Rrisim me shpejtësi korsitë e biçikletave.

Tiranës i është shtuar një rrugë e re. Duke filluar që nga dita e sotme qytetarët e Tiranës kanë mundësi që të shfrytëzojnë rrugën e re që lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Papa Gjon Pali i II” dhe më tej me rrugën e “Elbasanit”. Në kuadër edhe të Festivalit Evropian të Pedalimit që u mbajt sot në të gjitha kryeqytetet evropiane, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prani edhe të ambasadores së Holandës, Dewi Van De Weerd, dhe përfaqësuesi i Ecovolis, Ened Mato, ka përuruar rrugën e cila plotëson të gjitha standardet bashkëkohore, përfshirë edhe një korsi të dedikuar për biçikletat. I shoqëruar nga fëmijë dhe aktivistë të Ecovolis, Veliaj e përshkoi segmentin me biçikletë, duke përcjellë kështu mesazhin për të përdorur sa më shumë biçikletat, si një mjet jo vetëm ekologjik, por edhe i shëndetshëm.

Duke iu referuar aktivitetit të sotëm dhe përurimit të rrugës, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ato vijnë si investim në infrastrukturë, por edhe në edukimin e njerëzve për t’i orientuar që të përdorin sa më shumë mjetet ekologjike dhe sa më pak makinat. “Ka dy lloj investimesh: Investime në infrastrukturë dhe investime në kulturë. Të dyja janë njësoj të rëndësishme dhe ky i sotmi është edhe një investim në infrastrukturë, me rrugën e re të bashkisë, por edhe një investim në kulturë me këtë nismë fantastike të ambasadës së Holandës dhe Ecovolis”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj tha se Tirana është përfshirë në një situatë të jashtëzakonshme transformimesh, të cilat kërkojnë edhe sakrificën dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të bërë durim. “Transformimi i Tiranës, ku një pjesë e korsive ia kushtojmë biçikletave, kërkon një sakrificë nga ata që përdorin makinat. Kjo është një sakrificë e shëndetshme dhe shumë e vogël për të respektuar ata që pedalojnë, për ta konsideruar edhe vetë të pedalojnë. Sot në Tiranë bëhen 800 mijë udhëtime çdo ditë. 400 mijë prej tyre janë më pak se 1 km. Secili prej nesh mund të marrë biçikletën për të blerë bukën, për të shkuar nga një kafe te tjetra, për të shkuar në institucionet që janë shumë pranë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se pedalimi është edhe një kurë e mirë për të luftuar një sërë sëmundjesh dhe për të patur një jetë të shëndetshme. “Në qytetin e Tiranës kemi sot 20% të qytetarëve tanë që janë obezë dhe që kanë sëmundje kardiovaskulare. Ka një shërim dhe ajo quhet biçikletë”, tha Veliaj. Edhe për këtë arsye ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i përmbahet premtimit publik që çdo investim i ri në infrastrukturën rrugore të ketë një korsi biçikletash.

Ai bëri të ditur se hapja e kësaj rruge do t’i japë mundësi bashkisë që të menaxhojë më mirë trafikun e makinave në bulevard gjatë kohë që sheshi “Nënë Tereza”do të shndërrohet në pedonale. “Duke filluar nga muaji tjetër ne do të bllokojmë një pjesë të madhe të sheshit “Nënë Tereza” dhe nga 10 qershori deri në 10 korrik ne do të kemi, ashtu siç patëm festën e fundvitit, një festë të madhe për kampionatin evropian të futbollit, ku jo vetëm do ta kthejmë sheshin në pedonale, por do t’i gëzohemi të gjithë bashkë, në një hapësirë demokratike, ndeshjeve që do të ketë kombëtarja jonë në Francë apo edhe gjithë ndeshjet e tjera. Për t’u siguruar kështu që qyteti është për njerëzit dhe jo për makinat”, deklaroi Veliaj.

Ambasadorja e Holandës, Dewi Van De Weerd, në fjalën e saj shprehu kënaqësinë që edhe Tirana iu bashkua nismës së Festivalit Evropian të Pedalimit, duke falenderuar për këtë Bashkinë e Tiranës. “Jam shumë e lumtur që ju shoh të gjithëve këtu sot, pasi ashtu si në Tiranë, në të gjitha kryeqytetet e Evropës, nis Festivali Evropian i pedalimit dhe kjo organizohet në kuadrin e presidencës që mban Holanda për BE. Në të njëjtën kohë që ne kemi filluar këtë festival dhe do të pedalojmë së bashku, 28 ministrat e Transportit janë duke biseduar në Amsterdam në lidhje me pedalimin dhe gjithë përfitimet që mund të sjellë ai. Edhe pse Holanda është një vend shumë i vogël, në vendim tim ka më shumë biçikleta se sa njerëz dhe ky është modeli që ne dëshirojmë të sjellim edhe këtu, për ju dhe fëmijët, tuaj të cilët mund të shkojnë në shkollë me biçikletë, ju mund të shkoni në punë me biçikleta sepse kjo është mënyrë shumë e shpejtë dhe shumë miqësore”, u shpreh Van De Weerd.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Ecovolis, Ened Mato tha se “dita e sotme është një festë për transport të gjelbër, për të pasur më shumë ajër të pastër, sepse të gjithë e duam Tiranën me ajër të pastër. Është aktivizëm për të pasur më shumë korsi, zona të sigurta pedalimi, por edhe pedonale, zona këmbësorësh. Kemi shumë rrugë për të bërë, por sot jemi para një korsie rruge, e cila flet shumë për bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe skuadrën e së ardhmes”.