Një tjetër bllok i rikualifikuar i shtohet Njësisë 7

Banorëve të Njësisë 7 në Tiranë u është shtuar edhe një tjetër bllok i rikualifikuar urban. Banorët që jetojnë përgjatë Rr. “Shefqet Musaraj” kanë tashmë, jo vetëm një rrugë të re, por edhe hapësira tërësisht të sistemuara, që ofrojnë mundësi dhe standarde më të mira urbane. Bashkia e Tiranës përfundoi investimin për ndërtimin e rrugës, si dhe të gjithë bllokut të banimit nr. 22, i cili përbëhet nga banesa 5 katëshe të ndërtuara para viteve ‘80 dhe disa pallate të reja.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shoqërohej edhe nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, vlerësoi faktin se falë vendosmërisë së administratës së re, edhe në këtë lagje u bë prishja e ndërtimeve pa leje që nuk lejonin një komunikim normal të mjeteve dhe njerëzve. “Falenderoj qytetarët të cilët janë treguar të duruar teksa kemi prishur shumë prej ndërtimeve pa leje. Pas gjithë histerive që dëgjojmë, ja ku jemi sot, jetohet më mirë kur prishen pengesat, kur prishen muret, hiqen zaptimet dhe fitohet hapësirë publike, lulishte dhe kënde çlodhëse për qytetarët. Jemi një bashki që ndërton ura dhe hap dyer, e jo mure dhe pengesa”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi mirëkuptimin e banorëve të Tiranës për vështirësitë që mund të hasin si pasojë e këtyre investimeve që po bëhen në gjithë qytetin, por theksoi se ato janë ndërhyrje të nevojshme që synojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës në komunitet. “Kemi hapur 100 kantiere në qytet, ndaj i falenderoj qytetarët në të gjitha pjesët e qytetit, për mirëkuptimin. Janë punë që duhen bërë, të cilave në fakt u kishte kaluar koha”, shtoi Veliaj. Ai ka garantuar qytetarët, se është vetëm çështje kohe që investimet e lagjeve të fillojnë e të prekin edhe njësinë ku jetojnë. Veliaj theksoi se me ndryshimet ligjore, për çdo ndërtim të ri do të jetë përgjegjësi e firmave ndërtuese për të bërë urbanizimin e lagjes dhe zonës përreth.

“Nëse sot, në kushtet e emergjencës, është bashkia ajo që po rehabiliton këto territore mes pallateve, nga tani e tutje, për të gjitha lejet që do jepen me planin e ri urbanistik, kjo do të jetë detyrë e zhvilluesve; pra, të paguajnë taksën e ndërtimit dhe të rregullojnë hapësirat që preken nga zhvillimi i tyre. Ai që ka pak do paguajë pak, por ai që fiton shumë apo që zhvillon shumë, sigurisht do kontribuojë më shumë, si në taksa, si në rehabilitimin e hapësirave publike”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që për arsye apo shkaqe që nuk lidhen me ta, por që kanë të pahipetekuara apartamentet e tyre, të përfitojnë nga mundësia që ofron vendimi i Këshillit Bashkiak për t’i bërë këto prona pasuri të tyre të ligjshme.

“Të gjitha pallatet e pahipotekuara mund të përfitojnë nga amnistia e Këshillit Bashkiak për t’i hipotekuar ato. Mjafton një kërkesë e banorëve dhe e administratorit të pallatit, që bashkisë të vijë të bëjë vlerësimin, kolaudimin dhe pastaj të japim dokumentacionin që këto shtëpi të hipotekohen. Falë këtij vendimi përfitojnë 30% e mijëra pallateve dhe ndërtesave në Tiranë”, tha Veliaj. Ai theksoi se kjo është një mënyrë sesi këto familje këtë pasuri ta kthejnë në një kolateral me anë të të cilit mund të aksesojnë tregun imobiliar për mirëqenien e familjeve të tyre.

Rruga “Shefqet Musaraj” është hapur pas shembjes së murit që e kishte bllokuar atë, duke krijuar mundësi për lëvizjen e banorëve të kësaj zone me akses hyrje-dalje në rrugën dytësore që lidh rrugën e “Kavajës” me bulevardin “Gjegj Fishta”. Në këtë segment janë realizuar punime për rrjetin kanalizimeve dhe ujësjellësit, si dhe në sinjalistikë. Janë kryer punime edhe në shtresat rrugore dhe trotuaret në të dyja anët e saj. Është sistemuar plotësisht blloku i banimit, si dhe janë krijuar vende të reja parkimi. Janë vendosur shtylla metalike me ndriçues dhe janë realizuar punime për gjelbërimin në bllok.