Përmirësohet situata në Bovillë

Bashkia e Tiranës njofton se prej mëngjesit të sotëm, parametrat në ujëmbledhësin e Bovillës janë përmirësuar dukshëm, duke sjellë rënie të ndjeshme të nivelit të turbullirës së shkaktuar nga reshjet e dendura, dhe se deri sot në mbrëmje impanti do të rifillojë proçesin normal të furnizimit të plotë me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Pavarësisht reshjeve të dendura që kanë rënë edhe gjatë natës së kaluar, punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës kanë punuar me intensitet të lartë për rregullimin e tubacionit kryesor të burimit të Shën Mërisë, që furnizon pjesën lindore të qytetit, i cili ishte dëmtuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të situatës në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë, ku të dhënat e fundit tregojnë se situata sa vjen e përmirësohet.

Bashkia e Tiranës falenderon qytetarët për mirëkuptimin, pas situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të dendura, dhe i siguron ata se të gjithë punonjësit e saj janë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm të të gjitha zonave të kryeqytetit.

Liqeni ujëmbledhës i Bovillës furnizohet nga ujëra me rrjedhje natyrale sipërfaqësore dhe si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit u shkaktua turbullirë e ujrave të këtij liqeni. Bashkia e Tiranës dhe UKT morën masa të menjëhershme për të shmangur kufizimin me ujë të pijshëm për qytetarët.