dy njësive. Një prej tyre është edhe ndërtimi i terminalit të ri të autobusëve.