Pedagogë, studentë dhe vullnetarë i bashkohen aksionit të pastrimit të Bashkisë së Tiranës

Në gjithë kryeqytetin ka nisur sot një aksion i gjerë pastrimi, për mbajtjen pastër të mjedisit. Pedagogë e studentë të Fakultetit të Gjeologjisë, vullnetarë nga “Green Line Albania” dhe qytetarë iu bashkuan nismës së Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj në pastrimin e Parkut të Liqenit Artificial, Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dhe hapësirave studentore përreth. 

Duke marrë shkas nga zhvillimet e djeshme, ku mbetën të plagosur në krye të detyrës disa efektivë të Policisë së Shtetit, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se qyteti ka më shumë mirësi dhe punë se sa urrejtje dhe dhunë. “Ne kemi parë këto ditë shumë konflikte, kemi parë një politikë që do që ta përçajë qytetin. Unë besoj se ky qytet ka më shumë mirësi se sa prapësi, ky qytet ka më shumë dashuri, se sa urrejtje dhe ky qytet ka më shumë punë, se sa dhunë”, tha Veliaj, teksa i uroi shërim të shpejtë efektives Ina Nuka, e cila humbi gishtat në protestën e dhunshme përpara Parlamentit.  

Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se shumica dhe e mira do të triumfojë sepse progresi për Tiranën nuk do të ndalet. “Dua t’i uroj Inës shërim të shpejtë! Jam shumë i inkurajuar që qeveria po merret posaçërisht me trajtimin e saj, ama e gjithë kjo ngjarje më jep edhe kurajë: më jep kurajë që sot ka më shumë qytetarë, si Ina, që e duan shtetin, se sa ata që e dhunojnë; sot ka më shumë qytetarë që e pastrojnë Tiranën se sa ata që e ndotin; sot ka shumë më shumë qytetarë që e duan punën, se sa ata që duan dhunën. Për sa kohë që e mira është në shumicë në Shqipëri, jam i bindur se e mira do të triumfojë dhe progresi për Tiranën nuk do të ndalet”, deklaroi Veliaj.

Ai vlerësoi traditën e bukur të pastrimit që ka nisur në Tiranë, ndërsa u bëri thirrje banorëve të japin kontributin e tyre, që Tirana të jetë gjithmonë e pastër, dhe jo vetëm për një ditë. “Jam shumë i lumtur që pastrimi i Tiranës është kthyer në traditë. Në qoftë se më përpara kishte një lloj stigme dhe njerëzit refuzonin se u dukej e ‘kohës së xhaxhit’, sot kemi kuptuar se edhe në Gjermani, në Australi, në Amerikë pastrohet edhe ka njerëz vullnetarë. Kjo është një zonë jashtëzakonisht e frekuentuar, pas Fakultetit Gjeologjik, ku shumë njerëz e preferojnë për piknik, por fatkeqësisht e lënë të gjithë produktin e post-piknikut, si instalacion në park. Kjo nuk ka kuptim! Kështu që, sot po pastrojmë për të dhënë shembullin. Dua të falenderoj shumë studentët e Gjeologjikut që na u bashkuan në këtë aksion, profesorët e tyre, për të kuptuar që kjo është puna jonë e përbashkët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi prej qytetarëve që të kujdesen për mbajtjen pastër të mjedisit, si një pasuri e përbashkët për të gjithë komunitetin. “Kur dikush vjen dhe jeton në Tiranë, do të thotë se është bërë pjesë e këtij qyteti, se të gjitha asetet e këtij qyteti, kanë vlerë vetëm kur rrinë pastër. Dua të falenderoj të gjithë miqtë e “Green Line”, të gjithë ata që punojnë me energji pozitive, që janë dashamirës të ambientit, që e duan e kanë pasion këtë qytet, besoj që kjo është e ardhmja”, tha ai.