Përurohet këndi i lojërave për fëmijë te rruga “Mine Peza”

Banorët e Njësisë Bashkiake nr. 9 kanë tashmë një kënd lojërash për fëmijë dhe një hapësirë të re çlodhëse. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në rrugën “Mine Peza”, ku përuroi ambientet e reja publike për qytetarët, një investim ky i përfunduar në dy muaj i cili i kushtohet çdo moshe. Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo është vetëm modeli i parë i 12 hapësirave të ngjashme publike që do të ketë në të gjithë Tiranën.

“Si kjo hapësirë te rruga ‘Mine Peza’, do të bëjmë edhe 12 të tjera në lagjet kryesore të qytetit. Jo çdokush mund të shkojë çdo ditë tek këndi i lojërave te Liqeni, por për nevoja ditore, banorët e blloqeve të tilla pallatesh do të kenë mundësi që fëmijët e tyre të luajnë në kënde lojërash të ngjashme, ku do mund të ushtrohen fizikisht pranë natyrës me lojëra që nesër mund t’i bëjnë sportistë të famshëm, pa ndenjur gjithë kohën në kompjuter, në telefon apo televizor”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendje se qyteti ka shumë prioritete dhe është shumë e rëndësishme që, si çdo familje që kujdeset fillimisht për fëmijët, ashtu edhe një qytet kujdeset së pari për fëmijët. “Më vjen mirë që Bashkia e mbajti premtimin dhe brenda muajit të parë pasi hapëm këndin e lojërave te Liqeni, përfunduam edhe këndin e dytë. Ne do të vazhdojmë me këndin e lojërave te materniteti dhe në 12 zona të tjera të Tiranës, për t’u siguruar që fëmijët në të gjithë Tiranën, pavarësisht nëse jetojnë afër Liqenit ose në periferi, të kenë një fëmijëri shumë më ndryshe nga ajo që ndoshta patën disa prej nesh në vitet ’90”, tha Veliaj.

Një ditë pasi kombëtarja shqiptare e futbollit u prit në Tiranë, Veliaj solli në vëmendje sesa e rëndësishme është që të kemi ekipe që të na përfaqësojnë denjësisht në nivel kombëtar. “Më vjen mirë që fushata që kemi nisur bashkë me Federatën e Basketbollit, për t’u siguruar që në çdo lagje, përveç këndit të lodrave, të kemi edhe një fushë sportive për t’i kthyer më shumë fëmijët tek sporti. Besoj se ky është një vendim në drejtimin e duhur”, u shpreh Veliaj. Krahas aspektit sportiv, hapësira prej 3400 metrash katrorë në rrugën “Mine Peza” do të shërbejë për çdo grupmoshë, pasi ka ambiente tërësisht të rikonstrukruara kushtuar fëmijëve dhe të rriturve.

“Jemi munduar gjithashtu, që të bashkojmë gjeneratën. Fëmijët nuk mund të rrinë pa gjyshërit dhe gjyshet e tyre, pa prindërit, ndaj më vjen mirë që kemi mjaftueshëm ambiente në këtë hapësirë për të gjithë të moshuarit, që teksa luajnë bashkë me fëmijët, të kenë mundësi edhe ku të pushojnë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj. “Më vjen mirë që pavarësisht sesi i kemi bindjet partiake, pavarësisht sesi i kemi opinionet për gjëra nga më të ndryshmet, për një gjë biem të gjithë dakord që, Bashkia e Tiranës tek puna e fëmijëve nuk duhet të kursejë. Kjo është arsyeja që sapo mbaruam në 1 qershor këndin e lodrave tek Liqeni, filluam me këndet e lodrave tek lagjet”, tha Veliaj.

Ky investim u bë i mundur përmes bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës dhe donatorëve si SIGAL dhe Fastech që dhuruan lodrat për hapësirën çlodhëse në Njësinë Administrative nr.9. Punimet për këndin e lojërave zgjatën rreth 2 muaj.