Pazari i Ri është xhevahiri i Tiranës, një histori suksesi që duhet ndjekur

33012326590_fc5908306e_o

Pazari i Ri është gati të hapë dyert në Ditën e Verës, për të mirëpritur 308 tregtarë që do të punësohen aty gjatë orëve të paradites, por edhe mijëra qytetarë që do duan të kalojnë orët e pasdites për të shijuar ushqimet dhe produktet vendase. Bashkia e Tiranës po i jep dorën e fundit edhe detajeve më të vogla, ndërsa ka përfunduar markata e mishit dhe e peshkut, si dhe tregu i fruta perimeve.

 Pazari i Ri u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi punën e kryer në kohë rekord dhe realizimin e projektit, i cili do t’i shërbejë gjithë Tiranës si një qendër e re tregtare, por edhe turistike e argëtimi.

 “Jam jashtëzakonisht entuziast sot për këtë mrekulli. Siç thotë ajo shprehja: duhet një fshat për të rritur një fëmijë, kurse për të lindur një projekt duhet bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një histori suksesi në Shqipëri ku një fondacion perëndimor si AADF, së bashku me një autoritet vendor, me një kontraktor dhe dhjetëra nënkontraktorë, me qindra familje dhe banorë, të kenë gjetur gjuhën për këtë bashkëpunim. Do të thotë që kur ne shqiptarët vëmë mendjen e zemrën bashkë, mund të bëjmë gjëra të bukura dhe nuk qenka mision i pamundur të gjejmë gjuhën për gjëra të bukura”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Ai theksoi se në realizimin e këtij projekti janë ruajtur karakteristikat e Tiranës së vjetër, të cilat janë ndërthurur me modernen, çka e shndërron Pazarin e Ri në një qendër që duhet vizituar. “Nga dita e martë, Tirana do të ketë një qytet të vjetër, një lagje historike, siç e ka çdo qytet tjetër, që përtej modernizimit dhe zhvillimit urban galopant që ka pësuar në vitet 90, të ketë mundësi që në zemër të qytetit të vet, në zemër të Tiranës, të ruajë atë që quhet pjesa historike, pjesa e vjetër”, shtoi kryetari i bashkisë.

 Veliaj theksoi se Pazari është dhurata më e mirë që Bashkia e Tiranës i bën gjithë qytetarëve në Ditën e Verës, ndaj i ka ftuar ata që ta shndërrojnë përurimin e këtij projekti në një festë të vërtetë. “Pasnesër duam të ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen, është Dita e Verës dhe një mënyrë më e mirë për të festuar Ditën e Verës se sa në një vend ku do të shiten produkte lokale, ku do të punësohen njerëz të këtij qyteti, ku do të përjetësohet trashëgimia kulturore e urbanistike e Tiranës, nuk ka, ndaj dhe besoj që qytetarët do të jetë të shumtë. Ne do të fillojmë aktivitetet që në mëngjes, do të vijojmë pastaj në Bulevard, por besoj se “xhevahiri” i Ditës së Verës do jetë hapja e Pazarit të Ri”, theksoi Veliaj.

 Ai shtoi se falë këtij investimi është bërë e mundur punësimi i 308 tregtarëve që do të kenë hapësirën e vet të tregtimit të fruta-perimeve, por edhe të mishit e nënprodukteve të tij dhe të një numri tjetër akoma të madh që lidhet me shërbimet e furnizimit dhe mirëmbajtjes së pazarit. “Kjo nuk është vetëm një hapësirë e rivitalizuar, në fakt të martën do të fillojnë punë 1000 vetë. Ne kemi llogaritur që në 308 biznese, nga 3-4 vetë që punojnë për secilin biznes apo zinxhiri ekonomik që kontribuon tek secili biznes, përkthehet në 1000 vende pune. Ndaj e marta është ditë pushimi për 1 milionë qytetarë të Tiranës që e kanë pushim Ditën e Verës, për 1000 të tjerë është dita e parë e punës sepse ekonomia që gjenerohet, jo vetëm te tezgat, te Pazari i mishit e peshkut, jo vetëm te dyqanet dhe artizanët rreth e rrotull, jo vetëm në zinxhirin që mbështet këto dyqane, është i jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.

 Ai theksoi se investime të tilla kanë një impakt direkt në ekonominë e qytetit, pasi përveç punësimit direkt të tregtarëve sjell dhe një mundësi më shumë për shitjen e produkteve lokale. “Projekte të tilla kanë duk sepse përveç investimit në infrastrukturë janë një investim i mirëfilltë në ekonominë lokale. Thirrja ime për gjithë qytetarët është konsumoni produkte lokale, sa më shumë para të mbeten në ekonomi, aq më shumë qarkullojnë, aq më shumë punësim krijohet, aq më shumë fermat dhe zonat rurale fuqizohen nga ana ekonomike, ndaj besoj që sot të bësh gjënë patriotike do të thotë që ato pak para që ka Bashkia, t’i investojmë në Shqipëri, në produkte që pastaj replikohen, duke shtuar punësim dhe duke shtuar ekonominë vendase”, tha Veliaj.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se përveç ndërtimit të zonës tregtare dhe asaj që do të shërbejë edhe për të kaluar kohën e lirë, falë këtij investimi është bërë e mundur edhe ndërhyrja në te gjitha dyqanet dhe pallatet e zonës, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit të pronës për qytetarët. “Sipas raportit të fundit që patëm nga institucionet që merren me agjencitë imobiliare, vlera e zonës është rritur nga 40-50%. Ky është një lajm i mirë për këdo që e kishte shtëpinë këtu dhe që trashëgoi sot prej këtij investimi një shtëpi dhe një hapësirë me një vlerë shumë më të madhe. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë me investimet si në rrugën “Hoxha Tahsin” dhe “Qemal Stafa”, që janë dy arterie kryesore të Tiranës dhe besoj që nën këtë shembull do të vijojmë edhe me investimin në zona të tjera të qytetit”, u shpreh kryetari i bashkisë.

 Edhe bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, (AADF), Martin Mata, u shpreh tepër entuziast për realizimin e këtij projekti, duke shprehur besimin se rehabilitimi i kësaj zone do ta shndërrojë atë edhe në një hapësirë kulturore, ku tradicionalja ndërthuret me modernen.

 Dy ditë nga përurimi, Pazari i Ri është transformuar tërësisht në një hapësirë multifunksionale, ku gjatë paradites do të shërbejë si një treg për banorët e zonës dhe pasdite në një shëtitore dhe ambient relaksues. Në më pak se një vit nga nisja e punimeve, sheshi “Avni Rustemi” dhe zona e “Pazarit të Ri” janë rehabilituar tërësisht duke e kthyer këtë zonë në një epiqendër të turizmit. Gjithashtu janë restauruar ndërtesat tradicionale të zonës, si dhe janë ndërtuar ambientet e nevojshme moderne për tregtarët, e shoqëruar kjo me një hapësirë pedonale, ku nuk do të mungojnë baret dhe restorantet që gatuajnë ushqim tradicional shqiptar dhe artizanët.