Nis puna për ndërtimin e Unazës së Vogël

Nga dita e sotme, Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin e Unazës së Vogël, një projekt që kishte vite i bllokuar, e që do të pajiset me korsi të dedikuara për biçikletat, autobusët, si dhe me hapësira të bollshme për këmbësorët. Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve në segmentin Banka e Shqipërisë deri te Ushtari i Panjohur, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky është tjetër premtim i mbajtur dhe një nga lajmet më të bukura për qytetin, pasi po ecet përpara me projektet e mëdha për Tiranën.

“Zyrtarisht, sot Tirana është e gjitha një kantier i hapur, jo vetëm me ndryshimet që po ndodhin në infrastrukturën sociale, shkolla, kopshte e çerdhe, por edhe në infrastrukturën rrugore. Nën shembullin e rrugës së parë që nisëm, rruga “Dritan Hoxha”, do të vazhdojmë me çdo investim të ri të Tiranës, me të njëjtin parim: korsi të dedikuara për biçikletat, korsi të dedikuara për autobusët dhe hapësirë e bollshme për këmbësorët, që të kenë po aq prioritet sa kanë makinat”,  u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se përpjekja dhe filozofia e bashkisë sonë ka qenë një qytet që funksionon për njerëzit, jo për makinat e mjetet. “Kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që kompania të shpejtojë punimet dhe Unaza e Vogël të mbarojë para afatit, që më pas të na mundësojë edhe neve të fillojmë me projektin e sheshit “Skënderbej”. Unë e di që çdo punë e mirë kritikohet, por mos i kushtoni rëndësi kritikave, ecni përpara, sepse po bëjmë gjënë e drejtë!”, tha Veliaj. Ai shprehu besimin se vetëm duke qenë të fokusuar te puna, vetëm duke u dhënë qytetarëve produkte me cilësi, sjellim modernizim në Tiranë.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në lirimin e këtyre shesheve. “Ftoj të gjithë qytetarët që do të preken nga Unaza e Vogël, kundrejt të gjitha detyrimeve ligjore që ne kemi për shpronësim, të jenë bashkëpunues me kompaninë, me autoritetet e Policisë Bashkiake dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, për të liruar hapësirat, që të mos kemi më pengesa, në mënyrë që ky projekt kaq i rëndësishëm për trafikun dhe transportin në Tiranë, të ecë me ritmet që shpresojmë”, deklaroi Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës siguroi se asnjë projekt i Bashkisë së Tiranës, për të cilën ata votuan 6 muaj më parë, nuk do të ndërpritet. “Ne do të vazhdojmë, siç premtuam, me këndin e lojërave për fëmijë, me Unazën e Vogël, me sheshin “Skënderbej”, me Pazarin e Ri dhe me strehën e kafshëve të rrugës. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët që votuan, por edhe ata që nuk votuan, se gjithçka që u premtua do të bëhet. E vetmja kërkesë për “hienat” e politikës është: Na lini të punojmë! Nëse ne punojmë dhe nuk pengohemi, Tirana në kohë rekord mund të bëhet një qytet modern”, përfundoi Veliaj.

Përgjegjësi i punimeve për fazën e parë të projektit, Bujar Makishti, u shpreh se kompania është mobilizuar për të realizuar punimet më shpejt se koha e parashikuar në kontratë. “Kemi rënë dakord që të punojmë me faza, të bllokojmë njërin segment, ta përfundojmë atë, e më pas të bllokojmë segmentet e tjera, me qëllim që të mos krijojmë konfuzion me trafikun e mjeteve. Mendoj se punimet do të mbyllen më shpejt se 4 muaj. Projekti parashikon zhvillimin dhe rinovimin e zonës, përfshin trotuaret, ndërtimin e dy korsive për biçikleta në dy anët e rrugës, ndërtimin e dy rripave të gjelbërimit në të dy anët e rrugës, rrugë për autobusin dhe mjetet e tjera të qarkullimit”, sqaroi Makishti.

Punimet për Unazën e Vogël do të përfshijnë 3 segmente: Segmenti i parë është nga Banka e Shqipërisë deri te Bulevardi; segmenti i dytë, nga bulevardi te rruga e “Barrikadave” dhe segmenti i tretë, rruga e “Barrikadave”, kryqëzimi me rrugën “Urani Pano” deri tek “Ushtari i Panjohur”.