Përurohet Këndi i Lodrave

Fëmijët e Tiranës kanë tashmë një kënd modern lodrash në Parkun e Liqenit Artificial. Ashtu siç edhe ishte premtuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, këndi i lojërave u përurua sot më 1 Qershor, për festën e fëmijëve. Qindra fëmijë, prindër, gjyshe e gjyshër, apo qytetarë kureshtarë tejmbushën që në orët e para të ditës hapësirën e këndit të lojërave. Festës së fëmijëve iu bashkua edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili mori përshtypjet më të mira nga qytetarët që vizituan për herë të parë këtë ambient të përshtatshëm për të gjithë fëmijët.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës uroi fëmijët për 1 Qershorin dhe theksoi se pavarësisht debatit dhe protestave, hera-herës edhe të dhunshme, ka zgjedhur të shohë përpara për të krijuar më shumë hapësira argëtimi për fëmijët dhe qytetarët e Tiranës. “E di që kemi punuar në kushte të vështira, megjithatë unë dhe Bashkia e Tiranës kemi zgjedhur të shohim përpara, pa e kthyer kokën mbrapa. I di të gjitha kundërshtitë, të gjitha debatet, por sot është momenti që të jemi të bashkuar. Ndodhi ajo që ndodhi, çdo gjë është e falur, por në qytetin e Tiranës duhet të ecim përpara për hatër të fëmijëve sepse ata janë gjëja më e rëndësishme”, u shpreh Veliaj. Ai nënvizoi se këndi i lojërave, që u çel sot, është një bast i fituar sepse siç kishte premtuar më parë, këndi do të ishte tërësisht në shërbim të fëmijëve, pa kafene dhe asnjë pemë të prerë.

“Besoj se të gjithë e kanë provën për atë që thashë përpara 3 muajsh: Nuk ka asnjë kafe, nuk është prerë asnjë pemë. Të gjitha pemët i shikoni me tabelë të matrikuluara dhe të gjitha pemët që ishin ditën e parë janë këtu dhe sot”, u shpreh kryetari i Bashkisë. Më tej, Veliaj theksoi se inatet dhe zënkat e të rriturve nuk duhet të pengojnë zhvillimin e Tiranës. “Inatet e të rriturve nuk duhet të pengojnë progresin e fëmijëve. Inatet e të rriturve nuk duhet të pengojnë projektet që kemi për Tiranën. Sot për mua, ky argument dhe ky debat është i mbyllur dhe për të gjithë ata që donin një referendum ky është referendumi më i mirë, që ne mund të kishim menduar sot për këndin e lodrave”, tha Veliaj.

Ai ka bërë thirrje që politika ta lejojë Bashkinë të punojë pasi punët publike, siç është edhe ky kënd, i shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike që kanë. “Ndaj sherret e politikës t’i bëjmë në Parlament dhe qytetin ta lëmë të bashkuar. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, ky nuk është një moment për hakmarrje apo karshillëk, nuk është një moment për arrogancë, por për të thënë që, ndodhi çfarë ndodhi, u bë një punë e mirë dhe sot të përveshim mëngët për punët e tjera”, deklaroi kryebashkiaku, Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka vendosur të çojë përpara të gjitha projektet e saj transformuese të Tiranës, përfshi këtu ato në infrastrukturë rrugore apo edhe sociale. “Dua t’i garantoj qytetarët se puna në Tiranë do të vazhdojë. Sot kemi filluar me prishjen e fundit që na pengonte tek Unaza e Vogël. Do të vazhdojmë shumë shpejt punën aty, do të vazhdojmë me parkun e lodrave tek materniteti, shumë shpejt hapim parkun e lodrave te “Mine Peza” dhe brenda 10 ditëve do të hapim 3 kopshte të reja, të rikonstruktuara”, theksoi Veliaj. Ai ka konfirmuar se gëzimi me të cilin qytetarët e pritën këtë kënd, i jep atij edhe më shumë besim dhe kurajë për të çuar përpara të gjitha betejat ligjore në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

“Të gjithë betejat e Bashkisë, edhe për digën, për çështje të tjera, do të vijoj të luftoj dhe do i fitoj, sepse janë për interes publik, nuk janë për interesin tim. Më vjen mirë që fëmijët e Tiranës mund të luajnë, ndaj kjo histori shpjegon shumë qartë se po të lejohemi të punojmë, mund t’i bëjmë gjërat shumë më shpjet”, përfundoi Veliaj.