Përurohet rruga e re e “Kosovarëve”

Bashkia e Tiranës i ka dhënë fund pritjeve disa vjeçare të banorëve të zonës duke mundur që brenda pak muajve të bëjë realitet ndërtimin e rrugës së “Kosovarëve”, e cila lidh Parkun e Liqenit me “Komunëne Parisit”. Rruga e re ofron standardet më të mira qoftë në përmasa, ashtu edhe në elementë të tjerë, duke ofruar korsi për biçikletat dhe vrapuesit. Të pranishëm në hapjen e rrugës për makinat dhe këmbësorët ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, të cilët vlerësuan kohën e shkurtër për ndërtimin e rrugës.

“Kjo rrugë është përuruar disa herë edhe nga bashkia e mëparshme. Por, me administratën e re gjërat i bëjmë vetëm një herë. Saga 5-vjeçare e kësaj rruge merr fund këtu. Rruga e Kosovarëve, emri i dhënë në kujtim të atyre ditëve të dhimbshme të viteve ’98-’99gjatë kohës së krizës në Kosovë, u kthye mandej në një luftë tipike urbane brenda nesh, ku nuk i japim dot zgjidhje disa gjërave që në fakt qyteti i meritonte shumë kohë më parë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se kjo rrugë i ka dhënë mundësi kësaj lagje që të urbanizohet plotësisht dhe të rrisë vlerën e pronave përreth.

“Njësia 5 sot është si dita me natën nga ç’ka qenë më parë, qoftë me pastrimin, shkollat, këndete lodrave, çerdhet dhe kopshtet. Më vjen mirë që pas gjithë këtyre investimeve cilësore dhe një infrastrukturë e denjë, siç është kjo që lidh Digën e Liqenit me Komunën e Parisit, shkurton kohë për njerëzit që duan të përdorin këtë rrugë për transport. Gjithashtu, i shton jashtëzakonisht vlerën pallateve që janë në këtë zonë, pranë Liqenit, por mbi të gjitha, si çdo investim i ri bashkisë, ka një korsi të dedikuar të biçikletave, ka trotuare të bollshme, që të largohemi nga investime që bëhen sa për të kaluar radhën dhe me asfalt elektoral”, deklaroi Veliaj. Ai tha se edhe kjo rrugë, ashtu si edhe disa punë të tjera publike të Bashkisë së Tiranës, janë bërë me të ardhurat nga tarifat apo taksat.

“Për këtë rrugë kanë paguar qytetarët me të ardhurat e këtij viti nga agjencia e parkingjeve. 100 lekëshat që njerëzit kanë paguar në parkingjet publike të bashkisë, janë përkthyer në korsi biçikletash, trotuare dhe rrugë si kjo. Kjo do të thotë që secili qytetar që jep një kontribut në mënyrë të ligjshme, me kupon tatimor, në agjencitë e bashkisë, sigurohemi që automatikisht kthehet në investim publik”, theksoi Veliaj. Për këtë arsye ai falenderoi qytetarët që kanë përdorur parkimin publik, pasi të gjitha qindarkat janë mbledhur e janë administruar me kujdes për t’u kthyer më pas në investime si kjo rrugë.

“Kemi futur një kulturë të re të parkimit publik, për t’u siguruar që gjejmë më shumë vende parkimi, më pak trafik, siç ka rezultuar dhe sigurohemi që këto para që mblidhen nga parkimet nuk shkojnë në duart e atyre spekulantëve që i zënë hapësirat dhe që gjithsesi qytetari i paguan, por përkthehen në investime cilësore dhe fantastike për qytetin”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Deputeti i PS, Pandeli Majko, falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar Njësisë 5 në çerdhe, kopshte, kënde lojërash si dhe infrastrukturë urbane. “Jemi përballë një prove sesi po ecin gjërat në Bashkinë e Tiranës. Pra, dikush që e ka parë në televizor kur ne ishim para 2-3 muajsh këtu për të inauguruar fillimin e punimeve, tani mund të shikojë një punë vërtet të shkëlqyer nga ana e bashkisë. Komuniteti këtu nuk ka çfarë të komentojë më tepër sepse realisht situata ka ndryshuar, nga një histori fshati në një histori kryeqyteti, dhe mendoj se së bashku me investime të tjera që do të vazhdojnë në këtë drejtim, do të kemi vërtet një histori jashtëzakonisht të suksesshme për këtë pjesë të Tiranës”, përfundoi deputeti Pandeli Majko.