Përurohet rruga “Hamdi Cenoimeri”

Rreth 2 mijë banorë që jetojnë në zonën periferike të Selitës dhe Sharrës në Njësinë Administrative Nr. 6 kanë tashmë një rrugë të re. Bashkia e Tiranës ka përfunduar fazën e dytë të ndërtimit të rrugës “Hamdi Cenoimeri”, e cila përveçse me standarde për qytetarët, ndihmon edhe në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve. Punimet e kryera në këtë rrugë u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi këtë investim të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për mjetet, por edhe ata që duan të vrapojnë apo të shijojnë natyrën dhe liqenin e Vaqarrit.

“Më vjen mirë që sot rruga “Hamdi Cenoimeri”, e cila është një rrugë që lidh zonën urbane me atë rurale të Kombinatit, ku jetojnë mbi 2000 familje, të cilave iu rritet vlera e shtëpisë dhe e pronës. Rruga gjithashtu, lidh pjesën urbane të Kombinatit me liqenin e Vaqarrit, dhe përdoret qoftë nga nxënësit që shkojnë në shkollë apo për të apasionuarit pas vrapit. Ndaj besoj se kemi bërë një investim jashtëzakonisht inteligjent”, u shpreh kryetari i bashkisë. Veliaj theksoi se, ashtu si edhe në çdo zonë të Tiranës, ku janë bërë investime të kësaj natyre, edhe në këtë lagje, kjo rrugë i jep një vlerë më të madhe pronës, si dhe e bën atë më të aksesueshme.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se në projektin e Planit të Përgjithshëm Vendor e gjithë zona e Kombinatit parashikohet të jetë një nga polet e veçanta të kryeqytetit, e pajisur me infrastrukturën e nevojshme rrugore dhe sociale. “Pas dy javësh, mbushet një vit nga koha kur u betuam se do e çonim Tiranën në drejtimin e  duhur dhe do e kthenim Tiranën në punë. Më vjen mirë që, në këtë vit, kemi qenë disa herë në Kombinat, dhe që filozofia jonë me planin e ri të përgjithshëm është që Kombinati të jetë një qendër më vete e Tiranës, një nga 7 qendrat kryesore të Tiranës, e cila do të mbledhë bashkë të gjitha shërbimet dhe infrastrukturën e nevojshme sociale. Kjo, sigurisht nuk ndodh nëse këtu nuk ka rrugë dhe urbanizim”, tha kryetari i Bashkisë.

Gjithashtu, Veliaj përcolli një tjetër lajm të mirë për banorët e Kombinatit, duke nënvizuar se shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i një shkolle të re për këtë Njësi Administrative. “Javën tjetër do të fillojmë shkollën e re të Kombinatit, që gjithë vogëlushët tanë të mos shkojnë më në shkolla me dy turne, por të shkojnë në shkollë vetëm në mëngjes dhe më pas mbasdite të luajnë e të bëjnë të gjithë gjërat e bukura”, bëri të ditur Veliaj.

Rruga “Hamdi Cenoimeri” përshkon një zonë me banesa private, duke kaluar në një zonë informale midis kodrave të Selitës dhe atyre të Sharrës dhe që të çon tek liqeni i Vaqarrit, në juglindje të Kombinatit dhe ka një gjatësi prej 507 ml.