Përfundon rikonstruksioni i plotë i kopshtit 25

Një tjetër kopësht në kryeqytet ofron kushte dhe standarde më të mira për 120 fëmijë që e frekuentojnë atë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit 25 në Njësinë 5, duke e çuar kështu në 14 numrin total të kopshteve të rikonstruktuara deri tani në të gjithë Tiranën. Punimet e realizuara nga donatorët u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi pa kushtet që ofron kopshti për fëmijët, theksoi se ky është standardi i të gjitha punëve që Bashkia e Tiranës po bën në kryeqytet, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën arsimore.

“Ky është kopshti i 14 që kemi rikonstruktuar, kemi edhe 9 të tjerë, të cilët në shtator, kur fëmijët të jenë kthyer nga pushimet, do të jetë një mundësi fantastike për t’i gjetur këto hapësira shumë herë më të mira se i lanë përpara se të shkonin me pushime”, tha Veliaj. Ai shtoi se pikërisht rritja e cilësisë së godinave, por edhe e shërbimit që ofrohet në këto kopshte, ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në kopshtet publike. Ndaj, ai falenderoi të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë dhënë qoftë edhe një ndihmë sado të vogël në përmirësimin e infrastrukturës, fillimisht të çerdheve dhe tashmë të kopshteve.

“Besoj se kemi ndërtuar një model që ia vlen të imitohet, sipas të cilit këtë vit po rikonstruktojmë 23 kopshte, ndërsa vjet rikonstruktuam 31 çerdhe. Më vjen mirë që jo vetëm është punuar në infrastrukturë, por edhe është ndërtuar një model që ia vlen të imitohet nga një brez i ri”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Më tej ai garantoi se ashtu siç edhe është premtuar, në javët në vazhdim do të mbarojnë së rikonstruktuari të gjitha kopshtet e tjera, në mënyrë që nisja e sezonit të ri arsimore t’i gjejë fëmijët në ambiente dinjitoze dhe të sigurta.

“Nuk do ia kishim dalë dot në qoftë se s’do ishte për gjithë kolegët tanë të kompanive dhe grupeve që i janë bashkuar nismës tonë “Adopto një kopsht”. Fëmijët imitojnë të rriturit, kjo do të thotë që nëse ne punojmë, nëse merremi me gjëra konkrete, nëse rrisim frymën pozitive në këtë qytet, atëherë do të kemi fëmijë që do të na imitojnë. Do të thotë që në të ardhmen do të merren më shumë me punë dhe jo me llafe, më shumë me gjëra konkrete se sa me thashetheme, më shumë me gjëra pozitive se sa me baste, lloto apo me intrigat e ditës në politikë”, shtoi Veliaj.

Në kopshtin 25 janë bërë të gjitha punimet elektrike e hidraulike, duke larguar të gjithë lagështirën që vinte si nga ujërat e shiut nëpërmjet fasadës, ashtu edhe nga tualetet. Janë ndryshuar të gjitha veshjet dhe shtrimi i pllakave, është bërë veshja me laminat, janë shtuar ambientet e reja kryesisht me konstruksionin metalik në katin e dytë, e cila është kthyer në dhomë loje, si dhe është shtuar dhoma e psikologut. Po ashtu janë zëvendësuar dritaret e dëmtuara dhe janë rivendosur xhamat. Në ambientet e jashtme është vendosur ndriçimi dhe është bërë sistemimi i gjithë oborrit.