Përurohet rruga e Çekrezës në Zall-Herr, bashkë bëjmë punë të pamundura

33872484912_12ca964c05_o

Nga një rrugë tërësisht e degraduar, e shtruar me zhavorr dhe çakull, banorët e Çekrezës në Njësinë Administrative të Zall-Herrit kanë një rrugë të re me standarde e sinjalistikë rrugore. Ashtu siç edhe kishte premtuar, Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës e cila i afron banorët, si dhe produktet bujqësore dhe blektorale të kësaj zone me tregun e Tiranës. kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përuruan rrugën e re të Çekrezës, ndërsa inspektuan edhe dy nga rrugët e tjera që po ndërtohen në këtë zonë.

 Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë reformës territoriale është bërë e mundur realizimi i një sërë investimesh të rëndësishme, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në zonat rurale. “Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se prej reformave që i kemi bërë bashkë, si koalicion, PS dhe LSI, kemi arritur që të kemi një investim, i cili do ishte i pamundur në kushtet e Zall-Herrit. Unë besoj se pavarësisht rritjes së zonës, disa zona si Krraba, Zall-Herri, Shëngjergji, Peza, Ndroqi, Vaqarri do ta kishin të pamundur që vetëm me paratë e komunës, me taksa shumë modeste, që mezi paguajnë rrogat e administratës, të bënin këto investime. Shumë politikanë kanë ardhur e shumë kanë premtuar, por nuk ka pasur duk sepse ka qenë e pamundur që qindarkat e fshatit, qindarkat e komunës të përballonin miliona dollarë investime që nuk janë të realizueshme”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Veliaj shtoi se nuk do të ketë asnjë dallim në shpërndarjen e investimeve midis qendrës dhe zonave rurale. “Unë besoj tek një Shqipëri që nuk rritet me dy shpejtësi. Ne o do të ecim të gjithë me të njëjtin marsh, me të njëjtin ritëm, ose ndryshe nuk po ndërtojmë një vend që është i barabartë për të gjithë, ndaj ambicia jonë ka qenë pikërisht kjo: Të punojmë në qendër të Tiranës sepse sheshi “Skënderbej” është i të gjithëve, edhe i dikujt që është nga Zall-Herri, edhe i dikujt që është nga Blloku, edhe i dikujt nga Tropoja apo nga Saranda, edhe i dikujt që është nga Lushnja, edhe i dikujt që është nga Lezha, ama nuk duhet kurrsesi që të fokusohemi te sheshi “Skënderbej”, te stadiumi “Qemal Stafa”, Pazari i Ri, Bulevardi i ri dhe pastaj të harrojmë që njerëzit në fakt nuk jetojnë në shesh, nuk jetojnë në bulevard, nuk jetojnë te Pazari i Ri, njerëzit jetojnë në fshatra si Çekreza, Kasalla, dhe kjo është arsyeja pse po i bëjmë këto investime”, u shpreh kryetari i bashkisë.

 Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme të kuptohet se kur të gjithë bëhen bashkë, mund të realizohen edhe gjërat e pamundura. “Të mos harrojmë për asnjë moment që bashkimi bën fuqinë; bashkimi solli investime si ky këtu, bashkimi transformoi reformën dhe transformoi vendin në një mënyrë të paimagjinueshme dhe besoj se bashkimi në një koalicion për Shqipërinë, për Tiranën, për gjërat që na bashkojnë dhe jo për gjërat që na ndajnë, është mënyra se si Shqipëria ecën përpara, se si ka progres Zall-Herri, Tirana dhe i gjithë vendi ynë”, tha Veliaj.

 Kryetari i Bashkisë dha edhe një lajm të mirë, atë të miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit të Planit të ri Urbanistik, që do t’i sjellë kryeqytetit më shumë investime dhe vende të reja pune. “Këshilli Kombëtar i Territorit do të aprovojë Planin Urbanistik të Tiranës, i cili do të na sigurojë më shumë investime jo vetëm për Tiranën urbane, por sidomos për Tiranën rurale. Ky besoj që është një lajm i mirë, ku prapë si koalicion, në Tiranë dhe në Shqipëri, do t’i japim një produkt të ri urbanizimit të qytetit; do të sjellim më shumë investime në fshat, të cilat do të transformojnë totalisht mënyrën sesi është konceptuar Tirana”, tha Veliaj.

 Kreu i Kuvendit, Meta vlerësoi punën që po bën Bashkia e Tiranës jo vetëm në qytetin e Tiranës, por edhe në integrimin e zonave rurale dhe për këtë ai theksoi se Tirana duhet të jetë shembull edhe për bashkitë e tjera. “Unë besoj se puna që ka bërë Erioni gjatë këtyre dy viteve ka qenë një punë e ndjeshme në të gjithë Tiranën, e padiskutueshme, por jam shumë i gëzuar për punën që ai po bën për integrimin e gjithë këtyre njësive administrative jashtë Bashkisë së vjetër të Tiranës, në bashkinë e re të Tiranës, për këtë standard të ri të urbanizimit, të integrimit dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive sepse i jep fund një harrese, një diskriminimi dhe një mungese vëmendjeje në të kaluarën. Do të uroja që të gjithë kryetarët dhe kryetaret e bashkive të punojnë në këtë mënyrë, që kudo të ndjehet ndryshimi dhe njerëzit të prekin në realitet efektet e reformës administrative dhe territoriale”, tha Meta.

 Ai ka falenderuar në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar ish-komunave, sot pjesë e bashkisë së madhe të Tiranës. “Ne politikanët duhet të flasim me vepra, siç flet edhe kjo vepër sot dhe unë sot dua të falenderoj shumë Erionin për vëmendjen që i kushton Zall-Herrit, Zall Bastarit, dhe ish-njësive që i janë bashkuar Bashkisë së re të Tiranës”, përfundoi Meta.