Nuk preket bimësia dhe pemët, ndërtimi me materiale mjedisore.

Projekti për ndërtimin e këndit të lojërave në ambientet e Parkut të Liqenit Artificial nuk do të prekë asnjë nga pemët ekzistuese, por do të ofrojë hapësira me materiale ekologjike dhe që janë të përshtatura për të gjitha grupmoshat. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, ishte sot i pranishëm në ambientet e Parkut të Liqenit Artificial për të prezantuar projektin e këndit të lojërave.

“Projekti nuk parashikon të prishë aspak nga pjesa e bimësisë dhe pemëve, por i shtohet qytetit një vlerë e madhe ku fëmijët, jo vetëm të kenë mundësi për të ecur në park, por edhe të luajnë. Kjo është një hapësirë e dedikuar për fëmijët, si pjesë e shumë gjërave që bashkia ka bërë gjatë këtyre muajve, fokusuar te fëmijët”, u shpreh Mazniku. Sipas tij, ky është një projekt tejet serioz, si pjesë e një masterplani të madh për rivitalizimin e mirëfilltë të parkut, i cili të jetë më shumë se sa një vend ku njerëzit të kenë mundësi të bëjnë një shëtitje, por edhe aktivitete të tjera.

“Specifikisht ky park ka disa zona, një për fëmijët nga 1-3 vjeç, një për fëmijët 3-6 vjeç, një për fëmijë më të mëdhenj me lojëra më të përshtatshme dhe një zonë për fëmijët nga 9 vjeç e lart me zona të përshtatshme për ta. Të gjitha llojet e ndërtimeve janë plotësisht ndërtime mjedisore, me materiale si druri, ashklat e drurit, plastika e ripërdorur për sheshe, që fëmijët mund të luajnë e të mos vriten, stola dhe hapësira për fëmijët”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias mbi akuzat e bëra nga opozita për mungesë transparence, Mazniku theksoi se në mënyrë të vazhdueshme, kryetari i Bashkisë ka diskutuar për çështjen. “Ky është një projekt i cili financohet dhe është miratuar nga FZHR, si dhe është diskutuar publikisht. Gjithashtu ka pasur një proces publik tenderimi për procesin, është diskutuar për projektin dhe në thelb është një projekt, i cili u jep mundësi fëmijëve të luajnë, nuk prek asnjë nga pemët, krijon shkallë druri që fëmijët mund të ecin, krijon një hapësirë me rërë ku fëmijët mund të luajnë, krijon një rrugë me ashkla druri ku fëmijët mund të ecin”, tha Mazniku. Sipas tij, ky është një projekt i cili e ndërlidh në mënyrën më të mirë të mundshme natyrën e parkut me mundësinë e fëmijëve për të luajtur.