Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Kujtim Laro”

Bashkia e Tiranës ka përfunduar punën për rikonstruksionin e plotë të rrugës “Kujtim Laro” në njësinë nr. 3 në kryeqytet. Rruga u vjen në ndihmë rreth një mijë familjeve dhe tashmë, veç asfaltimit dhe trotuareve, ofron edhe sinjalistë moderne dhe rrjet të plotë kanalizimesh. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi punimet e kryera në këtë rrugë, falenderoi banorët që u treguan të gatshëm të lirojnë hapësirat e zëna për të lejuar zgjerimet e nevojshme të rrugës dhe për krijimin e vendeve publike, por edhe për korrektesën në pagesën e taksave.

“Dua të falenderoj banorët që janë treguar mirëkuptues, kanë liruar hapësirat e zëna publike, kanë lejuar që trotuaret të bëhen aq sa duhen dhe që kanë qenë korrektë në pagesën e taksave të bashkisë; pagesën e taksës së parkingut dhe të gjitha detyrimet e tjera që kanë për një qytet që funksionon”, tha Veliaj. Më tej, ai theksoi se edhe kjo rrugë ashtu si çdo investim i Bashkisë së Tiranës përveçse u shërben qytetarëve në jetesën e përditshme, u jep atyre mundësi që të rrisin edhe vlerën e pronës.

“Vlera e banesave në Tiranë, vetëm këtë vit, është rritur me 20% dhe kjo vjen falë investimeve në infrastrukturë. Ndaj detyra e të gjithë qytetareve është që t’i mirëmbajnë ato, për t’u siguruar që vlera e pronës vijon të rritet në Tiranë dhe për gjithë banorët që kanë vendosur që familjen e tyre ta krijojnë e ta zhvillojnë në Tiranë, t’ia shohin hajrin kësaj pune dhe investimeve të bashkisë”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës. Veliaj premtoi se, edhe në vijim, angazhimi kryesor i bashkisë do të jetë tek puna, pavarësisht akuzave apo shpifjeve për projektet e nisura prej saj.

“Më vjen mirë sepse jemi fokusuar te puna. Ky ka qenë vetëm viti ynë i parë dhe banorët e njësisë 3 kanë parë disa investime në kopshte, çerdhe, shkolla dhe infrastrukturë. Kështu do të vijojmë edhe në tre vitet e tjera. E di që shumë qytetarë janë të shqetësuar nëse bashkia do të fillojë të politizohet e të merret me fushatën e sharjeve e shpifjeve. Dua t’i siguroj ata se jam i fokusuar dhe nuk ka asnjë sharje, shpifje dhe asnjë sulm politik që më bën të devijoj nga misioni për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës”, siguroi ai, duke theksuar se motoja e bashkisë do të vazhdojë të jetë puna. Ndërsa solli në vëmendje projektet e nisura në rreth 100 kantiere ndërtimi, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve sot për një qytet më të mirë nesër.

“Vërtet kemi hapur 100 kantiere, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për këtë, por kur të kenë mbaruar do jenë 100 punë të mbyllura. Ashtu si një shtëpi e mirë ku teksa punohet, ka pak rrëmujë, ashtu edhe familja jonë e madhe në Tiranë ka pak rrëmujë me trafikun dhe lëvizjet në qytet, teksa mbarojmë këto projekte madhore. Por, kur këto punë të mbarojnë do të kemi një qytet shumë më të mirë, ashtu si rruga “Kujtim Laro”, e cila sot është një punë e mbaruar mirë për njësinë nr. 3”, përfundoi ai.

Rruga “Kujtim Laro” ka një gjatësi prej rreth 330ml dhe investimi i bërë ka mundësuar rregullimin e asfaltit, trotuareve, shtrimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha, ndriçimin e rrugës, vendosjen e sinjalistikës rrugore, krijimin e linjave rezervë, por edhe shtimin e gjelbërimit përgjatë gjithë rrugës.