Blloku tek ish ATSH, i urbanizuar totalisht

Një tjetër bllok i rikualifikuar banimi në rrugën “Fadil Rada”, Njësia Administrative Nr. 2, i shtohet Tiranës. Tetë mijë banorë pranë zonës që njihet si ish ATSH-ja, tashmë kanë ambiente çlodhëse, lulishte, një kënd lojërash për fëmijë dhe transformim të plotë të infrastrukturës rrugore e nëntokësore. Ky bllok banimi është pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës për transformimin e rreth 50 lagjeve të qytetit. Pasi inspektoi punën e kryer nga Ndërmarrja nr. 2 e Qytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu falenderimin e tij për punonjësit e bashkisë, të cilët e përfunduan projektin vetëm në 8 javë punë.

“Faleminderit punëtorve tanë duarartë, të cilët në një kohë rekord e kthyen këtë zonë, nga një kazan i madh mbeturinash e balte, m’u në mes të Tiranës, në një lagje që dallon si dita me natën nga çfarë ishte më parë. Ky është një nga investimet që bashkia e ka bërë vetëm me fuqinë e vet punëtore, çka tregon se më në fund e kemi kthyer besimin në institucionet publike”, tha Veliaj. Ai shtoi se pikërisht, puna e kryer në këtë bllok banimi tregon qartë se kur ka vullnet, edhe me mundësi të reduktuara mund të bëhen punë shumë të mira.

“Edhe ndërmarrjet publike mund të punojnë me një cilësi po aq të mirë, madje në këtë rast edhe më të mirë, se sa kompanitë private”, shtoi Veliaj. Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se ndërsa është e pamundur për të zhbërë të gjitha ato që janë bërë keq në të shkuarën lidhur me zhvillimin urban të qytetit, bashkia synon që përmes ndërhyrjeve të  sjellë pak më shumë dinjitet në këto hapësira, krahasuar me çfarë ishin më përpara. Veliaj falenderoi gjithashtu edhe banorët e zonës që bashkëpunuan me ndërmarrjet e bashkisë, duke dhënë diçka nga prona e tyre për të krijuar mundësi më të mëdha për një jetë komunitare.

“Zakonisht secili tregohet shumë i ngurtë kur lë pak territor nga shtëpia e tij, por kjo ka qenë një nga zonat model ku secili ka dhënë pak metra nga avllia në të mirë të komunitetit. Kjo i ka rritur vlerën pronës dhe sot kemi një produkt që është shumë herë më cilësor se ato që bëhen në vende të tjera. Kjo është një lagje model, çka na motivon që të vazhdojmë të investojmë në njësinë 2”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Më tej, ai shtoi se kjo është vetëm një prej 50 lagjeve ku po ndërhyhet, çka sipas tij po sjell dhe një rritje të vlerës së pronës së qytetarëve që jetojnë aty.

“Kjo është arsyeja pse në Tiranë është rritur vlera e shtëpisë. Do të thotë që për një qytetar që në 1 janar kishte një shtëpi të caktuar me një vlerë të caktuar, sot ka një vlerë 16 % më të madhe, vetëm falë këtyre investimeve. Ajo që kërkohet është që t’i ruajmë, mos t’i vandalizojmë, ta mbajmë pastër, sepse ndihmon që ky investim, i cili është i pari pas 60 viteve në këtë lagje, të jetë më jetëgjatë”, tha Veliaj.

Pas dy muajsh punë, në këtë zonë u mundësua lirimi i hapësirave publike të uzurpuara në mënyrë të paligjshme, u kryen ndërhyrje në infrastrukturën e nëndheshme, përfshi kanalizimet dhe vendosjen e rrjetit të internetit e telefonisë. Gjithashtu, u bë sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut, si dhe u ndërtuan dhe u riparuan rrugët dhe trotuaret. Në zbatim të projektit të rikualifikimit urban u mundësua edhe krijimi i hapësirave publike, shtimi i gjelbërimit në zonë, si dhe krijimi i dy lulishteve.