Nisin punimet për ndërtimin e markatës së mishit dhe peshkut

Brenda vitit Tirana do ketë një markatë të re dhe moderne të mishit dhe peshkut. Bashkia e Tiranës nisi sot punimet për ndërtimin e saj, e cila është pjesë e projektit të madh për rikualifikimin e Pazarit të Ri në sheshin “Avni Rustemi”. Të pranishëm në nisjen e punimeve ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, të cilët inspektuan gjithashtu edhe ecurinë e punimeve për gjithë projektin e Pazarit të Ri. Ata vlerësuan ecurinë e punimeve në pjesën e parë të zbatimit të projektit dhe u shprehën të bindur për përfundimin e punimeve brenda afateve të përcaktuara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për kontributin e dhënë, teksa theksoi se puna e nisur do të vijojë me sistemimin dhe kurimin e të gjitha detajeve, për ta kthyer Pazarin e Ri në një nga zonat më të frekuentuara dhe të rëndësishme të Tiranës. “Unë e di se projektet e Bashkisë së Tiranës ngjallin shumë debat dhe gjithmonë ka çështje që ia vlejnë të diskutohen. Jam shumë dakord me debatin, për sa kohë që projektet ecin përpara dhe sa kohë që Tirana zhvillohet. Pazari i Ri është një rast ideal ku, përtej debatit, projekti ka ecur përpara. Rëndësi ka që jemi në drejtimin e duhur dhe projekti po shkon mbarë. Besoj se deri në fund të këtij vitit do të kemi përfunduar totalisht pjesën e tregut të fruta-perimeve, pastaj bashkë me pjesën e markatës së mishit dhe peshkut, e gjithë kjo hapësirë do të funksionojë si një hapësirë për komunitetin gjatë orëve të pasdites, me restorante, muzikë, artizanët, për aktivitete të ndryshme kulturore, nga të cilat Tirana ka shumë kohët e fundit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se projekti jo vetëm që do ta kthejë gjithë këtë zonë në një atraksion turistik për shkak të funksionit që do të marrë në orët e pasdites, duke shërbyer për aktivitete të ndryshme dhe si shëtitore, por edhe do t’i japë vlerë tjetër gjithë pronave rreth Pazarit të Ri. “Kush është banor i zonës së ‘Pazarit të Ri’, te sheshi ‘Avni Rustemi’, i rrugës ‘Qemal Stafa’, tashmë ka një pronë që, sipas agjencive imobiliare, vlen 35% më shumë se sa vlente para një viti. Kaq mjafton për të thënë se investime të tilla ia rrisin vlerën pronës. I jam shumë mirënjohës Fondacionit Shqiptaro-Amerikan sepse provokoi në Tiranë këtë ndryshim, na sfidoi që të bashkoheshim në këtë ide fantastike”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se markata do të funksionojë dhe menaxhohet sipas modelit të një prej tregjeve më të suksesshme londineze, ‘Borough Market’. “Më vjen mirë që bashkë me ne sot është bashkuar edhe një kompani britanike, e cila menaxhon një treg të ngjashëm në Londër, sepse besoj se investimi është fantastik, por pyetja është: Si do të mirëmbahet e menaxhohet? Kjo është diçka të cilën po e mendojmë që në këtë fazë”, tha Veliaj, duke shtuar se paralelisht po bëhet edhe lyerja e të gjitha fasadave të pallateve rreth Pazarit të Ri.

Nga ana e tij, kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, vlerësoi si tejet pozitive progresin e bërë deri më tani nga Bashkia e Tiranës, duke theksuar se i gjithë projekti i Pazarit të Ri synon përmirësimin e situatës së biznesit dhe nxitjen e turizmit në Tiranë. “E di se sa shumë progres është bërë në këtë lloj projekti, e di që këto projekte janë pak a shumë si ajsberg, ku shohim më shumë pjesën e sipërme, por, nuk e dimë se sa punë ka me të vërtetë nën të. Jam jashtëzakonisht shumë i kënaqur që në pak muaj po shohim një investim dhe një zhvillim të tillë në këtë zonë”, deklaroi Granoff.

Gjithashtu, ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm funksionimin partneritetit me Bashkinë e Tiranës në zbatimin e këtij projekti. “Ky projekt nuk do të kishte sukses pa suportin (vullnetin, mbështetjen) e tij. Për të qenë i suksesshëm ky lloj partneriteti ka nevojë që të mos jetë vetëm një emërtim i tillë, por duhet të jetë një frymë partneriteti dhe nuk mendoj se do të ishim këtu pa mbështetjen e krybashkiakut. Jam me të vërtetë mirënjohës për këtë”, përfundoi Granoff.