Përfundon rikualifikimi urban i bllokut të banimit te Fusha e Aviacionit

Përfundon rikualifikimi urban i bllokut të banesave në Fushën e Aviacionit. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, një hapësirë prej rreth 14.7 ha, ku banojnë kryesisht qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, ka sot një infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira jetese. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e investimit në këtë zonë informale, banorët e së cilës ndonëse ishin shumë pranë qendrës së Tiranës, jetonin në kushte të këqija, larg të qenit pjesë e urbane e kryeqytetit.

“Është një investim i cili prek kryesisht një zonë informale, shtëpi që janë ndërtuar pas viteve ’90, njerëz që kanë ardhur në Tiranë me ambicien e shpresën për një jetë më të mirë, por kjo jetë më e mirë nuk është vetëm prej vendosjes gjeografike. Në momentin kur nuk ka infrastrukturë, kur këtu ishte si një fshat i thellë, pavarësisht afërsisë me qendrën e Tiranës, atëherë nuk bën jetë si në kryeqytet. Më vjen mirë që sot mund të themi se këto familje janë në kryeqytet”, tha Veliaj. Kryebashkiaku vuri theksin tek investimet në çdo zonë të Tiranës, pavarësisht nëse ajo mund të cilësohet e majtë apo e djathtë.

“E kemi bërë të qartë: Nuk ka më ndarje të tilla! Prej një viti e pak nuk ka më ndarje në të majtë e të djathtë: O do ta bëjmë Tiranën qytetin ideal për të jetuar e rritur fëmijët, ose nuk kemi shans tjetër! Për sa kohë që vazhdon politika e përçarjes, ku investimet bëhen në një vend e s’bëhen në një vend tjetër, Tirana nuk bëri hajër 4 vjet; ndaj ka ardhur koha që tani të fokusohemi te puna, të mos merremi me fjalë e sharje, me shpifje, por të tregojmë që në të gjitha zonat, qoftë në periferi, qoftë në qendër, qoftë në ato që kanë votuar në një mënyrë apo në një tjetër, Bashkia e Tiranës ka një politikë të vetën, punën me investim konkret”, deklaroi ai. Kryebashkiaku Veliaj tha se me hartimin e buxhetit të vitit tjetër do të ketë të tjera investime të rëndësishme në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa shprehu besimin se punët do të shkojnë mirë për kryeqytetin, për sa kohë fokusi kryesor i bashkisë është te puna.

“Mezi pres të dëgjojmë nga njësia në momentin e hartimit të buxhetit se cilat mund të jenë disa investime nevralgjike. Besoj se punët do i shkojnë mirë Tiranës, për sa kohë që fokusi i bashkisë është vetëm puna dhe për sa kohë nuk ka asnjë diskriminim, për të trajtuar të gjithë njerëzit me respekt. Përpara se njerëzit të jenë të majtë e të djathtë, janë qytetarë të kryeqytetit të Shqipërisë dhe do të trajtohen me dinjitetin që trajtohet çdo qytetar i qytetit të Tiranës”, theksoi ai, ndërsa solli në vëmendje ndryshimin e zonës në krahasim me një vit më parë.

Investimi i bërë në Fushën e Aviacionit, u vlerësua edhe nga deputetja e PS, Vasilika Hysi. Ajo solli në vëmendje se ky ishte një investim i munguar prej 25 vitesh, por falë ndërhyrjes së bashkisë e gjithë zona ka tashmë një infrastrukturë moderne. “Disa muaj më parë, në këtë zonë nuk kaloje dot, për të mos folur pastaj për shumë probleme të tjera që lidhen me rrjetin ujor, ndriçimin etj. Shumë faleminderit Bashkisë së Tiranës për investimin, por edhe firmës që respektoi afatet. Këtu përfituesit janë banorët e ardhur nga rrethet e tjera të Shqipërisë dhe me këtë lloj infrastrukture, kam besimin e madh që shumë shpejt zona do të urbanizohet dhe do ketë standardet e duhura”, tha ajo.

Rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet me rrugët “Dritan Hoxha”, “Teodor Keko”, “Anesti Lubonja” dhe parkun tek ish pista e Aviacionit, apo siç njihet ndryshe Fusha e Aviacionit, krijon kushte më të mira jetese për rreth 5.000 banorët e zons. Bashkia  Tiranës ka ndërhyrë në 18 segmente rrugore të këtij blloku banesash, duke bërë të mundur asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, shtrirjen e një rrjeti të plotë kanalizimesh të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, vendosjen e ndriçimit, por edhe sinjalistikës rrugore, si dhe vendosjen e infrastrukturës së duhur për personat me aftësi të kufizuar.