Përfundon rikonstruksioni i kopshtit “Bambi”

Tiranës i është shtuar edhe një kopësht tjetër i rikonstruktuar, i cili pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës do të mirëpresë 200 fëmijë çdo ditë falë vënies në shërbim të ambienteve të pashfrytëzuara më parë, për shkak të lagështirës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi ambientet e reja të kopshtit “Bambi” në Njësinë Administrative Nr. 10, duke vlerësuar punën e mirë për fëmijët.

“Kemi një kopësht me dyfishin e kapacitetit, i cili shkon nga 100 në 200 vende. Gjithashtu, kemi një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash nga prindërit për të sjellë fëmijët e tyre në kopshte publike, sepse janë më të lira dhe me cilësi më të mira si në ushqim, ashtu edhe në kujdestari dhe infrastrukturë”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se kopshtet nuk do të mbyllen as gjatë muajve të verës. “Lajmi i dytë i mirë është se pas disa vitesh, praktika e vendosur jo zyrtarisht në bashki që i mbyllte kopshtet gjatë muajit gusht, merr fund këtë verë. Pra, në qytetin e Tiranës kopshtet dhe çerdhet nuk do të mbyllen gjatë muajit gusht, në mënyrë që prindërit që i kanë bërë pushimet ose nuk kanë patur mundësi t’i marrin ato, të kenë një hapësirë ku të lenë fëmijët edhe gjatë këtij muaji”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se nuk ka mënyrë më të mirë për të mbyllur vitin e parë të mandatit se sa ofrimi i një infrastrukture moderne për qytetarët më të vegjël të Tiranës. Ai solli në vëmendje edhe investimet e tjera në njësinë nr. 10, të cilat kanë ofruar standarde më të mira për çdo banor të zonës. “Gjimnazi ‘Qemal Stafa’ është sot padyshim një nga gjimnazet më të mira në Tiranë, në terma të infrastrukturës, por sigurisht edhe në terma akademikë. Kemi rregulluar disa lagje në zonën e Shallvareve dhe tregut Çam. Vetëm në këtë njësi kemi mbjellë mbi 2 mijë pemë. Më vjen mirë që bashkia i kushton vëmendje jo vetëm qendrës, por edhe periferisë”, pohoi ai.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e prindërve që kanë shtuar kërkesat për më shumë kopshte e çerdhe, ndërsa shprehu besimin se në vitet në vijim hapësirat do të shtohen, për të akomoduar më shumë fëmijë. Ai sqaroi gjithashtu se çdo leje e re ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një institucioni social apo arsimor. “Me planin e ri vendor Bashkia e Tiranës do të aplikojë politikën se çdo leje ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një kopshti, një çerdhe ose një shkolle, sepse është e vetmja mënyrë që teksa Tirana urbanizohet, krijojmë më shumë mundësi për ata që zgjedhin të jetojnë në Tiranë”, shpjegoi Veliaj.

Drejtoresha e Qendrës e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri theksoi se nisma për rikonstruksionin e kopshtit nr. 8 ka shtuar edhe kapacitetet në këto ambiente, pas kërkesave të shtuara nga prindërit. “Infrastruktura e kopshtit është përmirësuar plotësisht. Por, risia është fakti se tanimë këtu do të mirëpriten 200 fëmijë, çka plotëson edhe kërkesat e prindërve të kësaj njësie”, përfundoi ajo.