Papa Françesku, një shembull frymëzimi për të gjithë

U përurua sot në trekëndëshin e gjelbërt përballë Kambanës së Paqes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” monumenti i Papa Françeskut, në kujtim të vizitës që ai zhvilloi në 21 shtator 2014 në Tiranë. Busti i tij u zbulua gjatë një ceremonie të posaçme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, me pjesëmarrjen e dhjetëra personaliteteve të tjera politike e fetare.

Në fjalën e tij në ceremoni, Presidenti Nishani vlerësoi lart figurën e Papa Françeskut dhe në mënyrë të veçantë përzgjedhjen që ai i bëri Tiranës, si pikënisje e vizitave të tij në shtetet evropiane. “Jam edhe i emocionuar sepse sot, në cilësinë e kryetarit të Shtetit Shqiptar, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet e përjetësohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes, aq më tepër para ish muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq të shembte kisha e xhami dhe të burgoste e vriste klerikë e besimtarë, të pafajshëm”, tha Nishani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi fjalën e tij me unanimitetin që treguan forcat politike të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në miratimin e vendimit për vendosjen e bustit, si shenjë e vlerësimit të figurës së Papa Françeskut. “Nuk e di nëse ka ndonjë vendim tjetër të Këshillit Bashkiak që të jetë marrë në mënyrë kaq unanime dhe aq pa hezitim sa vendimi për të nderuar, sado modestisht, Atin e Shenjtë përmes këtij gjesti. Përtej tensioneve, përplasjeve e sherreve që kemi për shumëçka, nuk mund të mos ishim në një mendje për një çështje si kjo”, u shpreh kryebashkiaku. Gjithashtu, Veliaj theksoi se ardhja e Papa Franceskut në Shqipëri ishte padyshim një moment i bukur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare, kjo pasi sipas tij, mesazhi që ai dha nuk lidhej ekskluzivisht me ndonjë besim fetar, por shkonte në zemër të filozofisë e moralit të secilit prej besimeve: mesazhi i vëllazërisë, harmonisë, bashkimit e solidaritetit.

“Ne shqiptarët kemi pasur e kemi një histori të vështirë. Por, asnjë nga këto vështirësi nuk i gjen rrënjët e saj te feja dhe besimi. Ajo që mund të ishte një arsye për t’u ndarë dhe për t’u përçarë, në Shqipëri ka rezultuar një faktor bashkimi. Me të drejtë, Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare. Një fjalë që ne s’e kishim përdorur kurrë për të përshkruar diçka që thjesht e marrim si të mirëqenë. Por, që në fakt është përshkrimi më i duhur i asaj çka kanë arritur të ndërtojnë të gjithë bashkë si shqiptarë, pavarësisht vështirësive”, tha Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës e cilësoi Atin e Shenjtë si një njeri të rrallë që flet hapur, pa doreza, dhe godet m’u në zemër probleme si ekstremizmi e konflikti, por edhe në mesazhet sociale që ai përcjell, si varfëria, pabarazia dhe nevoja për solidaritet. Mesazhe që, sipas Veliajt, janë në fokus edhe të punës së përditshme të bashkisë që ai drejton, duke mbështetur më shumë politikat për më të pamundurit e qytetit.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili theksoi se vizita e Papa Françeskut, gati dy vite më parë, bëri të mundur që harmonia jonë fetare të njihej nga e gjithë bota. Ndërkohë, Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, pasi falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe nderimin e Papa Françeskut, theksoi se Shqipëria është shembull se bashkëjetesa paqësore mes besimtarëve e bashkësive të ndryshme fetare, është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe konkretisht e mundshme dhe e realizueshme.

Busti është vepër e autorit Qazim Arifi dhe është realizuar falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë. Me vendosjen e këtij busti në këto mjedise krijohet një memorial në vlerësim të personaliteteve të shquara të Vatikanit, siç është Papa Gjon Pali II, që është bekuesi i simbolit të Këmbanës së Paqes dhe Papa Françeskut për vlerat e sipërmendura.