Përfundon një tjetër investim në zonën e Farkës

Një rrugë e re lidh tashmë Farkën me shëtitoren e Liqenit, e cila krijon më shumë mundësi lëvizje jo vetëm për banorët e kësaj zone, por edhe për të apasionuarit pas sporteve ujore apo ata që duan të shijojnë bukurinë e liqenit të Farkës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi inspektoi përfundimin e punimeve të rrugës në lagjen, theksoi se ky investim i ka shtuar mundësitë për ta kthyer Liqenin e Farkës në një destinacion jo thjesht turistik, por edhe sportiv. Duke vënë theksin edhe te punimet që po kryhen për realizimin e shëtitores që do të rrethojë liqenin, Veliaj shtoi se synimi i bashkisë është të shmangë diferencimin mes punimeve në qendër dhe në periferi.

“Ndonëse Tirana është zmadhuar, vëmendja e bashkisë për periferinë nuk ka humbur. Është e rëndësishme ta ruajmë këtë balancë, pasi Tirana nuk është vetëm sheshi “Skënderbej”, por ajo që është më e rëndësishme është që Tirana është e gjithë hapësira e re e shtuar, ku Farka është një parajsë në tokë, është një vend i bekuar, është shumë pranë natyrës, shumë afër qendrës, ka disa nga zonat rezidenciale më të lakmuara në kryeqytet”, tha Veliaj. Ai shtoi se po punohet që e gjithë kjo zonë të kthehet në një parkun e dytë urban të qytetit të Tiranës, si një hapësirë alternative për t’u frekuentuar nga qytetarët e Tiranës.

“Parku i Liqenit Artificial të Tiranës ka pasur disa investime shumë të mira. Kjo ka bërë që të frekuentohet akoma më shumë dhe na ka rritur fluksin e qytetarëve, ndaj ambicja jonë është që parku i dytë i Tiranës të jetë ai i Liqenit të Farkës. Do të mbjellim këtu disa nga pemët të cilat me kujdes, me një makineri të posaçme, po zhvendosen me gjithë rrënjë nga sheshi “Skënderbej””, u shpreh Veliaj. Ai përmendi punën që po bëhet edhe me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit për të shtuar, si gjelbërimin e zonës, ashtu edhe aktivitetet arëgtuese për ata që e frekuentojnë liqenin.

“Kemi hartuar një kalendar ambicioz sportiv me APR-në, siç janë sportet e ujit, xhirot dhe garat me biçikletë, dhe duam që infrastrukturën përreth Farkës ta identifikojmë kryesisht si një terren sportiv. Kemi përgatitur disa aktivitete, si gara me biçikleta, gara me kanoe, gara me tracking dhe në sporte të tjera, dhe duam që arena të jetë liqeni i Farkës; është mirë për ekonominë, sjell bizneset në këtë zonë. Të gjitha këto i shtojnë vlerën pronës që ekziston në Farkë dhe besoj se është formula më e mirë për të ecur përpara me rritjen e cilësisë së jetesës në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj. Ai tha se Liqeni i Farkës, falë edhe investimeve të tjera që po bëhen në shëtitoren e tij, do të jetë një destinacion i ri çlodhës për qytetarët e Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se zona e Farkës do jetë edhe një përfitueset më të mëdha të projekteve nga buxheti i vitit 2017, pasi është edhe një nga zonat më të rregullta sa i përket pagesës së taksave dhe tarifave vendore. “Mezi pres që të nisim konsultimet me banorët për buxhetin e vitit të ardhshëm, për t’u siguruar që secila zonë, sidomos kjo zonë, e cila është një zonë që paguan rregullisht taksat e detyrimet, t’i kthehet një për një, çdo qindarkë, sipas mënyrës që paguan dhe mezi pres që të vazhdojmë investimet në Farkë”, përfundoi Veliaj.