Përurohet rruga e re në Qesarakë

Banorët e Qesarakës në Njësinë Administrative Dajt kanë një rrugë të re që i lidh me pjesën tjetër të qytetit të Tiranës. Gjashtë muaj nga fillimi i punimeve, Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës, e cila ishte kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e zonës. Pas përurimit të rrugës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo ajo i shërben rreth 10 mijë banorëve, jo vetëm të Qesarakës, por edhe të zonës Kinostudio-Dajt.

“Ky investim është një premtim i mbajtur. Do të vazhdojmë edhe me investime të tjera në zonë e Dajtit”, kryebashkiaku Veliaj. Rruga e re, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që do t’u vijë në ndihmë banorëve për të lëvizur, por edhe do t’i japë vlerë më të madhe pronës së tyre. “Rruga e re i ka shtuar vlerën shtëpive këtu. E di se shumë shqiptarë kanë pritur prej kohësh të shohin se si taksat e tyre përkthehen në investime, ndaj në më pak se një vit i kemi përkthyer në investime taksat që qytetarët paguajnë modestisht në Tiranë. Çdo qytetar ka sot garancinë se çdo qindarkë që jep në Bashkinë e Tiranës, i përkthehet në investim, çdo investim ia rrit më shumë vlerën pronës së tij, ashtu siç ka ndodhur në qendër të Tiranës, por edhe këtu në periferi”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se kjo rrugë është një nga disa ndërhyrjet që Bashkia e Tiranës ka vendosur të bëjë në këtë zonë, për ta kthyer atë në një pikë tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj, si dhe për ta kthyer gjithë zonën e Dajtit në një qendër të rëndësishme urbane. “Zona e Dajtit sot ka edhe disa atraksione të tjera; Teleferikun, hyrjen për te Bunk’Art, disa ndërhyrje që po bëjmë në parkun e Dajtit. Me vizonin e planit urbanistik të Tiranës, planifikojmë që zona Kinostudio-Dajt të jetë një ndër qendrat e Tiranës policentriste, siç do të jetë Kombinati, Lapraka. Besojmë se vetëm duke grupuar Tiranën në këto poliqendra, do të mund të jemi një qytet më funksional”, theksoi kreu i bashkisë. Gjithashtu, në vëmendje të Bashkisë së Tiranës janë edhe investimet në infrastrukturën arsimore dhe sociale të zonës, siç kopshtet, shkollat, etj.

“Më vjen mirë që këtë vit, investimit për këtë rrugë i bashkohet edhe investimi për shkollën e mesme. Do të kemi vitin e parë ku nuk do të ketë më shkolla të mesme me dy turne në qytetin e Tiranës. Në këtë zonë kemi filluar rikonstruksionin e disa kopshteve me nismën “Adopto një kopësht” dhe brenda verës do të kemi përfunduar të gjitha kopshtet e Tiranës”, shtoi ai. Gjithashtu, kryebashkiaku theksoi se për herë të parë këtë vit, do të fillojnë të shpërndahen grantet e Bashkisë, sipas nismave të vetë komunitetit. “Çka do të thotë se nëse anëtarë të komunitetit në zonat e reja të Tiranës, siç janë Dajti, zona e Freskut, Qesaraka, kanë ide se si të ndërtojnë një kopsht, një kënd lojërash, një fushë sportive, do të subvencionojmë komunitetin sipas propozimeve që na bën vetë komuniteti për zonën”, tha Veliaj.