Rikonstruktohen ambjentet e reja sportive të shkollës “Sinan Tafaj”

Veliaj ne shkollen Sinan Tafaj (2)

Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar ambientet sportive të shkollës “Sinan Tafaj”, sistemin e ngrohjes dhe një sërë mjedisesh të tjera ndihmëse për 1100 nxënësit që e frekuentojnë atë. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera dhe vlerësoi se shkolla “Sinan Tafaj” është një nga shkollat model në Tiranë, jo vetëm për stafin mësimdhënës, por edhe për ambientet mësimore dhe sportive që ofron.

 Ai tha se investimet për ndërtimin e palestrave bëjnë të mundur që shkollat të shndërrohen edhe në qendra komunitare, duke i shërbyer jo vetëm nxënësve, por gjithë komunitetit në orët e pasdites. “Me 7 palestrat e reja kemi krijuar 7 vatra të qendrave komunitare; do të thotë se pasi mbaron ora e mësimit, mund t’i aksesojë komuniteti. Arsyeja pse këmbëngul te kjo është se nuk mund të kemi një qytet me infrastrukturë dhe pa kulturë. Kultura sportive nuk është vetëm një mënyrë për të kaluar një orë kohë me top, është një mënyrë për të ndërtuar karakterin, për të lujtur në skuadër, një mënyrë që të mëson si fitohet me përulje, por edhe si humbet me dinjitet”, tha Veliaj.

 Ai i bëri thirrje të gjithë të rinjve që t’i shfrytëzojnë këto ambiente maksimalisht, në mënyrë që të kenë një jetë më të shëndetshme. “Shkollat e Tiranës kanë qenë gjithmonë më të mirat në Shqipëri, ndaj besoj se me terrenet sportive u kemi dhënë të rinjve mundësi të ndërtojnë karakter dhe të përgatiten për një etapë tjetër të jetës së tyre, që është hyrja në universitet, ku gjithashtu Bashkia nga qyteti “Studenti” deri tek ambientet përreth godinave të universiteteve po bën maksimumin që edhe ato të jenë më të njëjtat kushte dinjitoze, siç janë gjimnazet e Tiranës”, shtoi Veliaj.

 Me projektin e 20 shkollave që Bashkia e Tiranës ka nisur të ndërtojë në kryeqytet, do t’i jepet zgjidhje edhe problemit të mbingarkesës në shkolla dhe mësimit me dy turne. “Me 20 shkollat e reja që bëhen në Tiranë, brenda mandatit “shfryjmë” fluksin që kanë shkollat ekzistuese, duke kaluar vetëm në shkolla që kanë një turn”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se krahas ndërtimit të shkollave të reja, gjatë muajve të verës do të punohet që edhe shkollat ekzistuese të përmirësojnë kushtet e tyre.

 Veliaj bëri të ditur gjithashtu edhe nismën e Bashkisë së Tiranës për ti dhuruar çdo maturanti në fund të shkollës edhe një set me veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Dritëro Agolli, që u nda nga jeta pak javë më parë.

 Palestra e shkollës “Sinan Tafaj” është shtruar me parket druri, është vendosur ndriçim, dyer e dritare të reja. Gjiashtu, është bërë rikonstruksioni i plotë i nyjeve sanitare, rrjetit elektrik dhe atij të furnizimit me uji, është vendosur sistem i ri i ngrohjes për shkollën, si dhe sistemi kundra zjarrit.