Përfundon rikonstruksioni i kopshtit “Maçoku me çizme”

Shkon drejt përfundimit projekti i Bashkisë së Tiranës “Adopto një kopsht”. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të Kopshtit 27/a në zonën e Alliasit, i cili ofron tashmë kushte dhe standardet më të mira për rreth 150 fëmijë. Ambientet e reja të këtij kopshti janë inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili bëri të ditur se tashmë brenda javës do të inaugurohen edhe dy kopshtet e fundit të cilët sigurojnë tashmë ambiente të reja për gjithë fëmijët e kryeqytetit që frekuentojnë kopshtet publike. Ai vlerësoi faktin që ky kopsht është rikonstruktuar falë ndihmës së donatorëve por edhe komunitetit të banorëve.

“E vlerësoj jashtë mase sepse ka qenë një punë në komunitet. Unë e di që është shumë kollaj që të kritikosh, është shumë kollaj që të vesh gishtin ku janë problemet, është më e vështirë të punosh, është më e vështirë të bësh njerëzit bashkë. Më vjen mirë që në këtë komunitet të njësisë suaj ne kemi pasur një bashkëpunim me prindërit. Dëgjova dhe nga drejtoresha dhe edukatoret që prindërit kanë dhuruar pemë, disa kanë bërë punë vullnetare. Kjo është në thelb ajo që është zemra e qytetit, pra kur të gjithë njerëzit fillojnë dhe japin një kontribut dhe në vend që të jenë vetëm kritizerë thonë si mund të ndihmoj unë, çfarë dobie mund të sjell”, tha Veliaj. Kryebashkiaku theksoi se projekti “Adopto një kopsht”, i cili është tashmë drejt fundit, i ka dhënë një energji pozitive Tiranës.

Veliaj informoi gjithashtu se me përfundimin e rikonstruksionit të kopshteve fokusi i punës do të jetë tek shkollat. “Ka qenë një projekt fantastik, i ka dhënë shumë energji Tiranës. Sigurisht si e keqja, edhe e mira nuk ka fund ndaj mezi pres që pas kopshteve, ne të fillojmë me shkollat e njësisë tuaj dhe me shkollat e çdo njësie për t’u siguruar që ne respektojmë prioritetin sipas moshës, filluam me çerdhet, me kopshtet dhe pastaj me shkollat. Besoj që mund të themi jemi krenar sepse në qytetin e Tiranës kemi kopshtet më të mira në republikë ndoshta dhe në rajon”, deklaroi kryebashkiaku. Ai falenderoi dhe gjithë komunitetin për mirëkuptimin e treguar gjatë rrëmujës së krijuar në kohën e punimeve për kopshtet por dhe për çdo investim tjetër që po kryhet në Tiranë.

“Sigurisht kur ka punë, qoftë për të rregulluar një kopsht, qoftë për të rregulluar gjithë sheshin “Skënderbej”, sigurisht që për sa kohë punohet krijohet një lloj rrëmuje që duhet të përshtatemi me një ritëm tjetër. Kështu që siç i falenderoj qytetarët e kësaj njësie që teksa ne punonim për këtë kopsht gjatë verës, u treguan shumë mirëkuptues, na lanë të punonim dhe sot ja ku është rezultati. Kjo është e njëjta fabul siç po ndodh me sheshin “Skënderbej”. Do të vazhdojmë të punojmë, sigurisht do të ketë pak rrëmujë. Njeriu rregullon shtëpinë dhe bëhet rrëmujë dhe jo më shtëpinë dhe dhomën e ndenjjes së gjithë Tiranës. Megjithatë kur të mbarojnë, si këndi i lodrave, si kopshtet, si shumë projekte të tjera ka për të dalë diçka shumë e bukur dhe besoj të gjithë qytetarët do të ndjehen mirë që jetojnë në një qytet me përmasa njerëzore”, deklaroi ai.

Rikonstruksioni i kopshtit nr. 27/a ka bërë të mundur largimin e lagështirës që ishte kthyer në problematikë ndërsa është ndërhyrë në gjithë rrjetin hidraulik dhe elektrik të kopshtit. Pjesë e punimeve ishte edhe shtrimi i laminatit, suvatimet, bojatisja e të gjithë ambienteve të kopshtit por edhe shtrimi me moket apo mobilimi i pjesshëm. Kopshti ka tashmë edhe dy këndet të reja të lodrave, në ambientet e tij të jashtme.